Përfshirja në masën 90 përqind të fëmijëve të komunitetit rom në arsimin bazë dhe 50 përqind nëarsimin e mesëm, është ambicia e çdo shteti të Ballkanit Perëndimor, firmosur në 2019 në Poznan. Prej asaj kohe Shqipëria ka edhe strategjinë kombëtare 2020-2025, ndërsa 228 milionë lekë janë fondet për realizimin e saj. Por verifikimi për Faktoje tregon se objektivat janë pjesërisht ose aspak të përmbushura. Vetë përfaqësues të komunitetit pranojnë se përveç paragjykimeve e ndonjëherë mungesës së vullnetit të institucioneve, integrimi bëhet më kompleks edhe për shkak të kulturës së komunitetit.
Oriada Dajko
Në rrugën e njohur si “Selvia”, përballë shkollës “Servete Maçi” Tiranë, në orarin kur nxënësit dalin nga mësimi, një grua lyp me vajzën e vogël në krahë dhe 3 fëmijët e tjerë, në moshë shkollore.
“Sot i kam lënë pa shkollë, por goca shkon në klasë të parë, çuni në klasën e tretë dhe i madhi në të pestën. Nuk më vjen mirë që i nxjerr fëmijët në rrugë, këtë nuk e do asnjë prind, por ka ditë që nuk kam me çfarë t’i ushqej fëmijët dhe nuk më ndihmon njeri.”-thotë M.I për Faktoje.
Nëna me fëmijët duke lypur, Tiranë
Premtimi për largimin e fëmijëve nga rruga
Në vitin 2022, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi në Real Story (1:00:39-1:00:53) se institucioni që ai drejton kujdeset që të mos ketë fëmijë që lypin në rrugë, si dhe u siguron mësimin e shkrimit dhe këndimit. Arsimimi i i fëmijëve romë, sidomos atyre që i përkasin moshës së arsimit të detyruar në masën 90%, ishte edhe një angazhim i liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor në korrik 2019. Ndërsa dy studime për politikat rajonale të punësimit dhe arsimimit të anëtarëve të komunitetit rom dhe egjiptian të romëve, fokusohen kryesisht në regjistrimin e fëmijëve në shkollë dhe më pak te mbështetja për përfundimin e të paktën arsimit të detyruar apo gjithëpërfshirjen e tyre.
Fëmijë duke lypur në rrugë, 31 janar 2024, Tiranë
Situata në terren
Andin (emër imagjinar) 9 vjeçar, një nga fëmijët e M.I, nxënës në klasën e tretë e takojmë, duke lypur në parkun Rinia pas mesditës.
“Unë shkoj në shkollën “Qazim Turdiu”. Atje rri deri në 12 dhe pastaj vij me motrën këtej”- thotë ai, duke u përgjigjur se nuk ka rastisur ta largojë dikush nga të lypurit, apo ta këshillojë.
Për evidentimin e fëmijëve në situatë rruge apo në rrezik braktisjeje të shkollës në Tiranë, përgjegjëse është Qendra Komunitare e Terrenit, që çdo fillim viti shkollor ndihmon edhe në regjistrimin e tyre,- thuhet në përgjigjen zyrtare të Bashkisë Tiranë për Faktoje.
Megjithatë rastet e fëmijëve që lypin në rrugët e Tiranës, në çdo orë të ditës ndeshen rëndom, përgjatë vitit shkollor.
Regjistrimi i fëmijëve romë/egjiptianë në arsimin parashkollor
Fëmijët e pakicave kombëtare rome dhe egjiptiane janë të përjashtuar nga tarifa në kopshte dhe çerdhe sipas vendimit nr.158, neni 66 të datës 26.12.2019 i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Megjithatë, numri i fëmijëve nga pakica rome, të regjistruar në sistemin parashkollor është më i ulët se në arsimin e detyruar, 99 fëmijë, sipas përgjigjes të bashkisë Tiranë. Kjo lidhet me arsyen se fëmijët në moshe çerdheje apo kopshti mbahen nga prindërit, sidomos nënat të cilat i sheh rëndom në rrugë edhe me bebe fare të vogla.
Në rastin e M.I nëna që lyp në zonën e Selvisë, problematikat me strehimin dhe regjistrimin në gjendje civile, ndikojnë edhe në regjistrimin e fëmijëve në çerdhe dhe kopsht. Kur e pyesim nëse ka kërkuar mbështetje ekonomike, ajo tregon se në zyrat ku është drejtuar i kanë thënë se pa bërë shpërnguljen nga Pogradeci ku jetonte më parë dhe saktësimin e adresës në Tiranë, nuk mund të përfitojë ndihmën ekonomike. Po ashtu pranon se edhe paragjykimet e kanë penguar ta regjistrojë vajzën e vogël në çerdhe.
“Edhe me lekë ta fusja unë gocën, nuk ma pranojnë, pasi e shohin, thonë nuk ka vend për të. E kam provuar me të dyja gocat dhe më kanë thënë vendet janë zënë. Tani në klasë të parë, goca e madhe ka vështirësi, nuk i njeh shkronjat por mësuesja e ndihmon.”
Rruga e Selvisë, vajzë në moshë shkollore duke lypur, Shkurt 2024
Premtimet për akses të barabartë në arsim
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po zbaton Planin Kombëtar të Veprimit për Barazi, Përfshirje dhe Pjesëmarrje të romëve dhe Egjiptianëve 2021 –2025. Këto janë detyrime që rrjedhin nga Korniza strategjike e BE-së 2020 – 2030 për romët, si dhe nga Deklarata e Partnerëve të Rajonit, firmosur në Poznan më 2019. Pika e katërt e këtij plani synon arsimin cilësor, gjithpërfshirës dhe të barabartë për romët dhe egjiptianët në të gjitha nivelet arsimore, ndërkohë që është parashikuar një kosto prej 282,278,298 lekësh nga buxheti i shtetit për realizimin e saj deri në vitin 2025.
Megjithatë verifikimi tregon se objektivat janë përmbushur vetëm pjesërisht.
Në një komunikim me aktivisten, Romina Sefa konstatojmë se planet dhe strategjitë kombëtare për përfshirjen e romëve, fokusohen më shumë tek arsimi bazë, ndërkohë që mungojnë statistika të sakta për numrin e nxënësve nga komuniteti që arrijnë të regjistrohen dhe të përfundojnë arsimin e mesëm të lartë apo universitetin.
Screenshot, Plani Kombëtar i Veprimit 2021-2025
Gjatë verifikimit konstatuam se edhe të dhënat ekzistuese për përfundimin e arsimit të mesëm dhe atë detyruar janë të pasakta. Në planin kombëtar aktual të veprimit për integrimin e romëve dhe egjiptianëve, numri i fëmijëve që regjistrohen, frekuentojnë dhe e përfundojnë arsimin e detyruar rezulton të jetë i njejtë për vitin 2020, vit që u karakterizua edhe nga izolimi për shkak të pandemisë. Por, nëse numri i nxënësve që e frekuentojnë arsimin e detyruar dhe i atyre që e përfundojnë është i njejtë, braktisja e shkollës rezulton inekzistente. Nga ana tjetër vetë dokumentat e Strategjisë Kombëtare për Arsimin 2021-2025 dhe Axhenda Kombëtare për të drejtat e fëmijëve 2021-2026 e pasqyrojnë si fenomen shqetësues braktisjen e shkollës nga fëmijët e komunitetit rom, pas regjistrimit.
Në përgjigjen zyrtare të Bashkisë së Tiranës, numri i nxënësve nga komuniteti rom raportuar nga Zyra Vendore Arsimore pothuajse përgjysmohet, nga 791 në arsimin e detyruar, në 410 nxënës në shkollat e mesme.
Mbështetja financiare dhe shpërndarja e teksteve falas
Në strategjinë kombëtare të arsimit konstatohet se një numër i konsiderueshëm nxënësish, braktisin arsimin e detyruar jo vetëm si rezultat i qëndrimeve diskriminuese, por edhe për të ndihmuar prindërit e tyre për të fituar të ardhura. Në dokumentat strategjikë evidentohet si sfidë përfundimi i arsimit të detyruar në masën 90% dhe i shkollës së mesme 50%. Për këtë arsye, një nga objektivat e Ministrisë së Arsimit është dhënia e bursave për nxënësit romë dhe egjiptianë të shkollave të mesme nga familje me vështirësi ekonomike.
Sipas përgjigjes të Bashkisë së Tiranës, 11 nxënës romë/egjiptianë kanë përfituar bursë në vitin akademik 2022-2023 dhe 16 në vitin 2023-2024. Edhe pse ka shënuar një rritje të lehtë, ky numër mbetet i ulët krahasuar me targetin e planit kombëtar. Pavarësisht se kjo e dhënë është në rang vendor dhe targeti në rang kombëtar, Tirana është bashkia më e madhe në vend dhe konsiderohet si histori suksesi për integrimin e romëve nga kryetari Veliaj.
Baseline (2020); 142 nxënës romë përfitues të bursës në rang kombëtar, PKVIRE 2021-2025
Ndërkohë pajisja e nxënësve me tekste shkollore falas rezulton të jetë një objektiv i përmbushur. Nxënësit nga pakicat kombëtare rome dhe egjiptiane përfitojnë ashtu si edhe të gjithë nxënësit e tjerë, tekste falas për arsimin bazë (klasa 1-9), por dhe në klasat 10-12, si një ndër 16 kategoritë përfituese.
Historia e kultura rome në kurrikulën mësimore premtim ende i pambajtur
Përfshirja e historisë dhe kulturës rome në kurrikulën mësimore është një prej objektivave të planit kombëtar të veprimit për integrimin e romëve dhe egjiptianëve, që prej 2016-s dhe është rivendosur si objektiv edhe në planin aktual (2021-2025). Deri më sot nuk ka një reflektim të tyre në tekstet mësimore.
Drejtuesi i Institutit të Kulturës Romane (IRCA), Bledi Taho dëshmon se në arsimin fillor fëmijët e kuptojnë gjuhën shqipe në nivelin 70-80 %, sepse fillimisht i mësojnë fjalët në gjuhë rome. “Duhet të futet edhe gjuha rome e historia, dhe elemente të tjera në kurrikul që edhe këta fëmijë të ndihen të përfshirë dhe të barabartë si të tjerët,”- rekomandon Taho.
Ai konfirmon se është kontaktuar nga Ministria e Arsimit këtë fillimvit për të bashkëpunuar, për të përfshirë historinë dhe kulturën rome në kurrikulën mësimore, por ende nuk ka një afat se kur mund të fillojë ky proces.
‘Të përfshirë’, në shkolla të izoluara
Në vitin 2020 kanë qenë 5 shkolla të izoluara, të ndara në rang kombëtar, aktualisht janë 3. Për të shmangur diskriminimin dhe përballjen me një disnivel ekonomik me nxënësit e tjerë, fëmijët e komunitetit rom ende vazhdojnë të mësojnë në shkolla ku shumica i përket këtij komuniteti. Në shkollën “Bajram Curri” në Tiranë, aktualisht janë gati 50% e nxënësve nga ky komunitet. Minstria e Arsimit në bashkëpunim me IRCA-n ka zbatuar projektin “Shkolla si qendër komunitare” në këtë objekt arsimor, duke ndikuar në rritjen e rezultateve mësimore për nxënësit e përfshirë në projekt. Por përfundimi i projekteve të tilla dhe rikthimi në modelin e mëparshëm mund të çojë në rënien në rezultate.
Rritja e numrit të arsimtarëve nga komuniteti rom ende larg
Drejtuesi i IRCA-s e konsideron sfiduese të ndryshosh modelin e jetesës që familja prezanton, ndaj nevojiten modele suksesi në shkollë. Sipas Tahos, numri i mësuesve nga komuniteti rom është i ulët dhe më i ulët është numri i atyre që japin mësim në gjuhën rome. Në universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, në vitin 2015, u hap për herë të parë dega gjuhë rome – gjuhë shqipe. Sot, kjo degë është mbyllur. Mësuesi i parë i licencuar i gjuhës rome, Raxhi Rakipi është ndër studentët e parë të diplomuar në këtë degë dhe tashmë jep mësimin e gjuhës rome në Elbasan.
“Ka shtresa të caktuara brenda komunitetit që e kanë ushtruar dhe trashëguar të lypurit brez pas brezi. Ka qenë shumë e vështirë të thyeje modelin e prindërve që lypin te këta fëmijë, duke mos pasur modele të tjera më pozitive pranë. Prandaj, nevojitet promovimi i rasteve të suksesit apo mësuesve nga vetë komuniteti për të pasur një model frymëzimi nëpërmjet rrugës së arsimit,”- sugjeron Bledi Taho.
Përfundim
Integrimi i komunitetit rom/egjiptian dhe veçanërisht arsimimi, janë përparësitë e strategjive qeverisëse dhe rajonale si dhe detyrime që rrjedhin nga përafrimi i kornizës ligjore me BE. Megjithatë shteti ende nuk ia ka dalë të përmbushë të gjitha premtimet ndaj tij edhe pse janë parashikuar fonde prej qindramilionë lekësh.
Fëmijët e këtij komuniteti në situatë rruge janë ende një sfidë. Edhe pse regjistrohen në shkolla, ato nuk përfundojnë arsimin dhe i rikthehen sërish lypjes, ndërsa numri i atyre që arrijnë deri në arsimin e lartë është shumë i ulët. Vetë përfaqësues të komunitetit të angazhuar në përmbushjen e strategjive pranojnë se çështja është komplekse edhe për shkak të kulturës së tyre, megjithatë shanset për integrimin mbeten të hapura.