.

.

BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëBanorët në Borje të Kukësit pa rrugë,ujë dhe shpesh pa energji elektrike

Banorët në Borje të Kukësit pa rrugë,ujë dhe shpesh pa energji elektrike

INVA HASANALIAJ & MERXHAN DACI 

Shtatë ditë para zgjedhjeve pa kundërshtarë, në qershor të 2019-s kandidati i Partisë Socialiste dhe tashmë kryetar i Bashkisë Kukës, Safet Gjici shkoi në fshatin Borje. Ai dha disa premtime përpara banorëve të fshatit. Ndër to disa ishin premtime për plotësimin nevojave jetike si furnizimi me ujë, energji elektrike apo rruga. 

Borja, një fshat malor i zonës së Gorës, i përket Njësisë Administrative të Shishtavecit në Kukës dhe ka rreth 900 banorë. Popullsia e Borjes është kryesisht gorane dhe merret me kultivimin e patateve. 

Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion Bashkisë Kukës për të mësuar ecurinë e punimeve apo investimeve që lidhen me premtimet e kryetarit Safet Gjici, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk ka marrë ende përgjigje. 

Rruga për në Borje

Harta e Google Maps tregon se fshati Borje është 1 orë larg me makinë nga Kukësi. Kthesat shquhen qartë nga harta pasi janë të forta. 

Që në fillim të rrugëtimit, e parashikuam se rruga e dëmtuar do të ishte pengesë jo e vogël për udhëtimin. 

Shirat e vjeshtës e kishin përkeqësuar edhe më shumë gjendjen e saj dhe gropat e njëpasnjëshme me ujë, na shoqëruan deri në mbërritje. Kthesa majtas, ku niste rruga për në fshat dhe ndahej nga Shishtaveci, të krijonte idenë e një vendi të humbur mes malesh misterioze dhe rruga e ngushtë dukej se nuk të çonte asgjëkundi. 

Ndeshja me ndonjë makinë tjetër gjatë kësaj rruge, ishte si një ngjarje e rrallë.  

Gjendja e keqe e rrugës vetëm 12 kilometra, dëshmonte se prej kohësh nuk ishte vënë dorë. 

Rrugën më të mirë ne e kemi atë që na lidh me Kosovën, po puna na do edhe të kalojmë në Kukës. Nuk është vënë dorë që nga vitet 90’, atëherë ka pasur një mirmbajtës rruge të caktuar nga shteti. Sot është sikurse e shikoni, pa u hedhur asnjë investim” -u shpreh për Faktoje një nga banorët e fshatit Borje. 

Vështirësia më e madhe në këtë zonë është veçanërisht në sezonin e dimrit. Edhe në strategjinë e zhvillimit të bërë publike nga Bashkia Kukës, Njësia Administrative Shishtavec në të cilën bën pjesë ky fshat, rezulton në listën e njësive që bllokohen mesatarisht 1 javë si pasojë e dëborës.

Probleme me ujë…në majë të malit

Fshati Borje është i pasur me burime uji. Me këtë mburren edhe banorët. Fshati ka edhe një lumë që banorët e quajnë Borska Reka (Lumi i Borjes). Megjithatë kjo nuk mjafton që çdo familje të ketë ujë të pijshëm në shtëpi. 

Sipas banorëve, prej 5 vitesh, uji vjen dy ose tri orë në ditë, por është thuajse i papërdorshëm për shkak të amortizimit të tubacioneve.

Ne kemi një ujësjellës këtu sipër fshatit. Së pari tubacionet që kjo firmë solli ishin të ndryshkura. Janë prej hekuri, jo prej çeliku dhe kanë qenë jashtë standardeve, nuk mbanin presionin e ujit. Pas dy tre ditëve uji filloi të nxirrte llum të kuq nga  ndryshku. Kemi 5 vite që vuajmë nga ky problem”-tha për Faktoje një prej banorëve. 

Lidhjet e paligjshme të ujit, sipas banorëve ishin një tjetër problem për të cilin ata kishin vënë në dijeni bashkinë, por ende nuk ishte dhënë zgjidhje.

Ka shtëpi që harxhojnë 90 metër kub ujë në muaj duke ujitur fasule e patate, ndërsa ne të tjerët nuk kemi ujë të pijshëm”- u ankua  një tjetër banor. 

Problemi i furnizimit me ujë theksohet edhe në Planin e Zhvillimit të Territorit. Edhe pse bashkia e Kukësit ka hapur një tender së fundi  për hartimin e projektit të furnizimit me ujë, ky projekt përfshin vetëm qytetin.

Sa i përket furnizimit me energji elektrike, banorët thonë se e kanë pasur të rregullt, me përjashtim të pak ditëve. Ata shtojnë se nuk kanë pasur ndërpreje të energjisë as në kohën e luftës së Kosovës.

Transporti i fëmijëve 

Transportin për fëmijët gjithmonë e kam kërkuar. Nga ambasada (bullgare) na është sjellë një mikrobuz, por i duhej të plotësote kushtet mbi pagesën në bazë të periudhës apo stinës në të cilën do të përdorej. Në bashki na thanë: Shoferin kush do ta paguajë? Unë bëra një marrëveshje me prindërit si banor, jo si drejtor për të paguar nga 100 lekë , janë mbi 50 veta dhe do të paguhej një rrogë minimale prej 300 mijë lekësh të vjetra  për shoferin. Kjo pagesë duhej bërë nga bashkia, por ajo nuk ka fonde as të paguajë një pastruese për shkollën”.

Kështu e nis rrëfimin ish-drejtori i shkollës 9-vjeçare të Borjes, Nevruz Mehmeti, i cili tregon se vështirësitë për shkollën të cilën ai e drejtonte para pak kohësh, janë më tepër sesa kaq. 

Shkolla e cila këtë vit priti 120 fëmijë, ishte furnizuar nga bashkia vetëm një herë me produkte higjenizuese të cilat, nisur nga situata e COVID-19 nuk duhet të mungojnë asnjëherë. 

Ato produkte që u sollën ishin 5  pako me letra, 4 shishe me dezinfektant dhe një shishe alkool. U mbaruan në më pak se 2 javë, ndaj jam detyruar t’i blej vetë” – i tha Faktojes ish-drejtori i shkollës Nevruz Mehmeti, i cili tani punon aty si mësues i lëndës së Letërsisë.

Kanalizmi i ujërave të zeza dhe vendosja e koshave të mbeturinave

Sipas Nevruzit, i cili na shoqëroi përgjatë vëzhgimit tonë nëpër fshat, problemi i kanalizimit të ujrave të zeza ishte mbyllur më shumë se dhjetë vite më parë. Këtë Faktoje e pa edhe vetë nga vëzhgimi që bëri në fshat. 

Përgjatë rrugëve të fshatit nuk kishte derdhje të tyre dhe çdo kanalizim ishte mbuluar me kapakë.

Nga ana tjetër ajo çfarë i shqetësonte banorët ishte mungesa e shërbimit të pastrimit të mbeturinave,  të cilat ishin kudo përgjatë rrugëve të fshatit. 

Edhe në kohën e komunizmit kemi pasur një punonjës që paguhej vetëm për të pastruar rrugët”- shprehet Mehmeti. 

Kjo problematikë ishte e dukshme jo vetëm brenda fshatit, por që në hyrje të tij ku lugina ishte e mbushur plot me mbeturina të hedhura nga banorët, ndërsa ndërhyrja e bashkisë mungonte aty prej shumë kohësh. 

Edhe pse në faqen zyrtare të Bashkisë Kukës renditet si një tarifë e detyrueshme për t’u paguar për pastrimin dhe mbledhjen e mbeturinave, Faktoje pa se të paktën prej një viti në atë zonë nuk kishte pasur asnjë aktivitet të tillë.

Gjatë verifikimit në terren dhe informacionit të grumbulluar, Faktoje bëri këtë kategorizim për premtimet: 

  • Uji- I pambajtur
  • Rruga- I pambajtur
  • Pastrimi i mbeturinave- I pambajtur
  • Kanalizimet & Energjia- Pa kategorizim (Nuk ka probleme të mëdha)

 

* Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend, dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna  nga kryebashkiakët.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img