BallinaProjekteRindërtimi dhe pandemia në Shqipëri: Fakte dhe të dhënaDhurimi i vaksinave nga Shqipëria nuk ndodhi, Kosova ia del me ‘forcat e veta’

Dhurimi i vaksinave nga Shqipëria nuk ndodhi, Kosova ia del me ‘forcat e veta’

Premtimi i kryeministrit Rama se do t’i dhuronte Kosovës një sasi vaksinash nuk u përmbush, çka konfirmohet zyrtarisht edhe nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, e cila na informoi me hollësi se nga po i siguron vaksinat. Gjatë këtij verifikimi Faktoje vërejti një ndryshim thelbësor të transparencës nga institucionet e Kosovës dhe atyre të Shqipërisë. Këto të fundit, mbeten prapa jo vetëm për premtimet e pambajtura, por edhe për standardin e ulët të informimit të publikut, kur vjen fjala tek procesi i vaksinimit.


Pak orë para se të bënte vaksinën antiCovid-19, në datën 11/01/2021, duke folur për mediat kryeministri Edi Rama njoftoi se duke nisur nga java në vijim, do t’i dhuronte Kosovës nëse ajo do të ishte gati një sasi vaksinash për mjekët/infermierët e spitalit të Prishtinës të cilët kanë punuar në vijën e parë të luftës ndaj COVID-19.

Çfarë ndodhi 3 javë pas premtimit?

 

Në javën e tretë të janarit e deri në 1 shkurt, Shqipëria nuk mori asnjë sasi dozash vaksine, edhe pse ishte premtuar mbërritja e mbi 10 000 të tillave. Mbrëmjen e 1 shkurtit, mbërriti vetëm 1/10 e dozave të premtuara nga kreministri i cili u detyrua të bëjë hapa prapa për premtimin që i kishte dhënë Kosovës.

Para se zoti Rama të artikulonte këtë ‘tërheqje’ Faktoje kishte komunikuar me zyrën e shtypit të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, e cila konfirmoi se nuk kishte asnjë donacion vaksinash nga shteti shqiptar.

Duke u rikthyer tek deklaratat e zotit Rama, në datën 01/02/2021 ai tha se në pamundësi për dhurimin e vaksinave për Kosovën, (me argumentin e kufizimeve nga marrëveshja me Pfizer)  ftonte 50 mjekë  kosovarë të vinin e të vaksinoheshin në Shqipëri.

Edhe kjo ofertë, duket e panevojshme, pasi në një komunikim të dytë me Ministrinë kosovare të Shëndetësisë mësuam se për vaksinimin e mjekëve të këtij vendi, pritet mbërritja e të paktën 4500-5000 dozave.

 

Ndër të tjera ky institucion na informon me të dhëna zyrtare për sasinë e vaksinave të porositura.“Kosova është në mesin e 92 shteteve të listuara për të marrë 20% të vaksinave për popullatën apo 360 mijë vaksina nga mekanizmi COVAX.

Për 535.000 të tjera ka një dakordësim me kompaninë Pfizer, derisa 600 000 të tjera nga shteti i Austrisë”-thuhet në përgjigjen që kemi marrë nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovë.

Pak orë pas këtij komunikimi COVAX bëri publik  planin e shpërndarjes së vaksinave, përmes të cilit Kosova do të përfitojë menjëherë 100,800 doza nga kontigjenti i parë.

Në vijim të komunikimit me Ministrinë kosovare të Shëndetësisë, arritëm të informohemi në mënyrë të detajuar edhe për garantimin e logjistikës mbështetëse për ruajten e vaksinës Covax.

“Me qëllim të fillimit të procesit, është siguruar zinxhir I ftohtë I ruajtjes, për çka janë siguruar 7 ftohës ultra të kapaciteteve të mëdha që mundësojnë ruajtjen e vaksinave deri në -70 gradë celius.”-i tha Faktojes Ministria e Shëndetësisë në Kosovë.

Edhe në këtë pikë, marrja e informacionit për të njëjtin objekt kërkese nga Kosova  ishte shumë më e lehtë dhe më e shpejtë sesa në Shqipëri

Po zinxhiri ftohës në Shqipëri?

 

Për të mësuar të dhëna me shifra të sakta se sa e përgatitur është Shqipëria për sigurimin e zinxhirit ftohës të përshtatshëm për vaksinën anticovid, është një sfidë më vete.

Në datën 13/01/2021, Kryeministri Edi Rama duke inspektuar depot farmaceutike në mjediset e QSUT-së dhe ISHP-së bashku me Ministren Ogerta Manastirliu  siguroi qytetarët se Shqipëria zotëron kapacitetet e duhura të ruajtjes së vaksinës anti-Covid, por në asnjë rast nuk dha sqarime me shifra.

Publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë

Deklaratë e publikuar në faqën zyrtare të kryeministrisë

Faktoje ka dërguar edhe një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik për të mësuar sesa frigoriferë janë në dispozicion për vaksinat anti-Covid, por ende presim përgjigje.

Faktoje iu drejtua Dr.Silva Binos për të mësuar të dhëna të qarta mbi logjistikën mbështetëse për vaksinat kundër Covid 19.

Sipas zonjës Bino, Shqipëria ka aktualisht 4 frigoriferë, ndërsa janë porositur edhe 4 të tjerë ndër të cilët 3 të mëdhenj dhe një i vogël.

Nga zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini  rrjeti I zinxhir ftohës nuk shpjegohet me numër mjetesh frigoriferike, por me kapacitet për numër dozash.

“Aktualisht kapacitete mbajtëse frigoriferike për -70 dhe -80 janë 250.000 doza. Për vaksinën që ruhet në -20 kapacitete janë 950.000 doza dhe kapacietet në +4 dhe +8 siç mbajmë edhe vaksinat e tjera të kalendarit të imunizimit kemi mundësinë e ruajtjes frigoriferike në 7 milionë doza”. 

 

Në përfundim të këtij verifikimi, Faktoje konstaton, së pari shkeljen e premtimit të kryeministrit Rama për dhurimin e vaksinave për Kosovën dhe së dyti, se ndryshe nga Shqipëria, Kosova mund t’i shërbejë si një shembull për transparencën dhe thjeshtësinë në llogridhënien ndaj publikut.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img