BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookIzraeli nuk pranoi përgjegjësinë për sulmin terrorist në Moskë

Izraeli nuk pranoi përgjegjësinë për sulmin terrorist në Moskë

Pretendimi: Izraeli ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist të ISIS në Moskë.

Verdikti: E pavërtetë

————————————————–

Në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se Izraeli ka marrë përgjegjësinë për “sulmin e Mossad” në sallën e koncerteve Crocus City Hall në Moskë, më 22 mars 2024. 

Si provë për këtë, pretendimi shoqërohet me një video që duket se tregon një burrë i cili deklaron: 

“E kuptoj që ju paguheni nga Rusia, e kuptoj që kjo është propagandë ruse. Por ju duhet të bëni shumë kujdes, sepse, më lini t’ju them, ne do ta përfundojmë këtë luftë. Ne do fitojmë, sepse jemi më të fortë. Pas kësaj, Rusia do të paguajë çmimin, më besoni. Rusia po mbështet armiqtë e Izraelit. Rusia po mbështet njerëz nazistë që duan të bëjnë genocid ndaj nesh. Rusia do të paguajë çmimin. Më dëgjoni me shumë kujdes. Ne do mbarojmë me këta nazistë, do ta fitojmë këtë luftë. Më pas, ne nuk do ta harrojmë çfarë po bëni. Nuk do ta harrojmë. Ne do të sigurohemi që ju të paguani çmimin për çfarë keni bërë. Ju si Rusi. Ju si gjithë armiqtë e Izraelit. Ju si gjithë njerëzit që po bëjnë ç’të munden për të mbështetur genocidin e hebrenjve në Izrael. Ne nuk harrojmë. Ne nuk harrojmë. Mbani mend ekzaktësisht çfarë po them tani. Ju do të paguani çmimin.”

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se video e mësipërme është shkëputur nga një intervistë më e gjatë, e transmetuar nga televizioni rus RT dhe publikuar në llogarinë e tyre në Twitter më 19 tetor 2023.

Burri në video është politikani izraelit Amir Weitmann, anëtar i partisë në pushtet Likud. Pyetur mbi sulmin në spitalin Al-Ahli në Gaza, më 17 tetor 2023, Weitmann insistoi se ai nuk ishte sulm izrarelit, por “propagandë terroriste palestineze”. Ai gjithashtu akuzoi Rusinë se po punonte me Hamas dhe të tjera organizata terroriste dhe se do të paguante për bashkëpunimin e saj në vrasjen e izraelitëve.

Ky ‘kërcënim live’ i Weitman u bë viral në Tetor 2023, duke arritur 50 milionë shikime.

Sado e nxehur dhe e çuditshme qe deklarata e Weitmann në 2023, ajo nuk përbën një marrje përgjegjësie nga ana e shtetit të Izraelit, apo shërbimeve sekrete të tij Mossad, për sulmet terroriste në Moskë në 2024.

Më 22 mars, katër burra të armatosur hapën zjarr në sallën e koncerteve Crocus City Hall në Moskë, dhe i vunë flakën vendit, duke vrarë të paktën 137 njerëz. Një fraksion i grupit terrorist islamik ISIS mori përgjegjësi publike për sulmin, duke publikuar edhe një video të xhiruar nga një prej terroristëve gjatë sulmit.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img