Pretendimi: Pas përditësimit të ri të aplikacionit, nëse i lini mesazhet “seen” në WhatsApp do të gjobiteni
Verdikti: E pavërtetë
——————————————
Pas përditësimit të fundit të aplikacionit të mesazheve WhatsApp, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, qarkullon lajmi sensacionalist se “nëse i lini mesazhet “seen” në WhatsApp do të gjobiteni.”

Megjithatë, përdoruesit e aplikacionit nuk duhet të shqetësohen ende.
Ky lajm nuk është i vërtetë. Ai duket se është një keqinterpretim i një politike që synon të kufizojë mesazhet e njëpasnjëshme të padëshiruara (spam).
WhatsApp, platforma më e përdorur e mesazheve në botë, përballet me një sfidë të vazhdueshme kundër spam.
Aplikacioni i mesazheve po teston kufizime mujore për numrin e mesazheve që përdoruesit dhe bizneset mund t’u dërgojnë kontakteve të panjohura pa marrë përgjigje.
Testi do të numërojë çdo mesazh të dërguar te një kontakt që nuk është përgjigjur. Nëse dikush përgjigjet, mesazhet e mëparshme nuk llogariten më drejt kufirit. WhatsApp do të shfaqë një njoftim kur një person ose biznes i afrohet limitit, duke shpjeguar se sa mesazhe i mbeten për muajin. Pasi të arrihet limiti, llogaria do të bllokohet përkohësisht nga dërgimi i mesazheve të mëtejshme te kontaktet që nuk përgjigjen për pjesën e mbetur të muajit.
WhatsApp nuk ka thënë se cili do të jetë limiti, pasi po teston limite të ndryshme gjatë kësaj kohe.
Meta i tha TechCrunch se testi do të zbatohet në shumë vende në javët në vijim, duke garantuar se “përdoruesit mesatarë zakonisht nuk do ta arrijnë limitin.” Pra, kjo politikë është projektuar për të penguar operacionet e spamit, jo përdoruesit e zakonshëm.
Gjatë vitit të kaluar, WhatsApp është përpjekur të frenojë disa nga këto sjellje të mesazheve të padëshiruara. Në Korrik 2024, kompania filloi të testojë kufizimet për numrin e mesazheve të marketingut që një biznes mund t’u dërgojë njerëzve në një muaj. Në vitin 2024, ajo filloi të ofrojë një opsion për përdoruesit që të çregjistrohen nga mesazhet e marketingut nga bizneset. Në këtë mënyrë, ata mund të marrin përditësime ose mbështetje nga një biznes pa u përfshirë në spam.
Si përfundim, lajmi që po qarkullon në rrjete sociale është krejt keqinterpretim. Nuk do të gjobiteni nëse nuk i përgjigjeni mesazheve. Përkundrazi, kjo politikë synon të eleminojë pikërisht mesazhet e padëshiruara. Më tej, nuk bëhet fjalë për gjobë por për kufizim të shërbimit për një kohë të caktuar drejt numrave të caktuar.