Kryeministri Edi Rama, dy muaj më parë premtoi se shkolla 9-vjeçare dhe kopshti “Kastrioti” në Derven të Krujës do ishin gati më 26 nëntor. Kryeministri Rama, në muajin shtator premtoi gjithashtu se edhe shkolla 9-vjeçare “Ramazan Jangozi” në Thumanë do ishte gati shumë shpejt, mirëpo teksa afati i punimeve është në përfundim, as kjo shkollë nuk është gati të presë nxënësit.
Kruja bën pjesë tek zonat më të goditura nga tërmeti i 26 nëntorit, i cili përveç viktimave la pas mijëra të pastrehë dhe shkatërroi 16 objekte shkollore në tërritorin e kësaj bashkie.

Kryeministri Edi Rama, në muajin dhjetor 2019 pati premtuar se të gjitha shkollat e dëmtura nga tërmeti i 26 nëntorit do rindërtoheshin brenda muajit shtator 2020.
Mirëpo më 12 gusht të këtij viti, ai e shty afatin për ndërtimin e shkollave të dëmtuara për në vitin 2021.
Më 28 shtator 2020, kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në Facebook, njoftoi se shkolla 9-vjeçare dhe kopshti “Kastrioti” në Derven të Krujës do ishin gati më 26 nëntor.

Më 26 nëntor, “Faktoje” ishte në Derven të Krujës, në kantierin ku po rindërtohet shkolla e re dhe kopshti.


Përtej premtimit të kryeministrit Edi Rama, edhe afati i përcaktuar për përfundimin e punimeve në shkollën 9-vjeçare dhe kopshtin “Kastrioti” në Derven ishte muaji nëntor.

Më 22 shtator 2020, kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetin social
“Facebook”, njoftoi se shkolla 9-vjeçare “Ramazan Jangozi” në Thumanë do ishte gati shumë shpejt për të pritur nxënësit.

“Faktoje”, më 26 nëntor ishte në Thumanë, në vendin ku po rindërtohet kjo shkollë.


Edhe për shkollën 9-vjeçare “Ramazan Jangozi” në Thumanë, afati i përfundimit të punimive ishte muaji nëntor 2020.

“Faktoje” më herët pyeti zyrtarisht Bashkinë Krujë lidhur e procesin e rindërtimit të shkollave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, nivelin e përcaktuar të shkallës së dëmtimit si dhe kapacitetet.

Në përgjigjen e bashkisë Krujë thuhet se Shkolla “Ramazan Jagnozi”, me shkallë dëmtimi DS5, ka një kapacitet 85 nxënës dhe 40 fëmijë kopshti.
Premtimet e kryeministrit Edi Rama për rindërtimin e shkollës 9-vjeçare dhe kopshtit “Kastrioti” në Derven të Krujës si dhe shkollës 9-vjeçare “Ramazan Jangozi” në Thumanë do t’i kategorizojmë si premtime të pambajtura.