Prej katër ditësh, është ende i pazbatuar, urdhëri i Prokurorisë së Durrësit për sekuestrimin e kontejnerëve të cilët dyshohet se përmbajnë mbetje të rrezikshme të industrisë metalurgjike, prodhuar nga kompania Kurum në Elbasan. Vetëm sot, pasi çështja u ngrit në parlament, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha njoftoi se po merren masa që të gjendet “një hapësirë e përshtatshme”, ndërkohë që shumë prej institucioneve të ngarkuara për ekzekutimin e urdhërit të Prokurorisë, të kontaktar nga Faktoje.al, më së shumti kanë bërë të paditurin, ose kanë heshtur.
Anija turke Moliva, u shfaq pranë portit të Durrësit mëngjesin e së hënës. Në bordin e saj ndodhen 102 kontejnerët me mbetje të cilat ishin nisur nga porti i Durrësit në muajin korrik, me destinacion Tajlandën. Organizata jo qeveritare amerikane, “Bazel Action Netëork”, (BAN) dha alarmin në muajin gusht, duke hedhur dyshime se dërgesat janë pluhur nga Furrat e Arkës Elektrike (EAF) të mbledhur nga filtrat e kontrollit të ndotjes. Ky pluhur i furrës, i cili kërkon trajtim, është një mbetje e rrezikshme që zakonisht vjen nga riciklimi i çelikut të përdorur dhe përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe kromi, të konsideruara të dëmshme për shëndetin dhe mjedisin.
Pas zhurmës që shoqëroi denoncimin nga BAN-i, Tajlanda refuzoi shkarkimin e kontejnerëve në portet e saj, ndërsa kompania ndërkombëtare e transportit MAERSk, njoftoi se do e kthente pas ngarkesën. Mbi rastin nisi një hetim i dyfishtë, nga zyra e Bashkimit Europian kundër Mashtrimeve, OLAF me qendër në Bruksel, si dhe nga Prokuroria e Durrësit.
Urdhëri për sekuestrim
Një ditë përpara se anija Moliva t’i afrohej portit të Durrësit, të paktën 6 institucioneve; Kapitenerisë së Durrësit, Autoritetit portual Durrës, Degës së Doganës, dhe Drejtorisë vendore për Kufirin dhe Migracionin të Durrësit, Drejtorisë së Policisë po të këtij qyteti, si dhe Drejtorisë së hetimit doganor, u mbërriti një shkresë e firmosur nga Prokuroria e Durrësit, bashkëshoqëruar me vendimin për vënien nën sekuestër të kontejnerëve, të njejtët që në korrik ishin ekportuar nga firma shqiptare Sokolaj.
Shkresa që përmban numrat serial të kontejnerëve kërkonte që “gjatë ekzekutimit të vendimit të përshkruhen në mënyrë të detajuar karakteristike dhe numrat e kontejnerëve, si dhe të dhënat mbi kodin e sigurisë dhe gjendjen e plum ecilit kontejner, pa proceduar me hapjen e kontejnerëve”.
Shkresa e Prokurorisë, kërkonte gjithashtu që “të merren masa që sendet e sekuestruara të depozitohen në një vend të sigurtë si përsa I përket sigurisë mejdisore dhe asaj fizike, nëpërmjet monitorimit të kamerave 24 orë”.
Nuk ka datë për zbatimin e sekuestrimit
Prej 4 ditësh, anija Moliva po qëndron jashtë portit në radë, dhe askush nuk ka marrë asnjë veprim për të sekuestruar kontejnerëve në zbatim të urdhërit të Prokurorisë. Heshtja e pashpjegueshme e autoriteteve u thye vetëm te enjten, pasi çështja u ngrit në mënyrë të përsëritur, nga deputetët e opozitës, Agron Shehaj, Enkelejd Alibeaj, dhe Flutura Açka, të cilët ngritën dyshime mbi movperimin e institucioneve duke vënë në dukje se refuzimi për të zbatuar një urdhër të prokurorisë përbën vepër penale.
Si ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me parlamentin, Taulant Balla, ish ministër i Brendshëm në kohën kur mbetjet dolën nga porti I Durrësit, e po ashtu dhe ministri aktual, Ervin Hoxha, hodhën poshtë akuzat se po anashkalohet zbatimi i urdhërit të Prokurorisë. Madje, çuditërisht, ishte zoti Balla, që njoftoi, përpara zotit Hoxha, se “po punohet për t’u bërë gati vendi për të mos patur asnjë problematikë me rrjedhjet e të tjera”.
Vetë ministri i Brendshëm, shpjegoi më pas se “në bashkëpunim me doganën, policinë e shtetit dhe të gjithë agjencitë ligjzbatuese po krijohet infrastruktura e përshtatshme e vendosjes konform ligjit të këtyre kontejnerëve në hapësirat publike që do të kontrollohen e monitorohen nga policia. Janë mbi 102 kontejnerë që kërkojnë infrastrukturë të përshtatshme dhe nuk janë kuti kartoni që mund t’i fshehim. Këto kontejnerë do të vendosen në një hapësirë që do të monitorohet nga policia. Urdhri I prokurorisë është totalisht ekzekutueshëm e po marrim masa në koordinim për ta bërë këtë urdhër të ekzekutueshëm”.
Por ndërsa ministri foli për një veprimtari që po koordinohet dhe me institucione e tjera të ngarkuara nga Prokuroria për kryerjen e sekuestrimit, një pjesë e këtyre institucioneve, të kontaktuara nga Faktoje.al, ose nuk ishin në dijeni, ose zgjodhën të heshtin.
“Ju informoj se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka regjistruar procedimin penal nr.1596/2024. Për sa më sipër për informacionin që kërkoni duhet t’i drejtoheni këtij Institucioni”, u përgjigj Dogana e Durrësit.
Burime nga policia e Durrësit, shpjeguan se “jemi në pamundësi për të ndërmarrë ndonjë veprim”, ndërsa më herët, gjatë mëngjesit të së enjtes, mediat raportuan se porti i Durrësit i ishte dretuar Prokurorisë për ta njoftuar se nuk kishte mundësi të zinte një hapësirë të përshtatshme “pasi mbetjet konsiderohen të rrezikshme dhe kërkojnë kushte të veçanta sigurie”, dhe se nuk mund të garantonte ruajtjen fizike me kamera 24 orë.
Përfaqësuesi i BAN-it, Jim Puckett, tha për Faktoje.al, se shpreson që vonesa në sekuestrimin e kontejnerëve të jetë e lidhur vetëm me gjetjen e një vendi për vendosjen afatgjatë të kontejnerëve”. Megjithatë ai shtoi se “edhe unë jam i shqetësuar nëse ky vendim zgjat shumë ditë. Është absolutisht, ligjërisht e domosdoshme, që kontejnerët të rikthehen në tokën shqiptare sa më shpejt të jetë e mundur dhe të ruhen të sigurta e të mbuluara ndaj shiut dhe erës”.