Pretendimi: Presidenti i Argjentinës Javier Milei ka denoncuar kreun e Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSh) për krime kundër njerëzimit në Gjykatën Ndërkombëtare.
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————————
Në rrjete sociale, përfshi edhe ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se presidenti argjentinas Javier Milei ka denoncuar kreun e Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSh) Tedros Adhanom Ghebreyesus për krime kundër njerëzimit në “Gjykatën Ndërkombëtare”.
Postimi i mësipërm, si zakonisht, nuk ofron ndonjë provë, burim apo dokument që mbështet këtë pretendim.
Në shkurt 2025, një muaj pasi presidenti amerikan Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga OBSh, Argjentina njoftoi se do të tërhiqej gjithashtu nga agjencia.
Në postime në rrjete sociale, presidenti argjentinas Milei shkruante më 5 shkurt: “Nuk do të harrojmë kurrë se ata ishin ideologët e karantinës së shpellave që përfshiu, në përputhje me Statutin e Romës 1998 (neni 7.k), kryerjen, në bashkëpunim me të gjitha shtetet që miratuan direktivat e tij, e një nga krimeve më të çuditshme kundër njerëzimit në histori. Kjo është arsyeja pse ne kemi vendosur të largohemi nga një organizatë kaq e keqe, e cila ishte dega ekzekutive e atij që ishte eksperimenti më i madh në kontrollin shoqëror në histori.”
Në atë kohë thuhej se Milei po konsideronte të denonconte Drejtorin e Përgjithshëm të OBSH Tedros Adhanom Ghebreyesus në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) për krime kundër njerëzimit në trajtimin e Covid-19. Ideja qarkulloi jozyrtarisht mes gazetarëve në Casa Rosada, zyrat e presidencës, dhe u duk se u konfirmua nga Milei kur ai ripostoi një lajm të tillë në rrjetin X.
Megjithatë, nuk ka patur një njoftim zyrtar për këtë çështje dhe mbetet e paqartë nëse nisma ekziston.
Një kërkim me emrin e Ghebreyesus në faqen zyrtare të ICC nuk jep asnjë rezultat.
Për krahasim, kryeministri izraelit Netanyahu ka një profil të dedikuar në faqen e ICC, ku deklarohet se ai është në kërkim për krime kundër njerëzimit. Kjo pasi më 17 nëntor 2023, Afrika e Jugut, Bangladeshi, Bolivia, Comoros dhe Xhibuti depozituan një denoncim për krime kundër njerëzimit në Palestinë.
Një dokument i ngjashëm, nëse do të ishte bërë publik, do të konfirmonte pretendimin se Milei ka bërë vërtet një denoncim kundër Ghebreyesus. Në mungesë të tij, pretendimi mbetet i paprovuar.