BallinaFaktometerE PavërtetëAsnjë provë se dieta me lëngje perimesh shëron kancerin

Asnjë provë se dieta me lëngje perimesh shëron kancerin

Një artikull në portalin ddc24news.com prezanton një kurë çudibërëse për kancerin me titullin “Lëngu i Famshëm Që Heq Qelízat E K’ancerít Për 42 Ditë, Austriaku Ka Shëruar Mbi 45 Mijë Njerëz”. Ai flet për të ashtuquajturën “Kura Breuss”, shpikja e austriakut Rudolf Breuss.

Lajme të mira për kura çudibërëse kundër kancerit në portale duhet të ngjallin tashmë skepticizëm tek lexuesi, por, çfarë e bën lexuesin kritik të dyshojë edhe më shumë, që në hapje të artikullit, është përshkrimi i kurës si “një agjërim prej 42 ditësh në ndërthurje me lëngje dhe çajra speciale të perimeve.”

Një agjërim 42 ditësh do të ishte këshillë e dyshimtë edhe për një trup të shëndetshëm. Kjo këshillë, drejtuar personave që vuajnë nga kanceri, mund të jetë gati e rrezikshme, sidomos kombinuar me këshillën që ndalon trajtimin paralel, si kemioterapia, me këtë ‘kurë’.

Në fakt, edhe vetë artikulli, në një nga paragrafet e fillimit, paralajmëron se “pretendimet e efikasitetit nuk mbështeten nga prova të pranueshme dhe nuk ka të dhëna shkencore të besueshme për të mbështetur mënyrën e veprimit të pretenduar. Ka të ngjarë që agjërimi i rekomanduar të jetë i rrezikshëm për pacientët me k’ancer sepse ekziston një rrezik i mundshëm i kequshqyerjes së përgjithshme,” dhe se “ekzaminimet shkencor të përfitimeve dhe rreziqeve të kurës së k’ancerit Breuss mungojnë.”

Megjithatë, pjesa tjetër e artikullit, dhe titulli që shërben për të ndjellë lexuesit ta klikojnë, nuk përkojnë me këtë paralajmërim, dhe e marrin si të mirëqenë efikasitetin (e pa provuar shkencërisht) të kurës Breuss.

Rudolf Breuss (1899 – 1990) nuk ka patur kurrë një diplomë mjekësore apo trajnim shkencor. Ai ishte i bindur se kanceri mbijeton vetëm me anë të ushqimeve të ngurta, dhe, pas 42 ditëve agjërim “qelizat kanceroze vdesin nga uria”. Ai pretendonte se mbi 45 mijë persona ishin shëruar si pasojë e kurës së tij. Siç deklaron dhe artikulli, “Breuss pretendoi se dështimet e trajtimit mund të ndodhin vetëm nëse udhëzimet e tij nuk respektoheshin rreptësisht.” 

Një studim i botuar në gazetën shkencore mjekësore gjermane “Deutsche Medizinische Wochenschrift” mbi efikasitetin e dietave që pretendojnë se luftojnë kancerin, përfshi dhe kurën Breuss, doli në përfundimin se “sipas kritereve të bazuara në prova, aktualisht nuk ka asnjë indikacion për përdorimin e ndonjë prej “dietave kundër kancerit” të ekzaminuara”. Për më tepër, kura Breuss u etiketua nga ky studim si një dietë që rrezikon të shkaktojë kequshqyerje. 

Një tjetër studim i botuar nga Instituti Ndërkombëtar Kërkimor Antikancer deklaron se kura Breuss “është e bazuar në hipoteza të karcinogjenezëz [formimit të kancerit] që nuk përkojnë me koncepte moderne shkencore.” Në përfundimet e këtij studimi listohen dhe rreziqet që kura Breuss mund të shkaktojë për pacientët me kancer si kequshqyerja, rënia në peshë, dhe fakti që pacientët këshillohen të refuzojnë çdo trajtim ‘tradicional’ gjatë kurës Breuss.

Sipas organizatës bamirëse australiane Cancer Council, agjërimi tek personat, të cilët po marrin trajtim për kancerin, mund të shkaktojë kqushqyerjen në një kohë kur trupit i duhet shumë energji, proteina, vitamina dhe minerale për ta ndihmuar të përballojë trajtimin. Për më tepër, të paturit një peshë të shëndetshme është një faktor i rëndësishëm për parandalimin e disa llojeve të kancerit.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img