Pretendimi: Qeveria argjentinase sapo ka miratuar blerjen prej 837 milionë dollarësh të hormoneve për ndryshimin e seksit të fëmijëve.
Verdikti: E pavërtetë
————————————————-
Në rrjete sociale, përfshi edhe ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se qeveria e Argjentinës, me në krye presidentin e djathtë Javier Milei, ka harxhuar 837 milionë dollarë për blerjen e hormoneve që përdoren nga personat transgjinorë.
Në vitin 2023, inflacioni në Argjentinë ishte mbi 140%, ndërsa në Mars Milei deklaroi se do të pushojë nga puna 70 mijë punëtorë administrate dhe do të tkurrë financimet publike, për të ulur shpenzimet e vendit.
Në këto rrethana ekonomike, lajmi se qeveria do të harxhojë 837 milionë dollarë për hormone tingëllon i pabesueshëm.
Në fakt, ky lajm është i pavërtetë.
Sipas medias argjentinase MDZ, Ministria argjentinase e Shëndetësisë miratoi tenderin prej “$827,225,100” për blerje hormonesh.
Megjithatë, ajo çfarë duket se ka ‘humbur në përkthim’ është fakti se kjo shumë është në peso argjentinase, jo dollarë amerikanë.
Në shpalljen e qeverisë argjentinase, specifikohet se kjo shumë është në peso argjentinase
Në një dëshmi të krizës ekonomike që Argjentina po përjeton, 827 milionë peso argjentinase janë ekuivalente me 965 mijë dollarë amerikanë. Kështu, qeveria argjentinase do të harxhojë më pak se 1 milionë dollarë për këtë tender.
Nëse edhe ky shpenzim i duket i çuditshëm lexuesit që beson në pikëpamjet e djathta të Mileit, ky tender është autorizuar më 30 qershor 2023, 6 muaj përpara se Milei të zgjidhej president në Dhjetor 2023.