Avioni i mbuluar nga gricat në Mynih nuk ka lidhje me Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP28) që u mbajt në Dubai. Faktoje sjell të dhënat që tregojnë se pamjet i përkasin një tjetër avioni, të parkuar aty që prej mesit të nëntorit.
Një video e shpërndarë në rrjetet sociale në vendin tonë tregon një avion të mbuluar nga bora në aeroportin në Mynih, ndërsa në tekstin shoqërues thuhet ndër të tjera se avioni ishte bërë gati për t’u nisur në konferencën e ngrohjes globale në Dubai.
“Ngrohja globale…Avioni ishte në Mynih gati për t’u nisur për në konferencën e ngrohjes globale në Dubai. E bukura, pista në Gjermaninë jugore fjalë për fjalë ngriu për shkak të reshjeve të mëdha të borës”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale duke ironizuar debatin për rritjen e temperaturave.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Në video duket avioni në pistë, i mbuluar nga dëbora. Rrotat e pasme i ka në tokë, ndërsa kabina duket teksa qëndron në ajër. Por, si është e vërteta e këtyre pamjeve?
Në tekstin shoqërues të videos përdoruesit në rrjetet sociale i referohen Konferencës së 28-të të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP28) e organizuar në Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe, nga 30 nëntori deri më 12 dhjetor 2023.
Nëpërmjet mjeteve të verifikimit të fotove, konstatuam se pamjet i përkasin 3 dhjetorit të këtij viti. Mirëpo, sipas verifikimit të bërë nga koleget gjermanë të “Correctiv” pamjet tregojnë një avion ‘Cessna Citation X’ në pronësi të linjës ajrore austriake “Bairline”.
E kontaktuar nga kontrolluesit e fakteve, kompania austriake konfirmoi se avioni që shfaqet në imazhet që po qarkullojnë, tregon avionin e saj të anuar në aeroportin e Mynihut për shkak të peshës së borës në bisht. Në ditët e para të dhjetorit 2023, në Gjermaninë jugore ranë reshje të dendura bore.
Kompania saktësoi gjithashtu se avioni nuk po nisej, por ishte një avion që kishte kohë që ishte parkuar në aeroportin e Mynihut. Gjithashtu, një zëdhënës i aeroportit gjerman konfirmoi për “Correctiv” se avioni ishte parkuar atje për një kohë dhe informoi se fluturimi i tij i fundit ishte nga Belgjika në Mynih në mes të nëntorit.
Artikulli është verifikuar edhe nga kolegët e “Facta.news”, të cilët konstatuan se ky nuk është një avion i COP28 i bllokuar në Gjermani për shkak të ngricave.
Liderët botërorë kanë theksuar shpesh nevojën për të kufizuar ngrohjen globale. Parandalimi i ngrohjes globale kërkon pothuajse përgjysmimin e emetimeve globale të dioksidid të karbonit (CO2) deri në vitin 2030 nga nivelet e vitit 2010 dhe uljen e emetimeve në zero deri në vitin 2050. Stuhitë dhe moti ekstrem, ashtu si rreshjet e dendura të borës që paralizuan Mynihun në ditët e para të dhjetorit, janë pikërisht shfaqje të ngrohjes globale.