Barbara Halla

Duke filluar nga viti 2025, personat që udhëtojnë drejt zonës Shengen (si dhe Bulgarisë, Rumanisë dhe Qipros), duhet të aplikojnë përmes internetit për një autorizim të lëshuar nga Bashkimi Evropian nën emrin ETIAS, akronimi për European Travel Information and Authorization System (Sistemi Evropian për Informacionin dhe Autorizimet e Udhëtimeve). Bëhet fjalë për një faqe interneti ku personat që duan të udhëtojnë për një periudhë të shkurtër kohore (deri në tre muaj), duhet të fusin disa nga të dhënat e tyre, dhe më pas do të marrin një autorizim për t’u futur në vendin e dëshiruar.

Në mediat shqiptare ka pasur shumë spekulime, keqkuptime, dhe teori të ndryshme mbi natyrën e këtij autorizimi. Disa nga këto kanë të bëjmë me detaje si datat, ku faqe të ndryshme thonë se autorizimi do të përdoret prej datës 10 nëntor 2024, kur në faqet zyrtare të BE-së nuk është dhënë një datë e saktë, dhe për më tepër thuhet se ETIAS do të vihet në punë vetëm në 2025-ën.

Disa media vendase e kanë quajtur sistemin ETIAS një vizë apo leje qëndrimi të re, dhe e kanë përshkruar këtë sistem si një vendim të Bashkimit Evropian për të mbyllur kufijtë e saj për shqiptarët. Kjo ka përhapur frikën e periudhës para liberalizimit të vizave, si dhe makthin e kufijve dhe rradhave të gjata në ambasada.

Vetë Bashkimi Evropian, në faqen zyrtare, hedh poshtë përshkrimin e ETIAS si një viza e re që po u imponohet vendeve ku tashmë ato ishin liberalizuar. Sipas tyre, ETIAS ndryshon nga një vizë për dy arsye. Së pari, bëhet fjalë për një autorizim automatik i cili bëhet i gjithi përmes internetit. Ndërkohë që një vizë kërkon më shumë dokumenta, vizitë në konsullatën ose ambasadën e vendit përkatës, si dhe mbledhjen e të dhënave biometrike.

Ky autorizim paraprak është vetëm për qytetarët nga vendet që nuk kanë nevojë për vizë.  Ai nuk ndryshon rregullat aktuale. Ashtu si deri më tani, çdokush mund të vizitojë një nga shtetet e zonës Shengen,vetëm për një periudhë 90 ditore çdo 180 ditë, e po ashtu nuk i autorizon vizitorët të punojnë apo studiojnë në BE apo zonën Shengen. Për më tepër, krahasuar me vizat e mëparshme, zakonisht ato kishin një afat nga disa ditë deri në 3 muaj. Ndërkohë ky autorizim do të jetë i vlefshëm për tre vjet. Pra, pasi të keni marrë autorizimin herën e pare, nuk do të keni nevojë të riaplikoni për tre vjet.

Aplikimi për ETIAS do të kushtojë 7 euro. Bëjnë përjashtim personat nën 18 vjeç dhe mbi 70 vjeç, si dhe familjarët e atyre personave që kanë nënshtetësinë evropiane. 

ETIAS nuk do të thotë që Evropa po mbyll kufijtë, sidomos jo ato të brendshmit. Personat që kanë marrë autorizimin do të mund të vazhdojnë të udhëtojnë brenda BE-së pa patur nevojë për kontrolle apo dokumenta të tjera.

Në mediat shqiptare flitet për ETIAS si një proces edhe më i vështirë se marrja e vizës.

Është e kundërta: zakonisht një vizë Shengen kërkon të dhëna të shumta, si prova për arsyen e vizitës, prova mbi të ardhurat, dhe dokumenta që të sigurojnë se do të kthehesh në vendin e banimit pas udhëtimit. Vizat duan nga disa ditë në disa javë të procesohen. Por ETIAS mund të mbushet online dhe do të kërkojë vetëm informacione personale, si dhe detaje mbi udhëtimin (datat, vendin e qëndrimit), si dhe të dhëna mbi statusin juridik të personit (nëse keni pasur probleme me drejtësinë).  Në shumicën e rasteve, pritet që vendimi të jepet automatikisht brenda disa minutave. Në raste shumë të rralla mund të dojë deri në 30 ditë.

Situata me ETIAS duket të jetë pjesë e narrativave kundër Bashkimit Evropian, që përpiqen ta përshkruajnë këtë të fundit si kundra vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë. Por, ETIAS shkon shumë më larg sesa Ballkani dhe Shqipëria. Ajo është një procedurë e ngjashme me atë të vendeve si SHBA-ja dhe Australia, dhe do të jetë e detyrueshme dhe për qytetarët amerikanë dhe anglezë, për shembull.

Siç e përshkruan Vox, ETIAS do të jetë një databazë ku Bashkimi Evropian mund të monitorojë personat që janë të autorizuar të hynë në BE. BE-ja ka dashur prej kohësh të ketë një sistem të tillë monitorimi dhe autorizimi. Ideja është prezantuar para Komisionit në 2016-tën për udhëtarët nga vendet pa viza. Sipas FRONTEXT, forca evropiane e sigurisë kufitare, ETIAS do të parandalojë si krimin dhe migrimin e paligjshëm. Për më tepër, pritet që sistemi ETIAS të ulë dhe rradhët në aeroporte, duke automatizuar dhe kontrollin e pashaportave.

Redaktoi Aimona Vogli