Paketa e masave ndaj protestave, KE për Faktoje: S’kemi qenë të përfshirë, do monitorojmë të drejtat themelore  

KE deklaroi se nuk ka qenë i përfshirë në hartimin e paketës ligjore të propozuar nga Rama kundër dhunës në protesta, duke theksuar se do të monitorojë me kujdes respektimin e të drejtave themelore.

31

Nga Jona Cenameri

Paketa ligjore e propozuar nga qeveria pas protestave të fundit në Tiranë u prezantua nga kryeministri Edi Rama si një përgjigje ndaj dhunës në protesta, por edhe si një nismë e mbështetur në praktika dhe standarde europiane.

Paketa e re kundër dhunës dhe anarkisë urbane

Paketa përfshin gjashtë grupe masash: dëmshpërblimin e bizneseve të dëmtuara; një ligj të ri për rikuperimin e dëmeve nga personat përgjegjës; ndryshime në ligjin “Për tubimet”; krijimin e një Regjistri të Posaçëm Elektronik për persona të referuar ose nën hetim për vepra kundër rendit dhe sigurisë publike; ndryshime në Kodin e Etikës së mësuesve dhe ndërhyrje në Kodin Penal.

Masat parashikojnë, mes të tjerash, gjoba për pjesëmarrjen në tubime të dhunshme, kufizime të përkohshme të tubimeve pranë institucioneve të caktuara, masa ndaj thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale, kriminalizimin në rrethana të caktuara të fshehjes së fytyrës gjatë protestave, si dhe dispozita të reja për nxitjen e dhunës, kanosjen dhe përndjekjen online.

Rama: ekspertë europianë, modele franceze dhe italiane

Në prezantimin e paketës, Rama deklaroi se qeveria kishte punuar “në bashkëpunim me ekspertë europianë”, si dhe “në koordinim të ngushtë me partnerët italianë e francezë”, duke u mbështetur në modele të aplikuara prej tyre dhe në jurisprudencën europiane.

Ai tha gjithashtu se çdo masë e propozuar ishte përputhur me nenin 11 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut dhe udhëzimet e Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it për lirinë e tubimit paqësor.

Referencat ndaj Europës vijojnë edhe në argumentimin e masave konkrete.

Sipas Ramës, sanksionet ekzistuese në Shqipëri janë “simbolike” krahasuar me ato që kanë marrë “vendet e tjera europiane”, ndërsa disa nga veprat e propozuara në Kodin Penal janë hartuar sipas “normave të reja europiane”.

Për fshehjen e identitetit gjatë protestave, Rama tha se masa e propozuar do të ishte “identike me atë të 27 vendeve europiane”, duke përmendur modelin francez.

Franca përmendet edhe si referencë për parimin “Kush thyen, paguan”, ndërsa për ndryshimet në Kodin Penal Rama tha se ato ndjekin “praktikat më të mira të vendeve të BE-së, posaçërisht të Francës dhe Italisë” dhe mbështeten në jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Kryeministri e lidhi paketën edhe drejtpërdrejt me Bashkimin Europian, duke deklaruar se në asnjë vend demokratik të BE-së nuk tolerohet që ushtrimi i lirisë së protestës t’u mohojë qytetarëve të tjerë lirinë e lëvizjes.

Komisioni Europian: Nuk kemi qenë të përfshirë

Faktoje iu drejtua Komisionit Europian për të pyetur mbi paketën e paralajmëruar nga qeveria shqiptare, a janë në dijeni për masat, a janë konsultuar me ta dhe cili do të ishte komenti i tyre

Në përgjigjen zyrtare për Faktoje, nga një zëdhënës i Komisionit Europian, Brukseli bëri të qartë se institucionet e BE-së nuk kanë marrë pjesë në hartimin e propozimit.

“Ne jemi në dijeni të njoftimit të Kryeministrit Rama për një paketë legjislative që synon t’i përgjigjet dhunës gjatë protestave. As Komisioni dhe as Delegacioni i BE-së në Shqipëri nuk kanë qenë të përfshirë në përgatitjen e propozimit, i cili nuk është bërë publik”, tha një zëdhënës i Komisionit Europian për Faktoje.

Komisioni shtoi se do të vijojë ta ndjekë çështjen në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

“BE-ja do të vazhdojë të monitorojë nga afër angazhimin e Shqipërisë ndaj shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së të drejtave themelore, përfshirë lirinë e shprehjes dhe lirinë e tubimit, në kontekstin e negociatave të anëtarësimit”, thuhet në përgjigje.

Faktoje pyeti edhe Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut

Rama iu referua disa herë jurisprudencës së Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Gjykatës së Strasburgut si bazë për masat e propozuara.

Faktoje iu drejtua edhe GJEDNJ-së për të kërkuar një qëndrim lidhur me referencat e bëra nga kryeministri dhe standardet që zbatohen për kufizimet e lirisë së tubimit.

Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, Faktoje nuk ka marrë një përgjigje nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.

Artikulli paraprakA do ta zbrazin sheshin masat e reja të Ramës?
Artikulli tjetërBaltosja nga dezinformuesit e politikës së vjetër
Jona Cenameri
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.