Autobusi që udhëtonte nga Kosova për në Gjermani nuk u sulmua me gurë nga huliganët serbë në Nish. Sipas pronarit të kompanisë së transportit, udhëtimi i autobusit u ndërpre kur një shpend u përplas me xhamin e përparmë.

——————————————————–

Një numër portalesh shqipfolës kanë raportuar më 5 janar 2024 se një autobus i “Polluzha Tours” i cili po udhëtonte nga Kosova drejt Gjermanisë është sulmuar nga huliganët serbë.

Artikulli i portalit shqip.com

Artikulli i portalit reporteri.net

Artikulli i portalit ballkani.info

Duket se burimi i këtij lajmi është një artikull i Klan Kosova, i cili pretendonte se “autobusi kosovar është sulmuar afër Nishit” bazuar në dëshminë e një udhëtari të autobusit.

Megjithatë, po më 5 janar 2024, Klan Kosova ka botuar një artikull tjetër, ku sqarohet se autobusi nuk është sulmuar nga serbët, por është goditur duke ecur nga një shpend.

“S’bëhet fjalë për sulm. Gjatë kalimit nëpër autostradë, xhamin e autobusit e ka goditur një shpend, zog apo hut”, tha njëri prej pronarëve të kompanisë “Polluzha Tours” për Klan Kosova. “Pas dëmtimit të xhamit autobusi nuk i plotëson kushtet për të vazhduar tutje. Tash jemi rrugës me autobusin tjetër për t’i marrë udhëtarët dhe dërguar në destinacion.”

Përkundër këtij sqarimi disa prej portaleve shqiptare vijojnë të mos e korigjojnë lajmin e sulmit me gurë. 

Lajmi se autobusi kosovar është sulmuar nga huliganë serbë në Nish është përgënjeshtruar edhe nga kolegët e Sbunker.