Pretendimi: Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe Edi Rama janë shpallur non grata nga Kosova pas bashkëpunimit me Serbinë për EURO 2027
Verdikti: E pavërtetë
Në postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë pretendohet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shpallur non grata presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Dukën. Ky vendim argumentohet si reagim pas bashkëpunimit të federatës shqiptare dhe asaj serbe për të organizuar Kampionatin Europian të Futbollit 2027 për moshat deri në 21 vjeç. Pjesë e këtij penalizimi, pretendohet se ka rënë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Mirëpo, ky është një informacion i rremë. Në një kërkim të bërë në faqet zyrtare të institucioneve në Kosovë dhe Shqipëri nuk ka asnjë njoftim zyrtar për një vendim të tillë. Veç kësaj, nëse do ishte ndërmarrë një masë e tillë, lajmi do të ishte pasqyruar gjerësisht në mediat shqipfolëse, por edhe ato botërore. Dhe nuk ka asnjë informacion mbi një zhvillim të tillë në asnjë media serioze dhe të besueshme.
Për fat të keq, ky informacion i rremë që është shpërndarë fillimisht në TikTok, ka marrë me mijëra pëlqime dhe qindra komente duke përforcuar gjuhën e urrejtjes dhe nxitur nacionalizma të panevojshme për një event futbollistik. Postimi është publikuar edhe në rrjetet të tjera sociale si Facebook, për të treguar mbështetjen ndaj Kurtit për këtë masë të marre, në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
Sa i takon organizimit të Kampionatit EURO U21, aplikimi i dy Federatave synon që të krijojë ura bashkëpunimi dhe të thyejë barrierat e të kaluarës mes dy kombësive. Të dyja vendet mikpritëse do të organizojnë ndeshjet në grupe për ekipet e kualifikuara. Gjithashtu edhe ndeshjet çerekfinale dhe gjysmëfinale do ndahen në mënyrë të barabartë. Skuadrat e Shqipërisë dhe Serbisë, që kualifikohen automatikisht si organizatore, do t’i luajnë ndeshjet në vendet e tyre dhe e vetmja përballje e mundshme do të jetë në rast se të dyja ekipet do të përballen në finale, e cila është planifikuar të luhet në “Arena Kombëtare” në Tiranë.