Lajmi për fuqinë e datave të caktuara mbi jetën e njeriut dhe efektet e universit në plotësimin e dëshirave të njerëzve janë krejtësisht të pabaza dhe mund të çorientojnë publikun. I tillë është lajmi ku pretendohet se data 15 tetor 2022 është një ditë me fat dhe se nëse shkruani në një letër 5 dëshira tuajat, ato do të plotësohen. “Faktoje” verifikoi këto pretendime, për të zbuluar se sa të pabazuara janë përfundimet dhe këshillat e dhëna në artikull.
Jona Plumbi
Një shkrim me titull sensacionalist, që bën thirrje për të “mos harruar datën 15 tetor” pasi ajo është “tronditëse”, synon të mbledhë klikime përmes informacioneve të pabazuara dhe çorientuese.
“Është shumë e rëndësishme që ju të besoni sa më shumë fuqinë e datës 15 tetor dhe të mësoni se ç’duhet të bëni”, thuhet në artikullin e portalit themedianews.co, i cili ka arritur të mbledhë mbi 54 mijë shikime në Facebook.
Teksti i referohet “besimeve dhe shkrimeve të hershme”, pa i specifikuar apo pa dhënë referenca se cilat mund të jenë ato. Më tej, artikulli flet për “planete që japin fuqi për t’u pastruar nga hijet e së shkuarës si dhe këshillon këshillon se nëse “shkruani në një letër 5 objektiva, ëndrra apo dëshira për të cilat i luteni universit, në orën 23:00 të datës 15 Tetor, në jetën tuaj çdo gjë do të ndodhë me pozitivitet”.
Për shkak të vëmendjes që ka marrë ky artikull nga lexuesit, “Faktoje” vendosi të verifikojë më tej këto pretendime të paargumentuara, të cilat nuk mbështeten në asnjë besim, shkrim të vjetër apo ndonjë praktikë astrologjike.
Sipas përcaktimit të universitetit të Oksfordit, Astrologjia, fusha që merret me studimin e ndikimit të pozicionit të yjeve dhe planeteve, me besimin se ato influencojnë marrëdhëniet mes njerëzve, nuk konsiderohet si shkencë që prej shekullit të 16-të, kohë kur edhe Kleri u distancua prej saj.
Deri më sot nuk ekziston asnjë provë shkencore apo edhe besim fetar në Botë që të bazohet tek ndikimi i drejtpërdrejtë i universit apo planeteve në jetën dhe dëshirat e njerëzve, e aq më pak të këshillojë “rituale” për plotësimin e një numri specifik dëshirash në data të caktuara.
Njëkohësisht, artikulli i publikuar në këtë portal është shoqëruar me fotografinë e konspiracionistit Alfred Cako, i cili nuk lidhet dhe nuk përmendet në asnjë moment në brendësi të artikullit. Ky truk është përdorur për të çorientuar lexuesit, të cilët mund të mendojnë se burim i këtij lajmi është zoti Cako.
Fatkeqësisht, artikuj të tillë, edhe pse kanë për qëllim mbledhjen e klikimeve, njëkohësisht arrijnë të marrin vëmendjen e publikut duke ndihmuar në mjegullimin e të vërtetës.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin