Një treg modern shumice për produktet bujqësore ishte një nga premtimet e kryebashkiakut të Fierit, Armando Subashi, gjatë fushatës së tij për mandatin e vitit 2023.
“Synojmë që brenda vitit të parë të bëjmë të mundur ndërtimin e një tregu bashkëkohor për tregtimin me shumicë të produkteve bujqësore,” deklaronte Subashi, duke e renditur këtë si një ndër projektet për zhvillimin ekonomik të Fierit.
Por realiteti dy vjet pas këtij zotimi është krejt tjetër.
Në dhjetor të vitit 2023, Faktoje kreu verifikimin e parë në terren, ku konstatoi se punimet për ndërtimin e tregut nuk kishin nisur ende.
Në shkurt të vitit 2025, gjatë prezantimit të raportit të Faktoje mbi transparencën e bashkive, vetë kryebashkiaku Armando Subashi pranoi se ndërtimi i tregut është lënë pezull.
“Sa i përket tregut të shumicës për produktet bujqësore, vlerësuam se kostoja e ndërtimit të tregut, që mund të shkojë deri në 1 milion euro, nuk justifikohet për shkak të mungesës së kërkesës. Fieri sot e ka një treg dhe kemi parashikuar që nga pranvera të testojmë përdorimin e tij edhe si treg shumice” , deklaroi asokohe Armando Subashi.
Në komunikimin zyrtar me Faktoje, Bashkia Fier i qëndroi të njëjtës linjë, duke sqaruar se ekzistenca e tregut ekzistues publik, tregjeve nëpër lagje dhe fshatra, si dhe një tregu privat të grumbullimit të produkteve bujqësore, e kanë bërë “të nevojshëm rivlerësimin e situatës për të marrë një vendim”.
Tregu ekzistues: Bosh dhe jo funksional
Faktoje u rikthye në Fier për të parë nga afër situatën e tregjeve ekzistuese. Në hyrje të unazës së qytetit, në kryqëzimin e rrugëve “Nuredin Aliu” dhe “Aulona”, ndodhet tregu që Bashkia e konsideron si hapësirë për tregtimin me shumicë, që sipas deklaratës së kryebashkiakut do testohej edhe për produkte bujqësore.

Në realitet, ky treg vijon të jetë bosh. Hapësira e madhe, por e zbrazët, pa tregtarë dhe pa blerës, tregon qartë se ai nuk funksionon.

Sipas tregtarëve që Faktoje intervistoi në vendngjarje, mungesa e lëvizjes së mallrave dhe kostot e qirasë e kanë bërë tregun të paqëndrueshëm.
Ky treg, i ngritur në vitin 2016 në bazë të një kontrate midis Bashkisë Fier dhe pronarit të truallit, vazhdon të funksionojë më shumë në letër se në praktikë.
Në vitin 2016, Armando Subashi shpalli tenderin për ndërtimin e tregut publik për produktet bujqësore dhe blegtorale me fond limit 45 974 536 lekë pa TVSH. Fitues i kontratës u shpall ALB-STAR me ofertë prej 45 713 656 lekësh pa TVSH.
Siç thuhet edhe në Vendimin e Këshillit Bashkiak, kontrata e lidhur me pronarin e truallit zgjat 10 vjet dhe Bashkia Fier ka vendosur të paguajë vlerën maksimale që lejohet me ligj, ajo prej 100 lekësh për m2 në muaj.
Prej nëntë vitesh Bashkia Fier paguan 4 milionë e 160 mijë lekë të reja qera në vit për një hapësirë të pashfrytëzuar.
Situata tregon se jo vetëm qytetarët e Fierit paguajnë tashmë për një treg shumice, por ky i fundit nuk funksionon. Tregtarët nuk kanë leverdi të shesin aty, për pasojë nuk ka as blerës dhe gjithsesi tregtarët përfundojnë të shesin produktet e tyre në rrugë.

Ndërkohë bashkia vijon të planifikojë rivlerësim të situatës. I vetmi përfitues i gjithë situatës duket se është pronari i tokës i cili merr qeranë e përmuajshme prej nëntë muajsh.
Nisur nga mungesa e punimeve, deklaratat zyrtare dhe situata e verifikuar në terren, premtimin e kryebashkiakut Armando Subashi për ndërtimin e një tregu bashkëkohor me shumicë në Fier, Faktoje e kategorizon si të pambajtur.