Gjatë fushatës zgjedhore të 2023, kreu i Bashkisë Elbasan Gledjan Llatja prezantoi planin e tij për zhvillimin e bujqësisë. Ndër të tjera, kryebashkiaku që po kërkonte mandatin e dytë premtoi ndërtimin e pikave të grumbullimit të prodhimit bujqësor në Shushicë, Bradashesh, dhe Gjergjan.
Dy vite më vonë, ky premtim vijon të mbetet i pambajtur.
Në përgjigje të kërkesës për informacion dërguar nga Faktoje në Korrik 2025 ku kërkonim përditësim mbi premtimin e kreut të saj, Bashkia Elbasan na udhëzoi të kërkonim informacionin “tek regjistri i kërkesave për vitin 2024 në Webin e Bashkisë Elbasan, pasi kjo është një kërkesë e ripërsëritur disa herë nga ana juaj”
Në përgjigjen e vitit 2024, Bashkia Elbasan na kishte dërguar të dhëna mbi “gjendjen aktuale të agropërpunimit” duke radhitur numrin e pikave të grumbullimit dhe punishteve dhe duke pohuar se “ky sektor duhet të zgjerohet dhe të fuqizohet sepse tërheq prodhimet bujqësore e blegtorale”
Megjithatë, Bashkia nuk i ishte përgjigjur pyetjeve që kishin të bënin direkt me fuqizimin e këtij sektori të rëndësishëm, konkretisht kur dhe si do të krijohen pikat e grumbullimit në Bradashesh, Gjergjan dhe Shushicë, siç premtoi Llatja.
Ndërkaq, në një përgjigje të vitit 2023, Bashkia Elbasan na kishte thënë se “është menduar që të ngrihet një pikë grumbullimi për frutat në njësinë administrative Shushicë në vendin e quajtur ish-qendra e rezervave të Shtetit”
Ky është i vetmi detaj konkret i dhënë nga Bashkia Elbasan në 3 vite sa i përket premtimit të Llatjas për pikat e grumbullimit në 3 fshatra.
Kështu Faktoje, për të tretin vit radhazi, u nis për tek ish-Rezervat e Shtetit në Shushicë për të verifikuar në terren premtimin e kryebashkiakut.
Në Tetor, rrugës për në Shushicë, pemët e kopshteve nga të dyja anët e rrugës përkulen nga shegët dhe rrushi. Buzë rrugës, vendas të moshuar shesin prodhimet e bahçes pavarësisht shiut.

Elbasan, 24 tetor 2023
Ndërkaq, në Qendrën e Rezervave të Shtetit në Shushicë, ashtu si një vit më parë, nuk dukej se kishte filluar puna për ta transformuar atë në një pikë grumbullimi bujqësore.

Qendra e Rezervave të Shtetit, Shushicë, Elbasan, 6 tetor 2025
Për momentin, Qendra duket se po shërben si pikë grumbullimi skrapi, mbushur me motomjete dhe automjete të prishura stivuar në kapica.

Qendra e Rezervave të Shtetit, Shushicë, Elbasan, 6 tetor 2025
Banorët e fshatrave Shushicë, Bradashesh dhe Gjergjan pohuan për Faktoje se ndërtimi i pikave të grumbullimit do të ishte i volitshëm për ta.
Në mungesë të këtyre pikave, ata detyrohen të shesin në buzë të rrugës ose t’i dërgojnë prodhimet për t’i shitur në Elbasan, me shpenzimet e tyre. Disa prej tyre pranuan se i tregtojnë prodhimet me humbje, vetëm që të mos përfundojnë duke i hedhur poshtë.
Kështu, për të tretin vit radhazi, premtimi zgjedhor i kryebashkiakut të Elbasanit mbetet i pambajtur.
Faktoje.al, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), monitoron 10 bashki në vend, duke verifikuar nëse premtimet e kryebashkiakëve po mbahen apo jo.