BallinaProjekteRindërtimi dhe pandemia në Shqipëri: Fakte dhe të dhënaAfatet e shkelura për rindërtimin e shkollave në Krujë

Afatet e shkelura për rindërtimin e shkollave në Krujë

EDIT NIKOLLI & JOEL ÇELA

Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, kryeministri Rama premtoi se shkollat dhe kopshtet e rrënuara do të rindërtoheshin brenda shtatorit 2020. Në mars 2021, kur kanë skaduar afate të njëpasnjëshme të premtuara dhe të parashikuara në projektet e rindërtimit, ka ende shkolla ku s’ka përfunduar puna. Faktoje bëri një verifikim në shkollat 9-vjeçare “Gjon Luka” dhe “Hajdar Hoxha” në Krujë. Tek e para vijonin punimet, ndërsa e dyta, edhe pse u konsiderua e përfunduar gjatë inspektimit të kryeministrit, në mes të muajit mars, ende s’kishte nisur procesi mësimor.


Me anë të një videoje të postuar në rrjetin social Facebook më 30 dhjetor 2019, Kryeministri Rama deklaroi:

“Shkollat, kopshtet, spitalet, qendrat shëndetësore të dala jashtë funksioni, duhet të rindërtohen nga e para deri në shtatorin e ardhshëm. Në sezonin e ri shkollor 2020-2021 fëmijët e shkollave të rrënuara do ta nisin mësimin në shkolla të reja, me kushte shumë më të mira sesa ato që kishin përpara tërmetit.”

Dy prej shkollave që iu nënshtruan procesit të rindërtimit ishin edhe ato 9-vjeçare në Krujë, “Gjon Luka” dhe “Hajdar Hoxha”.

Tabela për Rindërtimin e Objekteve Arsimore, 31 mars 2021

Duke u bazuar në informacionin e tabelës në kantierin e këtyre dy objekteve, nisja e punimeve ishte në qershor 2020, ose 2 muaj para afatit të premtuar nga Rama për përfundimin e rindërtimit.

Po sipas kësaj tabele, përfundimi parashikohej në dhjetor 2020. Faktoje shkoi në terren në fund të marsit ose 3 muaj pas skadimit të afatit zyrtar të projektit, për të verifikuar nëse dy shkollat 9-vjeçare në Krujë ishin përfunduar.

Në shkollën 9-vjeçare “Gjon Luka” në Luz të Krujës konstatuam se punimet nuk kishin mbaruar plotësisht. Një punëtor i pranishëm tha për Faktoje:

“Si godinë shkolla ka përfunduar, për 4-5 ditë përfundon i gjithë procesi, infrastruktura e jashtme dhe pjesa e tualeteve.”

Një nxënëse e klasës së gjashtë të shkollës “Gjon Luka”, objekt që ende nuk është gati për mësim, tregon:

“Nuk na kanë informuar se kur do shkojmë në shkollën e re, ajo nuk është përfunduar plotësisht, ne e bëjmë mësimin tek shkolla“Bakushe Visha” .

Shkolla 9-vjeçare “Gjon Luka”, Luz, Krujë, 31 mars 2021

Shkolla 9 vjeçare “Gjon Luka”, Luz, Krujë, 31 mars 2021

Verifikimin e vazhduam në shkollën tjetër 9-vjeçare të Krujës “Hajdar Hoxha”, ku objekti ishte përfunduar, por ende nuk kishte nisur mësimi në mjediset e reja.

Shkolla 9-vjeçare dhe kopshti “Hajdar Hoxha”, Larush, Krujë, 31 mars 2021

Shkolla 9 vjeçare dhe Kopshti “Hajdar Hoxha”, Larush, Krujë, 31 mars 2021

Faktoje komunikoi me rojën e shkollës 9-vjeçare “Hajdar Hoxha”, i cili na tha:

“Shkolla është e përfunduar, kanë ardhur edhe pajisjet e brendshme, nuk e di pse nuk kanë filluar akoma procesin mësimor, nuk jemi të informuar”.

Nga verifikimi i kryer, konstatuam se të dyja shkollat 9-vjeçare në Krujë, “Gjon Luka” dhe “Hajdar Hoxha” janë ende jo funksionale, pavarësisht zotimeve.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img