.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëAsgjë e re nga “rindërtimi”

Asgjë e re nga “rindërtimi”

Dy muaj më parë Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj u shpreh se portali unik i rindërtimit ishte aktiv dhe aty do të pasqyrohej çdo informacion mbi këtë proces. Portali do të shfaqte gjithë informacionin zonë për zonë, proces për proces, shtëpi për shtëpi. Gjatë kohës së kufizimit të liridaljes ky portal është shumë i dobishëm për personat e interesuar, ndaj “Faktoje” bëri një verifikim nëse i ofron të gjitha elementet e artikuluar nga ministri Ametaj.


Më 12 shkurt, gjatë mbledhjes së katërt të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, Ministri i Rindërtimit, zoti Arben Ahmetaj, u ndal tek portali unik i rindërtimit, rindertimi.al (sot rindertimi.gov.al).

“Portali unik që iu referua kryeministri, ne tani e kemi aktiv, por gjithsesi edhe kjo është punë në proces. Praktikisht këtu do të kemi të gjithë informacionin për rindërtimin, zonë më zonë, proces për proces, shtëpi për shtëpi, donacion për donacion, aktivitet për aktivitet.”, tha zoti Ahmetaj.

Më 14 prill, më shumë se dy muaj pas kësaj deklarate, klikuam sërish portalin e rindërtimit për të verifikuar nëse ofrohen shërbimet që përmendi zoti Ahmetaj. Në këtë portal sot shfaqet mesazhi:

“Informacioni në sistemin e rindërtimit është ende në fazë përditësimi!”.

Çfarë informacioni gjejmë sot në rindertimi.gov.al ?

Nga një kërkim i kujdesshëm në portalin unik të rindërtimit, vumë re se përveç faqes së parë, pjesa më e madhe e portalit nuk është e përditësuar. Dy seksionet që figurojnë të plotësuar janë informacionet rreth zotit Ahmetaj, duke përfshirë jetëshkrimin e tij dhe fushën e përgjegjësisë që ka si Ministër i Rindërtimit, si dhe kuadri ligjor.

Në faqen e parë shfaqen tre njoftime, ku i fundit i përket datës 9 mars.

Gjithashtu është dhënë numri i aplikimeve për grantet e rindërtimit, shifra e dhuruar online në e-Albania dhe numri i zonave të reja për zhvillim, por pa dhënë detaje të tjera mbi këto tre elemente.

Nën rreshtin me shifra është e inkorporuar në faqe video e fjalës së Ministrit Ahmetaj në Konferencën e Donatorëve.

Faqja përmbyllet me 5 opsione të rëndësishme: “Shtëpia Ime”, “Transparenca”, “Ndiq projektet”, “Paketa Ligjore” dhe “Programe”, por të pesta janë jo funksionale. Nëse i klikon të kthejnë automatikisht në faqen e parë, pa ofruar asnjë informacion shtesë që do të ishte i dobishëm për aplikuesit.

Për t’u kthyer tek seksionet, përtej informacioneve mbi ministrin dhe paketën ligjore, të gjithë kategoritë e tjera nuk janë të përditësuara. Çdo nëndarje në “Programet e Rindërtimit”, përfshirë “Ndërtimi i objekteve të reja” dhe “Grantet e Rindërtimit” të çon në një faqe bosh, me njoftimin se “Informacioni do përditësohet së shpejti!”.

Në të njëjtën formë shfaqet edhe faqja për “Sitet e reja”, ku i vetmi detaj që ndryshon nga të mëparshmet është titulli.

Një tjetër kategori e rëndësishme janë “Prokurimet”, e cila duhet të japë informacion mbi planet e rindërtimit, projektet dhe njësitë e zbatimit. Por edhe këtu gjithçka “do të përditësohet së shpejti”.

Në këtë formë shfaqen edhe kategoritë e tjera, me përjashtim të multimedias, ku në videogaleri shfaqen dy video të konferencës së donatorëve, ndërsa tek fotogaleria një njoftim promovues mbi aktivitete të kryeministrit.

*Foto e parë e artikullit është realizuar nga Agim Rama

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img