.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëBashkia Vlorë: Qytetin e dekorojmë me fonde modeste për fundvit

Bashkia Vlorë: Qytetin e dekorojmë me fonde modeste për fundvit

INVA HASANALIAJ & MERXHAN DACI

Bashkia e Vlorës ka shpenzuar për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit 2017 plot 7,615,380 lekë të reja megjithëse deklaron se për këtë shërbim çdo vit jepen fonde modeste.

“Çdo vit programohen fonde modeste me të cilat realizohet blerja e elementëve të rinj për dekorimin e shesheve kryesore dhe akset kryesore në qendër të qytetit”, deklaronte Bashkia e Vlorës në buxhetin për vitin 2017.

Të dhënat e Agjencisë së Prokurimeve Publike flasin për tre tendera që bashkia e qytetit bregdetar shpalli për të njëjtën punë publike e më pas kontraktoi një kompani me bazë në kryeqytet dhe dy individë.

Bëhet fjalë për:
“Albafire” që ka fituar tenderin me vlerë 6,654,480 milionë lekë
Zyhni Muçaj me 516, 900
Ervin Luzi me 444, 000

Vetëm për vargjet e dritave, Bashkia ka shpenzuar afro 3 milionë lekë të reja.

Kërkimet e bëra nga “Faktoje” tregojnë se nuk është hera e parë që kompania “Albafire” merr përsipër një aktivitet të tillë në Vlorë.

Përmes të dhënave të publikara në APP, shihet se edhe në vitin 2016 “Albafire” ka fituar një tender me vlerë prej 6,893,240 milionë lekë në Vlorë përsëri për dekorin.

Ndërkohë, “Albafire” e cila ka fituar për të dytin vit rresht tenderin e shpallur nga bashkia për dekorimin e qytetit rezulton të merret kryesisht me import-eksport, tregtim dhe prodhim të artikujve piroteknike dhe armëve por ndërkohë ka fituar dy herë tender për dekor.

“Faktoje” konfirmoi nga komunikimi telefonik me Albafire se ajo nuk ofron asnjë shërbim të dekorit.

“Përveç spektakleve piroteknike, pra fishekzjarre, ne nuk ofrojmë asnjë lloj dekori”, u shpreh në komunikimin me telefon “AlbaFire”.

Të njëjtën gjë e konfirmojnë të gjitha faqet e web-eve për bizneset dhe shërbimet në të cilat kompania ka publikuar të dhënat e saj.
Ndërkaq, të pyetur për shpenzimet mbi dekorin, Bashkia Vlorë tregon se janë dhënë vetëm dy tendera, ndërkohë që nga kërkimet e “Faktoje” rezultojnë tre të tillë.

Krahasuar me disa nga bashkitë e vendit, Vlora mban rekordin e shpenzimeve për dekor fundviti.

Duke iu referuar deklaratës së bashkisë për përdorim të fondeve modeste, “Faktoje” e konsideron këtë deklaratë GËNJESHTËR.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img