BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookPërleshja me policinë pas festimeve të Vitit të Ri dhe jo alienët trazuan Miamin

Përleshja me policinë pas festimeve të Vitit të Ri dhe jo alienët trazuan Miamin

Në Miami nuk janë shfaqur alienë siç pretendohet në videon dhe postimin e ndarë në portale. Faktoje verifikoi se video tregon një përplasje të policisë me një grup të rinjsh gjatë festimeve të vitit të ri

Dita e parë e vitit 2024 e ka gjetur policinë e Miamit në ShBA në një ndërhyrje masive pranë qendrës tregtare Bayside Marketplace. Pamjet ajrore të dhjetra makinave dhe sirenave të policisë janë ndarë në portalin shqiptar Fakt Neës në 5 janar nën pretendimin se shfaqin përballjen e policisë me një krijesë të çuditshme.

Video shoqërohet me titullin: “Alienët zbresin në Miami!”

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Ne vendosëm të verifikojmë këto pretendime, fillimisht duke iu referuar informacioneve nga mediat ndërkombëtare.

Nga kërkimet, shihet se këto pretendime janë verifikuar edhe nga kolegët e “USA Today”. Sipas mediave amerikane, Rafael Horta, një zëdhënës i policisë së Majemit tha se pretendimi se video tregon alienët në qendrën tregtare është i rremë.

“Në fakt është thjesht një person që ecën dhe hija”, tha Horta në një video në Instagram që mban datë 5 janar, të postuar nga Departamenti i Policisë së Miamit.

“Unë mund t’u konfirmoj të gjithëve këtu sot, që nuk ka të huaj në Miami në Bayside Marketplace, për momentin”, shtoi më tej ai.

Horta theksoi se policia kishte shkruar në qendrën tregtare më 1 janar, në përgjigje të një grupi prej rreth 50 të miturish që kishin qëlluar me fishekzjarre ndaj njerëzve. Sipas raportimeve, oficerët patën vështirësi për të vënë nën kontroll grupin dhe bënë thirrje për përforcime në mbarë qytetin, duke shtuar prani të konsiderueshme të policisë.

Michael Vega, një zëdhënës tjetër i policisë, tha për “CBS News Miami” se nuk kishte alienë, mbyllje aeroportesh apo ndërprerje të energjisë elektrike të lidhura me ngjarjet në qendrën tregtare.

Miami Herald raportoi se katër adoleshentë u arrestuan si rezultat i incidentit, i cili përfshinte hedhje fishekzjarresh, trazira dhe përleshje.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img