.

.

BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëAsnjë investim për shmangien e përmbytjeve në Bërdicë

Asnjë investim për shmangien e përmbytjeve në Bërdicë

Bashkia e Shkodrës nuk ka bërë asnjë investim për të shmangur përmbytjet në Bërdicë, një nga zonat më problematike të këtij qarku. Edhe pse gjatë takimeve elektorale, Kryetari i Bashkisë së Shkodrës Bardh Spahia u premtoi banorëve se çështja do të ishte prioritet, një verfikim i Faktoje në terren tregon të kundërtën. Reshjet e ditëve të fundit rikthyen në vëmendje mungesën e investimeve në këtë zonë, si nga ana e qeverisë vendore, po ashtu edhe asaj qendrore, pasi Bërdica ishte një nga zonat e para që u përmbyt në Shkodër.

Esmeralda Topi

“Kemi arrit të punojmë dhe t’i japim prioritet disa çështjeve thellësisht problematike, që u lidhnin me përmbytjet, që jo pak herë kanë prekur zonën tuaj. Do të vazhdojmë ta bëjmë, ju siguroj edhe më shumë se më përpara.” – premtonte për banorët e Bërdicës Bardh Spahia, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.

Screenshot nga profili i Kryetarit të Bashkisë Shkodër Bardh Spahia në Facebook

Faktoje vendosi të verifikojë premtimin e Kryetarit të Bashkisë Shkodër, nisur nga rëndësia që ka ky lloj premtimi për banorët e një prej zonave më të prekura historikisht nga përmbytjet në Shkodër, siç është Bërdica. Faktoje ishte në Bërdicë më 17 nëntor, për të verifikuar në terren nëse Bashkia kishte nisur apo jo investimet në lidhje me shmangien e përmbytjeve.

Fshati Bërdicë, 17 nëntor 2022

Ditën që ne shkuam në Bërdicë binte shi. Reshjet, ndonëse jo me intensitet të lartë, kishin nisur që një natë më parë dhe kaq kishte mjaftuar që t’i gjenim tokat e fshatit të mbuluara vende- vende nga uji.

Fshati Bërdicë, 17 nëntor 2022

“Falë zotit kemi tre vite që nuk përmbytemi, se s’ka pasur shi. Mbreme ra goxha natën, ndaj sot gjen ujë nëpër tokat e fshatit. Por po të ketë shumë shira, tokat tona përmbyten.”- na sqaron Jaku, një banor i fshatit Bërdicë, që e gjetëm duke hapur kanale kulluese në tokën e tij.

“Asnjë s’ka vënë dorë, veç pastrojnë ndonjëherë këto kanalet që mbushen prapë me ujë. Kjo do zgjidhje prej vërteti, nuk bëhët me pastrim kanalesh. Po të bjerë mirë shi ne na bëhen tokat det. Përmbytja fillon nga “Harku i Bërdicës” e deri këtu poshtë ku jemi ne të dy. Këto nja tre vite na ka kursyer zoti se s’ka patur shi.”– vijon më tej tregimin e tij Jaku për Faktoje. Por duket se zoti nuk u kursye më gjatë për Bërdicën. Tre ditë më pas, fshati u ngrys nën ‘pushtetin’ e ujit për shkak të reshjeve të shumta të shiut në zonën e Shkodrës.

Harku i Bërdicës, 21 nëntor 2022

Referuar të dhënave zyrtare, në njësinë administrative të Bërdicës janë përmbytur 600 ha tokë bujqësore, konkretesht në fshtrat Trush, Bërdicë e Sipërme, Bërdicë e Mesme, Beltojë. Nga ana tjetër, emergjencat civile kanë evakuuar 12 familje nga Njësia Administrative e Bërdicës, ndërkohë që 210 banesa rezultojnë me prezencë uji në oborre dhe brendësi të tyre.

“Aktualisht, rruga nga Shkodra në Bërdicë është e pakalueshme. Vetëm ata që vijnë nga Tirana mund të futen. Përmbytja ka nisur si përherë që tek vendi i quajtur ‘Harku i Bërdicës’ ndaj hyrja është e pamundur. – na sqaron një banore e Shkodrës në një komunikim telefonik për Fakoje.

Ndërkohë, edhe vet Bashkia e Shkodrës në një përgjigje zyrtare për Faktoje pranon se nuk ka bërë asnjë investim në Bërdicë lidhur me përmbytjet.  “Bashkia Shkodër aktualisht nuk ka asnjë investim në zonën e Bërdicës.”

Screenshot nga përgjigja e Bashkisë Shkodër, 30.09.2022

Bashkia e Shkodrës pranon se investimet në shmangien e përmbytjeve për zonën e Bërdicës është një ndër sfidat kryesore punës së saj, duke theksuar edhe rëndësinë që ka mbështetja e qeverisë shqiptare.

“Edhe për Gurin e Zi dhe Berdicën sfidë mbeten investimet strategjike për shmangien e përmbytjeve si dhe mbështetja e sektorit të bujqësisë. Bashkia Shkodër do të punojë me të gjitha kapacitetet për të përmbushur çdo detyrim të sajin, por mbetet me rëndësi edhe mbështetja e projekteve nga ana e qeverisë shqiptare.”- shkruhet në një postim të Bashkisë Shkodër më 13 tetor 2022, gjatë dëgjesave publike për “Për përgatitjen e programit buxhetor afatmesem vendor 2023-2025”.

Screenshot nga facebook i Bashkisë Shkodër

Nisur nga informacionet e mbledhura, si dhe verifikimi në terren, premtimin e Kryetarit të Bashkisë Shkodër Bardh Spahia për zonën e Bërdicës do ta kategorizojmë të pambajtur. “Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

 

 

 

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img