Disa qendra shëndetësore në fshatrat e Njësisë Administrative Kashar nuk kanë kapacitetet e nevojshme për të ofruar shërbim mjekësor për qindra banorë të zonës. Ata dëshmojnë se në asnjë prej këtyre qendrave nuk u ofrua vaksinimi kundër Covid-19 dhe se udhëtojnë për në në Yzberisht apo Yrshek për t’u vaksinuar apo për të marrë shërbimet e tjera mjekësore. Në mandatin e kaluar, qeveria u zotua se do rehabilitonte 300 qendra shëndetësore në vend, por nga verifikimi rezulton se një pjesë e tyre janë jo funksionale.
———————————————————————————-
Në prill të vitit 2018, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastriliu njoftoi se qeveria kishte nisur programin kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore.
“Kemi nisur programin kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore në këtë mandat qeverisës, në mënyrë që shërbimi për qytetarët të jetë me të njëjtin standart nga veriu në jug”, theksonte asokohe ministrja Manastirliu.
Në një përgjigje zyrtare për Faktoje në muajin qershor, Njësia Administrative Kashar adresonte disa nga problematikat që kishin ndikuar në procesin e vaksinimit anti-Covid.
“Mungesa e qendrës shëndetësore në Kus, kjo problematikë shfaqej nga qytetarët si një ndër arsyet mbi mospasjen e duhur të informacionit mbi vaksinimin, si dhe sipas tyre vështirësonte përditshmërinë e tyre në aspektin shëndetësor. Përsa i përket takimit në fshatin Katund i Ri, nisur nga takimi me banorët e këtij fshati qendra shëndetësore nuk është në kushte të përshtatshme për ta”, thuhet në përgjigjen e njësisë administrative Kashar që mban datën 9 qershor 2022.
Përgjigjia e njësisë administrative Kashar, 9 qershor 2022
Nisur nga kjo përgjigje, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim në terren në disa prej fshatrave të Kasharit. Më 15 qershor udhëtuam drejt fshatrave Katund i ri, Kus dhe Mazrek.
Fshati Katund i Ri
Në fshatin Katund i Ri, sipas banorëve qendra shëndetësore funksionon vetëm pasdite, pas orës 14:00. Me mungesa të theksuara në infrastrukturë, ajo nuk ofron shërbime të mirëfillta për trajtim shëndetësor.
“Çfarë kushtesh ka këtu?! Ato akoma nuk kanë ardhur, vijnë vetëm pasdite, e kanë kthyer si në privat. Nuk duan t’ia dinë, ka njeri hall apo jo. Qendra ka vetëm dy veta staf, një mjeke dhe një infermiere, njëra vjen nga Tirana, tjetra është këtu nga Kashari. Ato vijnë çdo ditë, por e nisin punën pasdite, në orën 2-3 dhe ikin në orën 7. Njerëzit kanë halle edhe paradite, jo një gjilpërë, jo një dhimbje barku, duhet të shkojmë në Tiranë”, tregon një 45-vjeçar, banor i zonës.
Hyrja e qendrës shëndetësore Katund i Ri, 15 qershor 2022
Banorët tregojnë se vaksinat kundër Covid-19 i kanë bërë në Yzberisht, pasi kjo qendër nuk i kishte kapacitetet për ta ofruar këtë shërbim.
“Janë pasdite, sepse doktoresha është në specializim. Vaksinat gjatë pandemisë i kemi bërë në Yzberisht”, thotë një zonjë rreth të 60-ve.
Gjatë verifikimit në terren konstatuam se Qendra Shëndetësore “Katund i Ri” është e futur thellë në një rrugicë dhe është e pamundur që të futet ambulanca në rast nevoje.
“Unë si qytetar, nëse dua të sjell mamin aty, nuk e ze, aq e ngushtë është hyrja e ambulancës. Zakonisht ato vetëm të japin rekomandime për ta dërguar pacientin diku tjetër, të japin një letër. Nuk është se bëjnë shërbime. Ambulanca në Yrshek është më mirë se kjo. Le që mjekët këtu janë vetëm pasdite, çfarë kemi urgjenca e gjëra i nisim direkt drejt Tiranës”, shprehet një 20-vjeçar.
Qendra shëndetësore Katund i Ri, 15 qershor 2022
Fshati Kus pa qendër shëndetësore
Banorët e fshatit Kus tregojnë për Faktoje se nuk kanë një qendër shëndetësore. Më parë ata shkonin për të marrë shërbim në fshatin Mazrek, por edhe aty qendra shëndetësore ka dalë jashtë funksionit.
“Qendrën shëndetësore që kemi në Mazrek e kemi kot, se nuk ka doktoreshë. Vjen njëherë në javë infermierja, se mjeku nuk vjen fare. Aty ndonjë gjilpërë bënim dikur, asgjë tjetër. Ne shkojmë në Yrshek për të marrë shërbim shëndetësor. Gjatë pandemisë kemi shkuar në Yrshek, për vaksinim dhe gjithçka, andej kemi mbaruar punë”, tregon një i moshuar, banor i fshatit Kus.
Fshati Kus, 15 qershor 2022
Fshati Mazrek
Faktoje shkoi edhe në fshatin Mazrek për të parë qendrën shëndetësore që duhet t’u shërbente të paktën 300 banorëve të dy fshatrave, Kus dhe Mazrek.
“Ambulanca nuk funksionon fare, ne shkojmë në Kashar. Qëkur ka rënë Covidi doktoresha nuk ka ardhur fare, e kanë heq nga këtu. Infermierja është me ditë, kur t’i qëllojnë ditët për të ardhur këtu, sepse shkon edhe në fshatra të tjera.
Këtu ka banorë sa të duash, por nuk na e ka vënë veshin njeri. E kemi ngrit shumë herë si problem”, shpreh shqetësimin një banore e moshuar.
Qendra shëndetësore në fshatin Mazrek, 15 qershor 2022
Më tej ajo shton: “Detyrohemi ngremë fëmijën kur e kemi sëmurë, në dimër, në verë në mes të vapës dhe në këmbë e çojmë në Kashar. Kur e kemi urgjente detyrohemi marrim taksi dhe i çojmë.
Nuk kemi as ku të bëjmë gjilpëra, jo më gjëra të tjera. Kur kemi për të bërë gjilpëra shkojmë dy herë në ditë në Kashar. Kush ka makinë përpiqet të na ndhmojë dhe ne të tjerëve që nuk kemi. Ka dalë jashtë funksionit ambulanca e Mazrekës na kanë thënë, jemi në siklet. Ne jemi në mëshirë të Zotit këtu”.
Qendra shëndetësore në fshatin Mazrek, 15 qershor 2022
Pas evidentimit të problematikave në terren, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku i renditëm të gjitha shqetësimet e ngritura nga banorët.
Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, 16 qershor 2022
Ne morëm një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë më 30 qershor, ku theksohet se në qendrën shëndetësore të fshatrave Kus dhe Mazrekë mjeku i përgjithshëm i familjes shërben 1 ditë në javë dhe infermierja 3 ditë në javë.
“Qendrat Shëndetësore në fshatin Kus, Mazrek, Katund i Ri të Njësisë Administrative Kashar u shërbejnë respektivisht 420 banorëve në fshatin Kus, 800 banorëve (pjesë e 2940 banorëve në total) në fshatin Mazrek dhe 3624 banorëve në fshatin Katund i Ri.
Këto qendra shëndetësore janë funksionale.
Lidhur me pyetjet tuaja për funksionimin me kohë të plotë sqarojmë se në Qendrën Shëndetësore të Fshatit Kus dhe Mazrek 1 ditë në javë shërben Mjeku i Përgjithshëm i Familjes dhe 3 ditë ofrohet shërbim infermieror nga infermieri banor i zonës.
Për sa i përket pyetjeve tuaja lidhur me mungesë të stafit mjekësor në Qendrën Shëndetësore të fshatit Mazrek dhe Katund i Ri informojmë se nuk ka mungesë të tij”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë.
Edhe pse një premtim i mandatit të kaluar qeverisës, verifikimet e Faktoje në disa zona kanë konstatuar se në disa qendra shëndetësore, edhe në rastet kur janë rinovuar, mungon shërbimi mjekësor dhe kushtet për ta ofruar atë.