.

.

BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëAsnjë ndërhyrje në tregun e Shkodrës, shitësit po “piqen“ në diell

Asnjë ndërhyrje në tregun e Shkodrës, shitësit po “piqen“ në diell

Në këto ditë të nxehta, kur temperaturat arritën nivele rekord nxehtësie, tregtarët në lagjen Rus në Shkodër e zhvillojnë aktivitetin në kushte torturuese. Gjatë verifikimit në terren Faktoje mësoi nga shitësit se deri tani nuk është marrë ndonjë masë për përmirësimin e situatës, edhe pse në shkurt të këtij viti, kanidati fitues i PS për bashkinë Shkodër, Benet Beci e konsideronte një çështje që kërkonte investim të menjëhershëm. 5 muaj pas këtij reagimi, e gjetëm tregun Rus të sajuar me llamarina dhe batanije si mbrojtje ndaj kushteve ekstreme atmosferike. 

Në shkurt të këtij viti, Benet Beci, kandidati i socialistëve për Bashkinë Shkodër, që doli fitues në 14 maj, ngriti shqetësimin për mungesën e kushteve në tregun kryesor të Shkodrës në lagjen Rus.

Kjo zonë tregtare ka nevojë për kualifikim dhe investim të menjëhershëm. Duhen plotësuar kërkesat e tregtarëve, por dhe të blerësve, në mënyrë që të kenë kushte higjeno-sanitare dhe të denja për ta kryer veprimtarinë tregtare në këtë zonë”, theksoi Beci.

Postimi i Becit në Facebook, 18 shkurt 2023

Por çfarë ka ndryshuar në këtë treg që kërkonte ndërhyrje të menjëhershme? Faktoje bëri një verifikim në tregun në lagjen Rus më 19 korrik, për të parë si ishin kushtet e tregtimit në këtë periudhë, kur temperaturat kanë shënuar nivele ekstreme.

Sapo futesh në rrugicën që të çon tek tregu, bie në sy se peshku shitet në mungesë të kushteve higjieno-sanitare, të vendosura përtokë apo në govata me ujë.

Kujtmi, punon si tregtar prej 25 vitesh. “Katastrofë gjendja, Kushtet janë të papërshtashme, kërkohet investim. Shpresoj te Bashkia e re se do të bëjë ndonjë investim. Çdo gjë duhet bërë nga fillimi, rikonstruksion komplet. Kemi probleme, këtu nuk është asgjë higjenike, duhet të merret në dorë komplet si treg.

Temperaturat janë të larta, frutat nuk durojnë, duhen kushte. Ne e kemi ngrit si shqetësim te Bashkia, ata na kanë premtuar, por asgjë nuk është bërë, presim! Kanë dhënë premtime para zgjedhjeve dhe nuk dimë më asgjë, rrimë me shpresë”- thotë ai.

Rasim Curri një tjetër tregtar, i cili shet prej vitesh thotë i shqetësuar:

“Si me qenë vend bagëtish, ku punojmë ne! Bie shi dhe në lagemi, dielli siç e sheh, është mizerje këtu. Njeriu nuk punon dot me këto kushte. Ishalla me kalimin e kohës bëhet çdo gjë mirë. Kemi kërkuar 100 mijë herë ta rregullojnë dhe asgjë nuk është bërë. Unë paguaj për këtë vendin këtu, 178 mijë në vit (lekë të vjetra) për një metër vend”, thotë i moshuari.

Një tjetër tregtare, shprehet se është e detyruar që të dalë të shesë në këto kushte të vështira, për të siguruar jetesën.

“Llamarina është gjysmë metri mbi krye, a rrihet këtu? Unë jam me probleme me zemrën, do të dal se s’bën se nuk kam ku të ha! Jam në pension, marr 92 mijë lekë pension (të vjetra), por 97 mijë lekë më bëjnë ilaçet, vetëm një ilaç më bën 77 mijë lekë. Do dal se s’bën, ku me hangër? Këtu është me dekë, në verë pjekesh, në dimër tan shiu bie mrenë”, tregon e shqetësuar e moshuara.  

Një tjetër e moshuar që shet në këtë treg tregon se gjatë fushatës u prezantua edhe projekti për transformimin e tregut, por asnjë lëvizje nuk ka pasur që prej asaj kohe.

“Këtu dalim për të mbijetuar. 3 mijë lekë (të vjetra) kushton transporti për të sjellë mallin. 4 mijë më shkojnë qeset në ditë. 10-15% e frutave dhe perimeve më dalin të kalbura. Ka rënë edhe fuqia bleresë. Nëse vjet kam shitur 4 kuintal shalqi, sivjet shes 2, se kanë ik njerëzit.

Na u tregua projekti i tregut, u duk si në Dubai, por vetëm një ditë për fushatë e pamë dhe s’e pamë më. Kemi vënë batanije e çarçafë për t’u mbrojtur, se të mbyt vapa”, thotë tregtarja.

Më 21 korrik, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Shkodrës ku interesohej në lidhje me ndërhyrjen në tregun e lagjes Rus.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Shkodër, 21 korrik 2023

Ne morëm një përgjigje nga Bashkia Shkodër më 26 korrik, ku bëhet e ditur: “Bashkia Shkodër është përzgjedhur fituese për financim në kuadër të thirrjes për propozime të shpallur nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural (AZHBR). Me ane te realizimit te këtij investimi ne synojme akomodimin sipas kushteve të favorshme të tregtimit të një numri prej 128 tregtarësh, duke përmirësuar kështu kushtet e tregtarëve dhe duke rritur kënaqesinë konsumatore të bleresve potencial”.

Më tej, Bashkia Shkodër sqaron se investimi pritet të nisë në fillimit të muajit tetor të këtij viti.

“Po kryhen procedurat administrative për kalimin e fondit nga AZHBR tek llogaria e institucionit Bashkia Shkodër. Pasi fondi kalon tek ne, do kryejmë procedurën e miratimit të investimit në Këshill Bashkiak dhe pastaj mund të fillojmë procesin e tenderimit te këtij fondi për zbatimin e projektit. Data e fillimit të ndërhyrjes në treg nuk varet vetëm nga ne. Kështu që mund të parashikojmë fillimin e investimit në fund të muajit shtator apo fillimi i muajit tetor 2023”, thekson zyrtarisht ky institucion.

Sipas Bashkisë së Shkodrës, vlera totale e investimit për ndërhyrjen e parashikuar sipas projektit në Merkaton Rus është 36,036,583 lekë me TVSH, ku mbështetja me grant nga AZHBR është 29,155,812 lekë, ndërsa Bashkia Shkodër për realizimin e këtij investimi do të marrë përsipër mbulimin e vlerës së TVSH dhe fondit Rezerve në vlerat: Fond Rezerve: 874.674.36 lekë; TVSH: 6,006,097 lekë.

Pjesë nga përgjigjia zyrtare e Bashkisë Shkodër

Në lidhje me kushtet higjeno-sanitare në këtë treg, ne i dërguam një kërkesë për informacion edhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Kërkesa për informacion dërguar AKU, 21 korrik 2023

Deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kemi marrë një përgjigje nga AKU.

Në vitin 2019, AKU i bënte thirrje Bashkisë së Shkodrës për tregun, pasi nuk kishte kushte për tregtimin e mishit dhe peshkut.

programin buxhetor afatmesëm të Bashkisë Shkodër 2023-2025 është parashikuar edhe: “Rregullimi i veprimtarive në sheshet e tregjeve vendore ose mbështetje për infrastrukturën e tregjeve…Rritja e kapaciteteve përmes ngritjes dhe funksionimit të tregjeve të reja vendore dhe të rrjetit të tregtisë. Ndërtim, mirëmbajtje, përmirësim dhe funksionim i strukturave përkatese me qëllim nxitjen e projekteve me karakter zhvillimor për njësinë vendore”.

Në muajin mars të këtij vitit, Faktoje raportoi mbi situatën problematike në tregun në Rus. Verifikimi i kryer në atë periudhë tregonte mosfunksionim total të zinxhirit të përgjegjesive, që nga ofrimi i kushteve, deri tek monitorimi dhe ndëshkimi për tregtim në mungesë të kushteve higjino-sanitare, ku gjoba e fundit daton në 2018-n.

Po në mars të këtij viti, në prag të çeljes së fushatës për zgjedhjet vendore, Bashkia Shkodër njoftonte se kishte dërguar në AZHBR projektin për rehabilitimin e tregut të Rusit.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img