BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookFurgoni i dyshimtë pranë sulmit terrorist në Moskë nuk mbante targa ukrainase

Furgoni i dyshimtë pranë sulmit terrorist në Moskë nuk mbante targa ukrainase

Pretendimi: Një furgon me targa ukrainase u zbulua nga policia pranë sallës ku ndodhi sulmi terrorist në Moskë

Verdikti: E pavërtetë

Furgoni i kontrolluar pas sulmit në Moskë nuk ka targë ukrainase, siç pretendohet në postime të shpërndara në rrjetet sociale, duke pretenduar lidhjen e Ukrainës me këtë masakër. Faktoje verifikoi se targa e mjetit të dyshimtë është bjelloruse.

Në rrjetet sociale po qarkullon video që pretendohet se  i përket një minibusi të dyshimtë me targa ukrainase që kontrollohet nga policia pranë sallës ku ndodhi sulmi terrorist i 22 marsit në Moskë.

Një minibus i dyshimtë i bardhë me targa ukrainase kontrollohet në parkingun pranë Bashkisë Crocus”-njofton teksti që shoqëron videon.  

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Konkretisht bëhet fjalë për sulmin terrorist që ndodhi më 22 mars 2024 në auditorin Crocus City Hall në Moskë, i kryer nga një grup njerëzish të armatosur, ku humbën jetën së paku 139 persona dhe mbetën të plagosur 180 të tjerë.

Sulmi u mor përsipër nga ISIS-K, dega afgane e organizatës terroriste islamike xhihadiste të njohur si ISIS, e cila ndau në internet foto të agresorëve dhe video të momenteve të sulmit.

Shërbimi i sigurisë ruse ka arrestuar 11 persona me dyshimin se janë përfshirë në mënyra të ndryshme në sulm. Autoritetet ruse nuk e kanë komentuar pretendimin e ISIS. Putin, në vend të kësaj deklaroi publikisht se agresorët ishin kapur, teksa përpiqeshin të iknin në Ukrainë duke folur për “dritare të hapura” qëllimisht në kufirin ukrainas. Këtu duket se është edhe arësyeja e ndarjes masive në rrjet e videos së kontrollit të furgonit të bardhë.

Sipas verifikimeve të kryera nga kolegët e “Facta News”, videoja është e vërtetë, por nuk tregon një furgon të bardhë me targa ukrainase. Pamjet u publikuan fillimisht më 22 mars 2024 në Telegram nga kanali rus “Shot”. Në mbishkrimin që shoqëron imazhet thuhet se ishte inspektimi i një automjeti të dyshimtë nga autoritetet ruse pas sulmit.

Në video shihet vetëm një pjesë e targës ku shkruhet: “94 IX-6”. Numri i ndarë me vizë nga dy shkronjat e mëparshme tregon se është një targë bjelloruse. Numri 6 që shfaqet në targa do të thotë se automjeti ishte i regjistruar në rajonin Mogilyov, në Bjellorusinë jugperëndimore.

Targat ukrainase janë të formuara ndryshe, me dy shkronja, të ndjekura nga katër numra dhe dy shkronja në fund.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img