Asnjë bazë për efektin shërues të çajit të gjetheve të ullirit

7

Pretendimi: Sipas mjekut, çaji i gjetheve të ullirit shëron çdo sëmundje

Verdikti: E paprovuar

—————————————————–

rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon një postimpretendon se, sipas një mjeku, çaji i gjetheve të ullirit shëron çdo sëmundje, duke ftuar lexuesit të klikojnë në lidhjen në komente për të zbuluar më shumë.

Megjithatë, pasi ka klikuar në lidhjen në komente, lexuesi do të zhgënjehet kur të shohë se për të mbështetur këtë pretendim të jashtëzakonshëm nuk sillet asnje provë, burim apo referencë.

Mjeku i premtuar në titull nuk shfaqet kurrë, as si emër dhe as si fytyrë. I gjithë artikulli konsiston në dy paragrafe që tregojnë si duhet të përgatitet çaji i gjetheve të ullirit.

Duke kërkuar me fjalë kyçe në rrjet, Faktoje gjeti se edhe këta dy paragrafë janë marrë nga një artikull i vitit 2018 i medias Living, i cili nuk pretendon se çaji lufton të gjitha sëmundjet, por që ai “mban larg kollën e thatë dhe lufton diabetin.”

Megjithatë, sërish, asnjë studim apo burim nuk citohet për të mbështetur këto pretendime.

Një numër studimesh kanë gjetur se ekstrakte të gjetheve të ullirit përmbajnë oleuropeinë, e cila ka veti anti-inflamatore. Disa studime klinike kanë treguar gjithashtu se kjo substancë mund të ketë aftësinë për të luftuar lloje të caktuara të inflamacionit. Megjithatë, sipas të njëjtave burime shkencore, nevojiten më shumë kërkime.

Studime laboratorike dhe klinike kanë treguar gjithashtu se ekstraktet e gjetheve të ullirit kanë një efekt në uljen e niveleve të sheqerit në gjak. 

Megjithatë, Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore beson se provat shkencore janë të pamjaftueshme për të vendosur një marrëdhënie shkak-pasojë midis konsumit të ekstrakteve të gjetheve të ullirit dhe rezistencës ndaj sheqerit të lartë në gjak.

Si përfundim, nuk ka prova të mjaftueshme se çaji me gjethe ulliri mund të shërojë “çdo sëmundje.” Një ilaç magjik i tillë thjesht nuk ekziston.