Pretendimi: Bashkimi Europian po shqyrton një ndalim riparimi për automjetet mbi 15 vjeç
Verdikti: E pavërtetë
————————————————–
Në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se Bashkimi Europian po shqyrton legjislacione që do të ndalonin njerëzit të riparonin makinat që janë prodhuar mbi 15 vite më parë, si pjesë e një agjende ambjentaliste.
Pretendimi shoqërohet me një video nga The David Knight Show, ku citohet një artikull nga portali WinePress. Në këtë artikull, kjo masë identifikohet si pjesë e një projektligji që do të amendonte rregullat e BE për “automjetet në fund të jetës” (EVL).
Megjithatë, në projektligjin e publikuar në faqen zyrtare të BE nuk rezulton të ketë ndonjë parashikim që do të ndalonte riparimin e makinave mbi 15 vjeç.
Projektligji ka të bëjë me përdorimin sa më efiçent të skrapit që del nga makinat e papërdorshme, dhe masat që mund të merren për të ndaluar shitjen e makinave të pariparueshme në vende jashtë BE. Qëllimi i tij është të shmangë përhapjen e mbetjeve të makinave të papërdorura apo të papërdorshme nëpër shtete të tjera, qoftë si mbeturina skrapi ose si automjete të riparuara keq.
Një zëdhënës i Komisionit Europian tha për AFP: “Ne nuk kemi propozuar asgjë në këtë tekst që ka lidhje specifkisht me makinat mbi 15 vjeç.” Një tjetër zëdhënës i KE në Rumani shtoi: “Mund ta riparosh makinën nëse do, edhe nëse nuk është me leverdi. Por nëse ke një makinë të prishur që nuk riparohet dot, rregullimet e propozuara do të parashikonin që ti duhet ta eleminosh në mënyrë të përgjegjshme duke e dërguar në një impiant trajtimi për skrap, dhe jo, për shembull, ta lësh të ndryshket në fshat ose në garazh, ku mund të lëshojë substanca toksike dhe të shpërdorojë resurse të çmuara.”
Projektligji përcakton çfarë quhen automjete “teknikisht të pariparueshme”. Një makinë quhet e pariparueshme teknikisht nëse “për riparimin e saj nevojitet zëvendësimi i motorit, kutisë së marsheve, karrocerisë ose shasisë, duke çuar në humbjen e identitetit origjinal të automjetit.” Jetëgjatësia e makinës jo vetëm që nuk kufizohet në 15 vjeç, por as nuk përmendet në përkufizim.
Qëllimi i këtij përcaktimi është ndalimi i skemave mashtruese, në të cilat, makina nga BE eksportohen ilegalisht dhe shiten si makina të përdorura, kur në fakt janë të papërdorshme.