BallinaFaktometerPa kategoriKërkesa e Serbisë për kthimin e ushtrisë, ftesë për një konflikt të ri

Kërkesa e Serbisë për kthimin e ushtrisë, ftesë për një konflikt të ri

Fitim Gashi

Serbia tentoi kthimin e trupave ushtarake në Kosovë, 23 vjet pas largimit ushtrisë nga Kosova.

Në kulmin e tensioneve në veriun e populluar me shumicë serbe dhe me pretekstin se po cenohet siguria e serbëve të Kosovës si pasojë e veprimeve të Prishtinës zyrtare, Beogradi edhe zyrtarisht i adresoi kërkesën Misionit të NATO-s në Kosovë- KFOR për tua mundësuar rikthimin. Pas marrjes së vendimit kërkesën e shpalosi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. uke kërkuar rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, ai tha se kthimi i ushtrisë së Serbisë do t’i reduktonte tensionet në veri.

Screenshot nga deklarata e Aleksandër Vuçiç

Rezoluta, së cilës ndër vite i është zbehur fuqia pas shpalljes së pavarësisë dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës, megjithatë parasheh mundësinë e kthimit të një numri të caktuar të personelit serb. Pika gjashtë e këtij dokumenti përcakton funksionet që do të mund t’i kryente ky personel e që janë- “ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; Shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; Mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; Mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare”.

Më tej, në rezolutë shkruan se kthimi i personelit për t’i kryer të katër funksionet e specifikuara më lartë do të bëhet nën mbikëqyrjen e pranisë ndërkombëtare të sigurisë dhe numri i tyre do të jetë i kufizuar (qindra, jo mijëra).

Kjo është hera e dytë që Serbia sfidon komunitetin ndërkombëtar duke kërkuar kthimin e trupave ushtarake. Kërkesë të njëjtë kishte bërë edhe ish kryeministri serb, Zoran Gjingjiq në vitin 2003, e cila ishte refuzuar. Prej atëherë kanë ndodhur shumë zhvillime. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, e dy vite më vonë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) konstatoi se ligjshmëria e aktit të shpalljes ka qenë në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Pas dorëzimit të kërkesës, Misioni i NATO-s në Kosovë, njoftoi se është duke shqyrtuar atë. Të njëjtën kohë, rikonfirmoi se mbeten tejet vigjilent dhe plotësisht të aftë për të përmbushur mandatin që derivon nga Kombet e Bashkuara.

Kërkesa e Serbisë pa mbështetje juridike

Njohës të së drejtës ndërkombëtare thonë se argumentet ligjore janë kundër Serbisë.

Sipas ish kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, Serbia mund ta rikthejë ushtrinë vetëm nëse lidh një marrëveshje me Kosovën për prani ushtarake, gjë për të cilën duhet të parashtrojë kërkesë por që kurrë s’e ka bërë.

“E para, prezenca ushtarake në Kosovë, e cilësdo fuqi të huaj, mund të jetë vetëm në bazë të pëlqimit të autoriteteve të Kosovës në baza bilaterale përmes një Marrëveshje mbi Statusin e Forcave- SOFA të re; e dyta, prezenca ushtarake në Kosovë në bazë të kapitullit VII të Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara mund të bëhet vetëm në rast të prishjes së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare ose kërcënimit për një gjë të tillë, gjë që nuk është rasti, sepse Kosova deri më sot ka treguar përgjegjësi të lartë për sigurinë dhe paqen ndërkombëtare”, thotë Hasani. Edhe sikur të kishte prishje të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, prapëseprapë do të duhej një rezolutë tjetër e Këshillit të Sigurimit.

“Në bazë të Rezolutës 1244 të KS vetëm KFOR-i mund të qëndrojë në Kosovë dhe madje mbi bazën e një pëlqimi të dhënë nga ana e Kosovës më datën 17 shkurt 2008. Vendet e tjera që kanë prani ushtarake jashtë KFOR-it atë e kanë, sepse Kosova ka lidhur SOFA me to. Serbia në këtë drejtim, deri më sot, nuk ka paraqitur një kërkesë për një marrëveshje të tillë. Çdo rikthim i tyre, duke u bazuar gjoja në dispozitat e tejkaluara të Rezolutës 1244, do të thotë shkelje e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, komprometim i pavarësisë së saj ndërkombëtare dhe ftesë për një konflikt të ri mes dy vendeve”, ka argumentuar Hasani.

23 vjet pas luftës, KFOR-i mbetet prania më e besueshme ndërkombëtare në Kosovë që nuk kontestohet as nga shqiptarët, as nga serbët. Krahasuar me vitet e para të pasluftës, numri i pjesëtarëve të kësaj force është reduktuar dukshëm. Por obligimet e misionit vijojnë të konsistojnë në disa drejtime.

Afro 4 mijë trupa nga 28 shtete të udhëhequr nga NATO-ja, vazhdojnë të angazhohen për sigurinë e të gjithë qytetarëve. Prinë Italia me 715 trupa, e pasuar nga ShBA-ja me 561 trupa. Pikërisht ShBA-të ishin të parat që mohuan kategorikisht mundësinë e rikthimit të ushtrisë serbe. Emisari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar rikonfirmoi se Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara.

Pengesat e Serbisë

Pavarësisht mungesës së pranisë me trupa në Kosovë, Serbia asnjëherë nuk i ka ndalur obstruksionet ndaj shtetit të Kosovës, duke i vënë në shërbim e saj strukturat paralele në veri. Prej 10 dhjetorit, serbët i bllokuan rrugët me mjetet të rënda pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Rreth 13 barrikada u vendosën në rrugët e veriut duke bllokuar edhe arteriet kryesore. Tri pika kufitare mes Kosovës dhe Serbisë u mbyllën për qarkullim. E, në disa raste cak i sulmeve nga persona të paidentifikuar ishin policët dhe ekipet e gazetarëve në veri.

Pengesat u hoqën më 29 dhjetor vetëm pasi organet e drejtësisë së Kosovës i shqiptuan masën e arrestit shtëpiak policit të arrestuar, edhe pse dyshohet për sulm terrorist ndaj institucioneve të vendit.

Në sinkron me vendosjen e barrikadave, presidenti serb Aleksandër Vuçiq, e vuri në gatishmëri të lartë luftarake edhe ushtrinë përreth kufirit me Kosovën. Vendimmarrja u shoqërua më një fushatë të egër dizinformuese nga mediat serbe, të cilat ngritën alarmin për kinse rrezikun e vrasjes dhe dëbimit të serbëve nga Kosova. Kjo analogji është e ngjashme me atë të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, i cili pushtimin e Ukrainës e nisi me pretekstin e mbrojtjes së rusëve në këtë shtet. Aksionet e tij në Ukrainë, Putini tentoi t’i arsyetojë përmes propagandës. Ai është thellësisht i përfshirë në përhapjen e narrativave të rreme rreth luftës, duke kërkuar të portretizojë “operacionin ushtarak special” të Rusisë si një mision pan-sllav për të bashkuar ukrainasit me Rusinë. Në Serbi ka forca gjithnjë e më të rrezikshme që mbështesin Putinin, i cili është i interesuar ta shpërndajë konfliktin edhe në rajonin e Ballkanit. Përveç refuzimit që ta njohë Kosovën, Putini ishte pas një përpjekjeje për grusht shtet në Malin e Zi në vitin 2016, si dhe ka mbështetur elementë separatistë në Bosnje dhe Hercegovinë. Politikanët serb janë duke imituar ata rus edhe në deklaratat publike rreth Kosovës.

Kësisoj, shefi i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, deklaroi se Kosova ka rritur në nivelin më të lartë gatishmërinë luftarake të forcave të sigurisë, dhe se “përgatiten për të sulmuar popullin serb në barrikada”. Por kjo u mohua nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sipas të cilit kjo është pjesë e propagandës së dyshes Serbi- Rusi. Rikthimi i tensioneve pamundësoi edhe dialogun e proklamuar për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, mbi bazën e propozimit franko-gjerman. Pas largimit të barrikadave mund të pritet intensifikim i përpjekjeve për t’i çuar palët drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve.

Por referuar qëndrimeve tashmë të betonuara rreth temave që duhet trajtuar, një marrëveshje e shpejtë nuk duket në horizont.

*Ky shkrim u publikua si pjesë e nismës “Unë bëj Fact-Checking”, që ka si qëllim të trajnojë dhe mentorojë gazetarë në Kosovë, nën projektin e UNESCO-s “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore dhe Turqisë – Faza II”, mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img