Portalet kanë rimarrë së fundi një postim të vjetër të Spartak Ngjelës duke risjellë një mendim personal të avokatit për “grabitjen e liqenit të Ohrit nga Maqedonia”. Ngjela konfirmon për “Faktoje” se ky opinion i përket së kaluarës dhe ngjan sot jashtë kontekstit.
Nevila Gjata
Shqipëria e Madhe është një temë e ndjeshme që përdoret për nxitje të tensioneve ndër-etnike sa herë kur Ballkani mes veti është i trazuar. Një deklaratë e avokatit Spartak Ngjela, mbi liqenin e Ohrit dhe grabitjen e tij nga Maqedonia, ka trazuar së fundi rrjetin.
E botuar edhe në disa faqe të tjera, ky tekst është ricikluar më herët në disa media si shqiptare ashtu edhe maqedonase.
Kjo deklaratë e avokat Ngjelës është bërë vërtetë prej tij, por nuk është aktuale dhe në një kontekst krejt tjetër. Përmbajtja e artikullit (me gabime drejtshkrimore) i atribuohet një postimi të Spartak Ngjelës në faqen e tij në Facebook të vitit 2018, atëherë kur edhe ngjarjet politike në Maqedoninë e Veriut ishin të tjera nga sot.
Deri më tani nuk ka të dhëna zyrtare nëse Liqeni i Ohrit është i grabitur. Nuk ka fakt historik dhe as deklarata të historianëve që ta mbështesin këtë tezë. Nuk është ngritur asnjëherë si çështje as në grupet e përbashkëta të punës apo marrëveshjet e firmosura mes dy vendesh.
Vetë Spartak Ngjela i pyetur nga “Faktoje” nëse i qëndron deklaratës në fjalë, përgjigjet: “Unë çështjen e kam parë nga një tjetër prizëm…Le të shpjegohemi. Maqedonia e Veriu është një shtet me dy etni, dhe etnia shqiptare ka një popullsi mbi 1 milionë banorë. Dhuna e sllavëve gjithmonë ka persekutuar shqiptarët, dhe ka dekada që nuk i regjistron këta në rastet e regjistrimit të popullsisë. Por, tani kohët kanë ndryshuar. Kurse gjendja në Maqedoninë e Veriut pritet të ndryshojë. Por aty, shqiptarët e shitur kanë prishur shumë punë”, thotë Ngjela për “Faktoje”.
Një qëndrim që i atribuohet vetëm atij, por asnjë deklarate zyrtare të politikës së lartë të Perëndimit. Ndryshe nga raportet e disa vendeve (me histori të vjetra) të Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë në normalitet edhe me rrugëtimin e përbashkët pas hapjes së bisedimeve me BE. (Kujtojmë se janë të dyja edhe anëtare të NATO-s). Raportet mes Shkupit dhe Tiranës janë cilësuar më të mira se asnjëherë tjetër nga qeveritë e të dy vendeve.