Pretendimi: Alumini në vaksinat e fëmijërisë shkakton autizmin tek fëmijët
Verdikti: E paprovuar
————————————————–
Në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se alumini që ndodhet në vaksinat që bëjnë fëmijët lidhet me rritjen e rasteve të autizimit.
Si provë për këtë sillet një studim i kryer nga Christopher Exley, profesor i kimisë bioorganike në Universitetin Keele që pretendoi se kishte gjetur “sasi të mëdha alumini në indin e trurit të personave me autizëm”. Studimi i Keele është kritikuar nga rishikuesit për metodologjinë e tij.
Rishikuesit theksuan se studimi nuk krahason nivelet e aluminit që gjeti me ato të indeve të trurit nga njerëzit pa autizëm (grupi i kontrollit). Prandaj, është e pamundur të përcaktohet nëse nivelet e raportuara të aluminit ishin anormalisht të larta, ose nëse ishin të ngjashme me njerëzit pa autizëm, duke zhvleftësuar përfundimin e studimit.
Shkencëtarët që specializohen në neuroshkencë shpjeguan për Health Feedback se pretendimi nuk mbështetej nga pjesa më e madhe e provave shkencore.
Abraham Al-Ahmad, nga Texas Tech University, shpjegoi se: “Alumini është i pranishëm në vaksina si mikrogrimca, me një madhësi grimcash që varion nga 1 deri në 10 mikrometra. Grimca të tilla janë shumë të mëdha për të kapërcyer barrierat qelizore, veçanërisht barrierën gjak-tru (BBB). Për ta vënë këtë në perspektivë, pikëhyrjet e ngushta në BBB kanë një madhësi të poreve prej rreth 4 angstrome (ose 0,0004 mikrometra). Studimet kanë treguar gjithashtu se lëshimi i aluminit në gjak nga vendi i injektimit është jashtëzakonisht i ngadalshëm – është vlerësuar se më shumë se 80% e aluminit mbetet në vendin e injektimit 28 ditë pas injektimit.”
Më tej, sasia e aluminit që një individ mund të marrë nga një vaksinë është e vogël në krahasim me sasinë që foshnjat marrin në dietën e tyre. Siç shpjegohet nga Spitali i Fëmijëve i Philadelphia:
“Alumini që përmbahet në vaksina është i ngjashëm me atë që gjendet në një litër formulë për foshnjat. Ndërsa foshnjat marrin rreth 4,4 miligramë alumin në gjashtë muajt e parë të jetës nga vaksinat, ata marrin më shumë se kaq në dietën e tyre. Foshnjat që ushqehen me qumësht gjiri hanë rreth 7 miligramë, foshnjat e ushqyera me formulë thithin rreth 38 miligramë dhe foshnjat që ushqehen me formula soje konsumojnë pothuajse 117 miligramë alumin gjatë gjashtë muajve të parë të jetës.”