Lajmet për parashikimin e fundit të botës në muajin dhjetor apo shumë profeci të tjera që po qarkullojnë së fundmi online në portalet shqiptare, janë krejtësisht të pabaza dhe për fat të mirë e kanë të shkurtër afatin e vlefshmërisë. “Faktoje” zbulon më tej se sa të dëmshme janë këto artikuj për publikun e përballur edhe më shumë sfida të tjera aktuale.
Patris Pustina
Një ‘lajm’ i qarkulluar nga portalet me titujt e zakonshëm sensacionalistë si “Profecia e tmerrshme” për fundin e botës, tërhoqi vëmendjen e “Faktoje”, që ka trajtuar dhe më parë teori konspiracioniste të këtij lloji.
Megjithatë, pas leximit të këtyre artikujve, çfarë bie në sy është fakti që nuk ka asgjë që bie në sy.
Artikujt flasin për parashikimet e një llogarie TikToku, që pretendon se është një udhëtar në kohë, ka ardhur nga e ardhmja, dhe jep disa data kur njerëzimi do të përballet me skenaret e zakonshëm fantastiko-shkencor: një planet binjak me tokën (30 nëntor 2022), një goditje meteorike (8 dhjetor 2022), dhe një urë ndërgalaktike (6 shkurt 2023). Sikur të mos mjaftonin pandemia globale dhe lufta në Ukrainë tashmë edhe këto parashikime kataklizmike ndihmojnë në rritjen e mëtejshme të stresit të publikut dhe pesimizmit për të ardhmen.
Disa portale citojnë tabloidin anglez The Sun, disa publikimin online LADbible, por edhe pas leximit të këtyre publikimeve, spikat fakti që nuk ka asgjë të veçantë tek ‘profeti’ në fjalë. Sigurisht që nuk ka asnjë provë të pretendimeve të tij, por nuk ka as diçka që ta dallojë atë nga çdokush që mund të krijojë një llogari në TikTok. TikTok numëron nga 750 milionë në 1 miliardë përdorues aktivë në muaj.
Nuk është e qartë çfarë e veçon një Eno Alaric, nga Kim Windell Nocos, apo timevoyaging, apo pasttimetravel, apo unicosobreviviente, apo aesthetictimewarper, apo futuretimetraveller, apo çfarëdolloj adoleshenti me akses në TikTok, dhe imagjinatë të zhvilluar. Në fakt, te gjitha videot në llogaritë e sipërmendura në TikTok janë aq të ngjashme sa mund të jenë një trend më vete.
E vetmja gjë që tregojnë këto artikuj është triumfi i atij që quhet ‘content’ mbi gazetatrinë e mirëfilltë apo edhe thjesht informimin e publikut. ‘Content’ ka për qëllim ekskluzivisht mbledhjen e klikimeve dhe prodhohet në portale në një mënyrë të ngjashme me prodhimin në një fasoneri: sasia ka prioritet mbi cilësinë. Qëllimi kryesor i tij nuk është të zbulojë, informojë, apo argëtojë, por të qarkullojë.
Për një pjesë të konsiderushme të publikut, që është mësuar se diçka e raportuar në media, ku përfshihen dhe këto portale-fasoneri, ka njëfarë merite, apo të paktën meriton njëfarë vëmendje, përhapja e ‘content’ mund të shkaktojë konfuzion dhe të turbullojë kufirin mes informacionit të rëndësishëm dhe atij të parëndësishëm. Kjo lloj mbingarkese informacioni mund të shkaktojë një lodhje mendore që çon, më pas, në një apati të përgjithshme, në të cilën asgjë nuk ka rëndësi.
Fatkeqësisht, këto lloj artikujsh, megjithëse për qëllim kanë mbledhjen e klikimeve, ndërkohë marrin vëmendjen e publikut nga çështje më aktuale dhe serioze dhe, në rastin më të keq, mjegullojnë vetë konceptet e të vërtetës.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin