Një numër mediash dhe portalesh raportuan më 7 nëntor se presidenti palestinez Mahmoud Abbas ishte sulmuar me armë në një atentat ndaj jetës së tij. Verifikimi i Faktoje zbuloi se video që sillet si dëshmi për këtë pretendim në të vërtetë tregon një operacion policor në Palestinë.

——————————

Lajmi i një atentati ndaj presidentit të Autoritetit Palesitnez, Mahmoud Abbas, u raportua gjerësisht në media, shoqëruar me një video që duket se tregonte momentin e sulmit ndaj eskortës së Abbas.

Shumica e raportimeve përfshinin edhe pretendimin se një nga truprojat e Abbas kishte mbetur i vdekur si rezultat i këtij atentati.

Video që shoqëron këtë pretendim tregon një përleshje mes dy grupeve të armatosura, por në të nuk vërehet ndonjë tregues që bëhet fjalë për eskortën e Abbas.

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se kjo video ishte postuar fillimisht nga media lokale palestineze Khabar24rrjetet e tyre sociale.

Në përshkrimin që shoqëron videon, raportohet se “Kapiten Abdul Karim Qararieh nga Al-Fandakumiya u plagosme armë zjarri nga një bandë kriminale në kampin Al-Jalazoun, në veri të Ramallah, gjatë një përpjekjeje për të arrestuar shpërndarësin më të madh të drogës.”

Ky lajm përkon me njoftimin e bërë në 7 nëntor nga gjenerali Talal Dweikat, zëdhënës i forcave të sigurisë të Autoritetit Palestinez, i cili bëri me dije se “6 pjesëtarë të forcave të sigurisë palestineze u plagosën, njëri në mënyrë serioze, gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim për trafikim droge.”

Kolegët e France24 kanë arritur të identifikojnë vendndodhjen ku është xhiruar video si pranë kampit Al-Jalazoun në afërsi të Ramallah.

Si përfundim, video që sillet si provë e një atentati ndaj Mahmoud Abbas duket se nuk ka të bëjë fare me të, por tregon një operacion policor.

Shënim:

datën 20 nëntor 2023 website https://euronews.al/ e ka korrigjuar pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Shënim:

Data 13 dhjetor 2023 website indeksionline e ka korrigjuar pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.