.

.

BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitArgëtim me “pikatore” në Vlorë, kufizimi i muzikës paralizon lokalet

Argëtim me “pikatore” në Vlorë, kufizimi i muzikës paralizon lokalet

ANILA HOXHA

Në Vlorë, pasojat nga kriza e pandemisë po ua vështirësojnë mbijetesën bizneseve, që po kthehen në “xhonglerë” për t’i shpëtuar falimentimit. Nga marsi deri në fillim të gushtit, u gjobitën 16 subjekte për shkelje të aktit normativ që parashikon gjoba deri në 1 milion lekë të reja. Pesë prej bizneseve, bar-kafe u ndëshkuan se nuk ndërprenë muzikës në mbrëmje. Ky urdhër sipas subjekteve të gjobitura dhe juristëve, ka devijuar nga qëllimi për mospërhapjen e Covid-19 dhe ka krijuar shkak për dëmtim të biznesit dhe korrupsion.


“Në çdo mjedis shërbimi ndalohet muzika pas orës 20:00. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet dënohet me gjobë 1 000 000 (një milion) lekë dhe në rast përsëritjeje, me pezullim aktiviteti për një periudhë 6-mujore. Institucioni përgjegjës për zbatimin e kësaj pike është Policia e Shtetit”.

Ky urdhër mban datën 20 korrik 2020, dhe në të dokumentohen ndryshimet e radhës ndaj aktit normativ të 15 marsit për masat e veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19.

Tri ditë para publikimit të kësaj shtese në aktin normativ, sipas të cilës do të prekeshin veçanërisht bizneset e turizmit, në datën 17 korrik, kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, ftonte turistët të zgjidhnin qytetin bregdetar për të pushuar.

“Dua të shpërndaj një falenderim dhe mirënjohje të thellë për qytetarët nga Kosova, për të gjithë shqiptarët që këtë herë në solidaritetin anti-Covid, kanë bërë solidaritetin e jetës, solidaritetin e të qënit bashkë për të bërë pushime, për të bërë qejf, por mbi të gjitha për të mbështetur ekonomitë reciproke”.

Ekonomia për të cilën po fliste kryebashkiaku u cek më tej gjatë një reagimi për “Faktoje”, ku zoti Leli thekson se është ende herët për të nxjerrë konkluzione për shkallën e prekjes së bizneseve të turizmit nga Covid.

“Normalisht ka ndikim! Turistët e huaj, kryesisht të Europës Perëndimore si Italia, Gjermania, Franca e të tjerë mungojnë, por nga Kosova dhe Maqedonia ka një rritje të turistëve që zgjedhin Vlorën.”- shpjegon Leli.

Por që nga hyrja në fuqi e aktit normativ anti-Covid deri në fillim të gushtit, në qytetin e Vlorës janë gjobitur 16 subjekte. Pjesa më e madhe e tyre janë bar-kafe që refuzuan të mbyllen sipas aktit normativ të datës 15 mars. Ndërkohë, pesë prej tyre u gjobitën, sepse u konstatuan me volum muzike në sfond pas orës 20:00 të mbrëmjes.

Policia e Vlorës, duke u përgjigjur për “Faktoje” dha informacion për masat administrative të vendosura që prej 15 marsit kur hyri në fuqi akti normativ, deri në fillim të gushtit, periudhë gjatë së cilës ky akt pësoi disa ndryshime.

“Për periudhën 16 mars-15 prill 2020 janë gjobitur gjithsej 9 subjekte, të cilat kanë objekt të veprimtarisë bar-kafe. Për periudhën 16 prill-3 gusht janë gjobitur 7 subjekte të cilat janë të regjistruara si bar-kafe.”- deklaron policia e Vlorës.

Pesë nga këto biznese janë gjobitur për shkelje të aktit normativ të ndryshuar, ku urdhërohet ndalimi i muzikës pas orës 20:00.

Në Vlorë, në kulmin e një sezoni të goditur turistik nga pasojat e pandemisë, kufizimi i muzikës, shtrëngoi bizneset “të vihen në rresht” duke u sforcuar të përshtaten edhe me këtë urdhër, që lë vend për diskutim, nëse ia arriti qëllimit për shmangien e përhapjes së Covid-19.

Përpara orës 20:00, gjatë ditës, muzika me volum të lartë në lokalet buzë detit dëgjohet bashkë me dallgët. Kur muzgu bie në Vlorë, një dorë e padukshme fillon dhe ul volumin e tingujve që vijnë nga lokale të ndryshme e përzihen me njëri-tjetrin. Përgjatë “Lungo Mare”-s vendasit dhe turistët bëhen një në xhiron e mbrëmjes. Paralel lokalet, restorantet dhe bar-lounge kanë vendosur nga një pritës që udhëzon klientët. Në hyrje, bashkë me punonjësit, bie në sy veç menusë dhe çmimeve edhe udhëzimi për larjen e duarve dhe dezinfektantët.

Nga një vëzhgim pak pas orës 20:00, përgjatë shëtitores ku numërohen me dhjetëra lokale, vumë re se jo të gjithë e respektojnë urdhërin për ndërprerjen e muzikës. Megjithatë në “Lungo Mare” patrullohet me çifte policësh që ndalojnë dhe tërheqin vëmendjen. Disa nga lokalet e kanë ulur volumin e muzikës, të tjerë e kanë fikur fare. Ngjan sikur “më të dobëtit” i janë bindur aktit normativ nga frika e gjobave.

Por edhe atyre që iu është vendosur masa administrative, që shkon në disa qindra-mijëra lekë të reja, nuk e kanë paguar detyrimin. Ky fakt pohohet zyrtarisht nga Policia e Vlorës e cila thotë se nga 16 gjoba për shkelje të masave anti-Covid, kanë mbetur në fuqi 9 prej tyre.

“Deri në datën 3 gusht janë ankimuar në komisionin e shqyrtimit të ankesave për shkeljet administrative në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë vetëm 4 subjekte”. Ndërkohë nënkryetarja e Gjykatës Administrative Vlorë, Gentiana Xhelili konfirmon për “Faktoje” se megjithë shifrat e publikuara nga policia, askush nga subjektet nuk i është drejtuar gjykatës. Ajo thotë:

“Nuk ka sjellë askush masë sigurimi për pezullimin e këtyre gjobave, ndërkohë që çështjet e themelit, nëse janë dërguar me postë do të shikohet në muajin shtator”.

Por ndërsa një pjesë e lokaleve, duken të boshatisur e të tjerët qëndrojnë rrafsh me muzikën në sfond, për turistët ndalimi i muzikës nuk e ka zbehur argëtimin gjatë pushimeve edhe pse ndryshimi nga vitet e tjera kur lokalet gumëzhinin nga tingujt me volum të lartë, dallohet qartë.

Anna Vanesa, mjeke veterinere nga Tirana, e frekuenton Vlorën rregullisht. Covid-i nuk e ndaloi as këtë vit të kthehet për të pushuar në qytetin bregdetar, me ndryshimin se këtë herë në valixhen e saj nuk mungonin dezinfektantët dhe maskat.

“Lokalet gjatë fundjavave janë plot, muzika nuk ka ndikuar aspak. Madje disa prej tyre kanë zgjedhur që disa koncerte t’i zhvillojnë gjatë ditës. Do preferoja që muzika të mos ndalej, më efektive do ishte që çdokush të zbatonte rregullat dhe lokalet të merrnin më shumë masa për distancimin social” – thotë për “Faktoje” Ana.

Arlind Hanaj, 33 vjeç, i cili prej shtatë vitesh administron një restorant në bregdetin e Vlorës tregon se në situatë të zakonshme, gjatë muajve korrik-gusht ai organizonte së paku 30 datëlindje dhe festa të ndryshme. Me shfaqjen e pandemisë së Covid-19 dhe kufizimet që pasuan, fitimi është pakësuar me 70 për qind, sipas tij.

“E kam qiranë 1500 euro në muaj. Për sonte kisha organizuar ditëlindjen e një vogëlusheje që mbush 1 vjeç. Ishte Ylli Baka i ftuar, por nuk vjen, e anuloi pasi muzika ndalohet pas orës 20:00.”

Arlind Hanaj, administrator restoranti në Ujin e Ftohtë

I riu këmbëngul se i zbaton rregullat, por ankohet se ndalimi i muzikës në lokal, e ka penalizuar. Në këto rrethana, Hanaj ka shkurtuar personelin dhe për të shpëtuar biznesin shtoi shërbimin catering.

Një tjetër administrator, biznesi i të cilit u gjobit 1 milion lekë të reja, për shkelje të urdhërit administrativ për ndërprerjen e muzikës pas orës 20:00, hedh dyshime për njëanshmëri kur vjen fjala tek gjobitja e bizneseve. Ai tregon për “Faktoje” se pas këtij kufizimi ‘të ri” dhe gjobës së majme, u detyrua të pakësojë stafin.

Fleta e masës administrative

Amarildo Ademi e cilëson këtë periudhë si më të vështirën e dhjetë viteve të fundit. Ai thotë se e ka apeluar masën administrative si të padrejtë. Në shkresën e vendosur në dispozicion të “Faktoje” shkruhet:

“Çmojmë se vendosja e gjobës në emër të ankuesit është e gabuar pasi ashtu siç edhe i referuam grupit të inspektorëve të policisë, në momentin e përpilimit të aktit të konstatimit, muzika nuk vinte nga lokali ynë, por nga një mjedis tjetër. Kjo është edhe arsyeja e vendosjes së shënimit “refuzuar” në akt-konstatim”.

Fleta e ankimimit administrativ

Në ankimimin administrativ gjithashtu theksohet:

“Ju sqarojmë se pozicioni gjeografik ku ndodhet restoranti është i atillë që muzika e subjekteve poshtë rrugës kumbon në të gjithë hapësirën, pasi valët e detit përcjellin tingujt deri në kodër dhe krijohet ideja sikur muzika vjen nga ambjenti ynë”.

Por ndërkohë komisioni i shkallës së parë vlerëson se sipas patrullave të përgjithshme aty kishte muzikë jashtë orarit të lejuar. Amarildo Ademi këmbëngul se edhe nëse apelimi nuk i merret parasysh, ai do t’i drejtohet gjykatës administrative, e cila do të vlerësojë nëse policët dëgjuan mbrëmjen e 1 gushtit muzikën e lokalit që ai administron, apo bashkë me tingujt në këtë lokal kishte në sfond edhe muzikë nga subjekte të tjera.

Ademi mendon se muzika në restorante nuk përbën rrezik për grumbullime dhe shkak për përhapjen e pandemisë, sikurse ndodh gjatë festave, të cilat, me kufizimin e ri, janë zhvendosur gjatë orëve të ditës, kur lejohet volumi i lartë.

Avokati Adriatik Lapaj, aktivist i shoqërisë civile tregon këndvështrimin e tij mbi efektet e ndalimit të muzikës në mbrëmje.

“Në radhë të parë ndalimi i muzikës solli trajtim të diferencuar të subjekteve tregtare dhe të argëtimit, duke lënë vend për korrupsion edhe në një çështje kaq thelbësore. Nuk arrihet të kuptohet cili ka qenë qëllimi i një mase të tillë, sa kohë grumbullimet vazhdojnë në subjekte të caktuara dhe gjatë orëve të ndryshme të ditës. Mendoj se më shumë se ndalimi i muzikës në një orar të caktuar do të ishte me vend përcaktimi i masave të distancimit fizik, që këto biznese të turizmit duhet të ndiqnin. Kjo është një betejë afatgjatë, e cila në thelb duhet të ketë uljen e rrezikut nga infektimi dhe jo shkatërrimin e biznesit apo stimulimin e konkurrencës së pabarabartë të bizneseve si pasojë e aferave.”-thotë avokati Lapaj.

Adriatik Lapaj, avokat dhe aktivist i shoqërisë civile

Ai thekson se kufizimet po i shtrëngojnë bizneset të tjetërsojnë natyrën e aktivitetit.

“Vihet re që disa biznese po përdorin truke duke ndryshuar objektin e veprimtarisë së tyre në QKR duke manipuluar kështu drejtpërdrejtë qëllimin e aktit normativ për mbylljen e diskove, pub-eve e të tjera. Mendoj se ka vend për të reflektuar në lidhje me marrjen e masave reale dhe efektive ndaj virusit.”- pohon Lapaj për “Faktoje”.

Por a ka ndikuar kufizimi i muzikës në penalizimin e bizneseve gjatë sezonit të turizmit në Vlorë, sipas kryebashkiakut Dritan Leli?

Ai përgjigjet se kufizimi i muzikës gjatë mbrëmjes ka ndikuar në kohën e qëndrimit të klientëve deri në orët e vona të mbrëmjes, jo në frekuentimin e bareve dhe restoranteve.

Por Arjan Sula, që administron një bar-lounge përgjatë “Lungo Mare”-s thotë i revoltuar:

“Lokali është bosh, por edhe kur vijnë klientë ata e preferojnë muzikën në orët e vona. Kur them klientë, nënkuptoj kryesisht të rinjtë që qëndrojnë deri në mesnatë, drejtpërdrejtë mungesa e tyre do të thotë mungesë në të ardhurat tona”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img