BallinaFaktometerPa kategoriMinistria e Energjisë: 15 milion Euro për Konviktet e Kampusit Universitar të Tiranës

Ministria e Energjisë: 15 milion Euro për Konviktet e Kampusit Universitar të Tiranës

INVA HASANALIAJ & MERXHAN DACI

Konviktet e Kampusit Universitar të Tiranës pritet të rinovohen në sajë të një projekti i financuar nga qeveria gjermane.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Gjiknuri, Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ahmetaj, ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë Schutz, Kryebashkiaku Veliaj dhe përfaqësuesi i KFW-së firmosën në 19 dhjetor të vitit të shkuar marrëveshjen e re në kuadër të Programit për Rinovimin e Konvikteve në Kampusin Universitar të Tiranës.

“Vlera financiare e dhënë në formë granti nga qeveria gjermane në këtë marrëveshje arrin në 6.5 milion euro ndërsa aktualisht është në fazë zbatimi projekti i mëparshëm në vlerën 9 milion euro”.

Ishte kjo deklarata e Ministrisë së Energjisë pas firmosjes së marrëveshjes.

Sipas ministrisë, këto investime po bëjnë të mundur që studentët të kenë kushte më të mira, por njëkohësisht ndërmarrja në fjalë do të kursejë para nga konsumi i energjisë elektrike.

“Faktoje” u interesua pranë Ambasadës Gjermane në Tiranë për ecurinë e procesit pasi projekti ka nisur në pranverë të vitit të shkuar.

“Për këtë projekt Qeveria Gjermane ka vënë në dispozicion deri tani gjithsej 15,8 milionë Euro. 9 milionë eurot të përmendura nga ministri i Energjisë pasqyrojnë kështu vetëm një pjesë të shumës së përgjithshme. Projekti po zbatohet në dy konvikte studentësh ( Konvikti i studentëve 2: në afërsi të Rrugës së Kavajës, Konvikti i studentëve 1: në afërsi të Rrugës së Elbasanit)”, tha për “Faktoje” Ambasada Gjermane.  

Po ashtu, në përgjigjen e tyre thuhet se projekti do t’u shërbejë 2500 studentëve dhe se ndërtesat po rehabilitohen sipas parimit të eficiencës së energjisë. Në Konviktin e studentëve 2 punimet kanë filluar në prill 2017 dhe për momentin kanë përfunduar dy ndërtesa. Në vitin 2018 do të përfundojnë edhe dy të tjera. 

Në përgjithësi ai do të përfshijë më shumë se 2500 studentë si dhe do të kursejë energjinë në masën 60%. Në Konviktin e studentëve 1, punimet do të fillojnë në vitin 2018”, përfundoi në përgjigjen e saj Ambasada Gjermane.

Në të njëjtën kohë kontaktuam me Ministrinë e Energjisë për të mësuar fazën në të cilën ndodhej projekti. Përgjigja që morëm bie ndesh me informacionin e dhënë nga Ambasada Gjermane.

Sipas ministrisë, programi është në fazën fillestare të krijimit të Strukturës së Menaxhimit për zbatimin e tij.

“Kur projekti të zhvillohet të gjitha procedurat që do të ndiqen do të bëhen publike në shtypin lokal dhe atë ndërkombëtar”, njofton ministria në përgjigjen e saj.

Duke qenë se të dhënat janë kontradiktore por edhe të pamjaftueshme, “Faktoje” e konsideron këtë deklaratë si PA KATEGORI.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img