.

.

BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingBalluku: Në fund të shtatorit 2021 dorëzojmë gjithë kantierin e segmentit te lotit 3 Porto Romano-Durrës

Balluku: Në fund të shtatorit 2021 dorëzojmë gjithë kantierin e segmentit te lotit 3 Porto Romano-Durrës

Më 12 Maj 2021, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku deklaroi se në fund të shtatorit të po atij viti do të përfundonte Loti i 3 i rrugës së Porto Romano-Durrës, me vlerë rreth 1.5 miliardë lekë, një vepër e rëndësishme për zhvillimin e gjithë zonës përreth. Nga një verifikim i Faktoje në fund të muajit dhjetor 2021, ose tre muaj pas skadimit të afatit rezulton se segmenti i Lotit 3 nuk ka përfunduar.


“Do të ruajmë afatin kontraktual, në javën e fundit të shtatorit të këtij viti, ne sipas kontratës duhet të dorëzojmë të gjithë kantierin dhe gjithë segmentin rrugor.”-tha ministrja Balluku më 12 maj, gjatë inspektimit të segmentit në Lotin 3 të rrugës Porto Romano-Durrës. Video me këtë zotim të misinstres u publikua edhe nga kryeministri Rama në rrjetet sociale.

Në muajin dhjetor 2021, kur kishin kaluar 3 muaj pas përfundimit të afatit, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Infrastrukturës, mbi përfundimin e Lotit 3 në Porto-Romano.

Kërkesa dërguar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, 17 dhjetor 2021

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk na ktheu përgjigje, por ia delegoi kërkesën Autoritetit Rrugor Shqiptar.

ARRSH na ktheu një përgjigje kontradiktore, ku në fillim sqarohet se Loti 3 ka përfunduar në 1 shtator 2021 dhe më poshtë sqaron se në fillim të dhjetorit është lidhur kontratë për vazhdimin e punimeve me të njëjtin objekt në Lotin 3.

 “Rruga Porto Romano Durrës është e ndarë në disa lote për shkak të zhvillimeve industriale që ka pësuar kjo zonë gjatë viteve të fundit. Punimet e objektit Ndërtim Rruga Porto Romano Durrës, Loti 3 kanë përfunduar më datë 01.09.2021. Më datë 2 dhjetor të këtij viti është lidhur kontrata dhe kanë filluar punimet për objektin Ndërtim Rruga Porto Romano Durrës, Loti 3 (vazhdimi)” në të cilën përfshihen punime të mbetura nga pjesa e parë e ndërtimit të këtij objekti si dhe punime të mbetura të Lotit 1 dhe Lotit 2 të këtij segmenti rrugor. Përfundimi i këtij loti është data 17.11.2021. Vlera e objektit  “Ndërtim Rruga Porto Romano Durrës, Loti 3 (vazhdimi)” është 1,411,112,434.08 Lekë (me TVSH).

Përgjigjja e Autoritetit Rrugor Shqiptar, 28 dhjetor 2021

Sipas përgjigjes së ARRSH punimet për lotin 3 kanë përfunduar 1 muaj para afatit të vendosur nga ministrja Balluku, por kjo përgjigje bie në kundërshtim me vetë deklaratën e Ministres në 9 nëntor 2021, teksa prezantonte projektbuxhetin e vitit 2022 në Komisonin e Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit.

Projektet që përfundojnë gjatë vitit 2021, mund t’i përmend të gjitha, por ndoshta do të merrja kohë, megjithatë unë po nis. Ndërtimi i segmentit të Lotit të 3 në Porto Romano”- u shpreh ndër të tjera ministrja Balluku.

Faktoje ishte në terren më datë 29 dhjetor, ku konstatoi se punimet për Lotin 3 po vazhdonin dhe pse segmenti ishte i shtruar me asfalt. Ndërkohë makineritë e rënda dhe punëtorët i gjetëm në terren.

Foto nga punimet në Lotin 3 Porto-Romano, datë 29 dhjetor 2021

 

Punime në Lotin 3 në Porto Romano, 29 dhjetor 2021

Makineri të tonazhit të rëndë në Porto Romano, 29 dhjetor 2021

Nisur nga verifikimi në terren dhe informacioni i grumbulluar, vendosëm që deklaratën e Ministres Balluku për përfundimin e punimeve për Lotin 3 dhe dorëzimin e kantierit në fund të shtatorit 2021, ta kategorizojmë të Pavërtetë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img