Nga Klodiana Kapo
Në dy javët e fundit të protestave studentore, vendi është përballur me një valë shqetësuese dezinformimi në mediat tradicionale dhe rrjete sociale. Në një klimë të tensionuar, ku emocionet janë të larta dhe besimi publik vihet në provë, lajmet e rreme dhe gjysmë të vërtetat janë përdorur si mjete për të nxitur frikë dhe përçarje.
Ekipi ynë ka hedhur më shumë dritë mbi informacionet e pabaza për ushtarë serbë që janë rekrutuar nën uniformat e policëve që ndodhen këto ditë nën sulmet e molotovëve, por edhe lajmet për civilë që rrëmbejnë studentë nga konviktet e vajzave të qytetit Studenti. Lajme që hidhen në hapësirën e pafundme të internetit nga profile për t’u amplifikuar nga portalet që kanë për qëllim rritjen e klikimeve të tyre pa menduar për natën e pagjumë të prindërve të shqetësuar për vajzat e tyre studente.
I njëjti verifikim i kujdesshëm i Faktoje ka rrëzuar pretendimet e pabaza për përdorimin e armëve të zjarrit gjatë protestave, viktimat e paqëna mes të rinjve, apo edhe rekrutimin e ushtarëve izraelitë nga qeveria për të shtypur revoltat. Informacione që synojnë të nxisin urrejtje në turmë në këto ditë të nxehta nga tymi i molotovëve dhe plagëve të plumbave të gomës të qëlluara nga policia.
Prej më shumë se pesë vitesh, Faktoje lufton dezinformimin në platformat digjitale dhe në hapësirën publike. Kjo punë ka prekur shpesh interesa të atyre që përfitojnë nga përhapja e informacionit të rremë të brendshëm dhe të huaj. Prandaj nuk është hera e parë që përballemi me sulme, etiketime apo tentativa për të vënë në dyshim integritetin tonë profesional.
Dje, një prej këtyre sulmeve hakmarrëse erdhi nga Gazeta Tema, nën një shkrim pa emër, që synon të baltosë nën stilin e politikës së vjetër punën e Faktoje.
Pas akuzave për përkatësinë time politike, shkrimi i “Tema” synon të përdorë bilancet financiare të publikuara nga vetë organizata si pjesë e standarteve ndërkombëtare të transparencës, duke aluduar për një keqpërdorim të fondeve të donatorëve. (I përsëritur)
Ky nuk është një debat mbi faktet. Është një përpjekje e njohur për të delegjitimuar verifikuesin kur faktet nuk i shërbejnë narrativës së dëshiruar.
E gjitha kjo hedhje balte ndaj Faktojes dhe meje personalisht erdhi si hakmarrje për verifikimin e një artikulli të publikuar nga Gazeta “Tema”, i cili aludonte organizimin e autobusëve me protestues në 21 tetor nga Lëvizja “Vetëvendosje” në Kosovë me qëllim mbështetjen e protestave të studentëve në Tiranë.
Verifikimi i një stafi të posaçëm në Faktoje të trajnuar nga META zbuloi se lajmi nuk ishte i saktë, duke qartësuar një narrativë që ngjall përcarje të panevojshme ndaj shqiptarëve në Tiranë dhe Prishtinë. Në vend të korigjimit të këtij lajmi, sipas procedurës së standartizuar nga META, kolegët e Tema zgjodhën të gjejnë fajin tek lidhjet e pretenduara politike të miat me lëvizjen “Bashkë” apo “Vetëvendosje”.
Në respekt të publikut, jemi të detyruar të sqarojmë se Faktoje nuk angazhohet në aktivitete politike dhe nuk financohet nga reklamat e bizneseve. Ky si një kusht i rëndësishëm për të siguruar pavarësinë e duhur në verifikimin e fakteve. Si rrjedhojë, ashtu si në të gjitha agjencitë simotra të verifikimit të fakteve në botë, financimi i Faktoje mundësohet nga donatorë që mbështesin gazetarinë e pavarur, edukimin mediatik dhe luftën kundër dezinformimit. Organizata jonë funksionon mbi standarde ndërkombëtare transparence dhe integriteti, të cilat kontrollohen nga rrjetet më të rëndësishme ndërkombëtare dhe europiane të fact-checking.
Metodologjia jonë është publike. Kriteret tona janë publike. Burimet tona të financimit janë publike. Pikërisht transparenca që ne praktikojmë çdo ditë po përdoret sot si armë nga ata që do të donin ta zëvendësonin debatin mbi faktet me sulme personale.
Në fund, kjo nuk është çështje e Faktoje-s. Është çështje e standardeve që duam për hapësirën publike shqiptare. Ne do vijojmë të pacënuar punën tonë në shërbim të së vërtetës. Cdo sulm është një medalje nderi në sytë e publikut dhe motivim i mëtejshëm që jemi në rrugën e duhur.






