Pretendimi: Bashkëshortja e kryetarit të bashkisë së Tiranës tentoi vetëvrasjen pasi mësoi se do të arrestohej

Verdikti: E paprovuar

Arrestimi i kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj është një nga ngjarjet më të rëndësishme të politikës shqiptare në 30 vitet e fundit. Pjesa e rëndësishme e hetimit të prokurorisë speciale SPAK është dhe bashkëshortja e z.Veliaj, Ajola Xoxa, e cila akuzohet si përfituese e financimeve të disa kompanive që kanë marrë leje ndërtimi nga bashkia Tiranë. Por ndërsa z.Veliaj u arrestua në zyrën e tij në mesditën e 10 shkurtit, bashkëshortja e tij, e vendosur në masën e arrestit shtëpiak, nuk gjendej në Shqipëri. Në këto orë të para të publikimit të lajmit, është ndarë në rrjet informacioni se Ajola Xoxe kishte tentuar të vetëvritej dhe ndodhej nën kujdes mjekësor.

Lajmi i publikuar në të njëjtën ditë të arrestimit, në 10 shkurt, nga profili në Facebook “Real Story” ndahet me titullin intrigues “Ajola Xoxa tenton vetëvrasjen?! Ndodhet në…”

Si burim për këtë lajm që nuk haset në asnjë media tjetër faqja përmend një status në Facebook të një aktivisti të njohur, por pa publikuar identitetin e tij. Verifikimet në motorët e kërkimit nuk zbulojnë një status të nesërmen e publikimit të lajmit duke krijuar dyshimin se mund të jetë fshirë nga autori. Cilido të ketë qënë arsyeja e këtij statusi, ai nuk mund të jetë i vërtetë dhe as mund të shërbejë për të krijuar një lajm për portale apo faqe që informojnë publikun.

Mediat kryesore në vend publikuan mbrëmjen e të njëjtës ditë momentin e kthimit të Ajola Xoxes nga Roma dhe shoqërimit të saj nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit menjëherë sapo zbriti në aeroportin e Rinasit.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme ndaj Xoxës u vendos masa e sigurisë ‘arrest në shtëpi’ pasi akuzohet për veprat penale të si e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.