.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookAeroporti i ri i Vlorës rrezikohet nga shpendët që shtegtojnë në lagunën pranë tij

Aeroporti i ri i Vlorës rrezikohet nga shpendët që shtegtojnë në lagunën pranë tij

Pretendimi: Shtegtimi i zogjve në lagunën Vjosë-Nartë nuk rrezikon avionët që do ulen në aeroportin e ri të Vlorës

Verdikti: Mungon konteksti

“Trafiku” i madh i shpendëve në lagunën Vjosë-Nartë përbën rrezik për avionët në aeroportin e Vlorës, argumentojnë ekspertët, ndryshe nga çfarë pretendohet në postime të shpërndara në rrjetet sociale. Aeroporti po ndërtohet në një distancë vetëm 100 metra nga kolonitë kryesore të shpendëve në zonën e mbrojtur dhe këto tufa mund të shkaktojnë përplasje me aeroplanët.

Postime të shpërndara në rrjetet sociale i cilësojnë si absurde argumentet mbi lidhjen e ndërtimit të aeroportit të Vlorës dhe korridorit të zogjve shtegtarë. Sipas tyre, ky është një pretendim i pabazë, duke theksuar se po bllokohet një prej projekteve më të mëdha të turizmit.

Një pretendim absurd ai kundër aeroportit të Vlorës me ‘argumentin’ se është korridor i zogjve shtegtar. Po ekspertët evropianë ku janë për të ndaluar me këtë pretendim fluturimet në mbi 1 mijë aeroporte në Evropë? 24 mijë fluturime në ditë bëhen në Evropë, në qiejt ku sigurisht shtegtojnë zogjtë”-shkruan profili “Zonat e Mbrojtura” në një postim në Instagram.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Mirëpo, për këto të dhëna, ky profil që poston kryesisht materiale promovuese të zonave turistike të vendit,  nuk i referohet ndonjë burimi të besueshëm informacioni apo të dhënave nga ekspertët.

Për të mësuar më tepër rreth ndikimit që ka ndërtimi i aeroportit në këtë zonë, “Faktoje” kontaktoi Mirjan Topin, ornitolog nga grupi “Shpendët e Shqipërisë”. Inxhineri i mjedisit sqaroi se Aeroporti i Vlorës ndodhet midis dy prej lagunave më të mëdha dhe më të rëndësishme në Shqipëri përsa i përket pranisë së shpendëve të egër.

“Duhet të kemi parasysh që aeoporti ndërtohet në një distancë vetëm 100 metra nga kolonitë kryesore të shpendëve në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë. Duhet të kemi parasysh që vendodhja e pistës do jetë në vijë të drejtë midis lagunës së Nartës dhe Lagunës së Karavastasë, që janë dy ndër mjediset më të mëdha liganotire, bregdetare të Shqipërisë dhe ka një trafik të jashtëzakonshëm shpendësh.

Ne kemi vite që e vërejmë, ka një trafik të jashtëzakonshëm shpendësh dhe në shumë raste shpendë me përmasa dhe peshë të tillë që në qoftë se do përplasen me aeroplanët mund të shkaktojnë aksidente tragjike. Imagjoni sikur një pelikan, dy apo një tufë prej tyre të përplasen me helikat e avionit. Imagjoni 600 apo 1 mijë flamingo, ngrihen në fluturim të gjithë tufë së bashku të përplasen me krahët e avionit. Imagjoni një tufë çafkash që janë të gjithë shpendë të mëdhenj të përplasen me avionët. Kjo është vërtetuar se sjell aksidente tragjike”, sqaron Mirjan Topi, ornitolog.

Ai shton gjithashtu se në Europë mund të ketë aeroporte në rrugët e shtegtimit, por ka pasur një sërë studimesh serioze paraprakisht për të parë ndikimin direkt që mund të ketë. Ndërkohë, sipas ekspertit, në rastin e aeroportit të Vlorës, nuk është bërë një studim i tillë.

“Mund të ketë aeroporte në rrugët e shtegtimit, por janë bërë studime shumë serioze për të parë nëse në zonën specifike ka shtegtim shpendësh apo jo. Në rastin e aeroportit të Vlorës, një punë e tillë nuk është bërë.

Ne kemi bërë vrojtime dhe kemi vënë re se pikërisht në zonën e aeroportit dhe përreth saj, ka rregullisht tufa prej mijëra shpendësh, të cilët herë pas here ngrihen në fluturim dhe këto tufa shkaktojnë edhe përplasje me aeroplanët”, argumentoi eksperti Topi.

Në shkurt të vitit 2021, 37 organizata kombëtare dhe ndërkombëtare i kërkuan kryeministrit të vendit (nëpërmjet një letre të hapur) anulimin e ndërtimit të aeroportit brenda kufijve të zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë.

Në një postim të publikuar në janar të vitit 2022, grupi i përbërë nga ekspertë, “Shpendët e Shqipërisë” tregonte se si një aksident ajror kishte ndodhur në vitin 1960 pikërisht nga përplasja e një aeroplani pasagjerës me një tufë shturash, ku nga 72 pasagjerë që ndodheshin në bord 62 humbën jetën dhe 10 u plagosën rëndë.

“Nëse një pulëbardhë përplaset me një aeroplan që lëviz më shpejtësi 240 km/h forca e goditjes është 2 tonë, nëse shpejtësia rritet 2 fish pra 480 km/h atëherë forca e goditjes bëhet 9 tonë.

Imagjinoni se çfarë mund të ndodhë me një forcë të tillë goditëse në një vend si Vjosë-Narta ku numri i shpendëve është me mijëra në çdo ditë të vitit”, argumenton grupi i ekspertëve “Shpërndët e Shqipërisë”.

Shqetësimi mbi ndërtimin e këtij aeroporti është ngritur edhe një një artikull të publikuar nga Reuters në janar të vitit 2022.

Sipas Reuters, laguna piktoreske Vjosë-Nartë është një ndalesë vendimtare për tufat e shpendëve në migrimin e tyre vjetor midis Evropës dhe Afrikës. Kjo zonë është shpallur zonë e mbrojtur folezimi dhe migrimi në vitin 2004 dhe është shtëpia e 200 llojeve shpendësh.

Në një artikull të publikuar në shkurt të vitit 2022, Faktoje ngrinte shqetësimin se investimi për aeroportin e Vlorës do të zinte vend brenda Zonës së Mbrojtur “Kompleksi ligatinor Delta e lumit Vjosë – Laguna e Nartës” e shpallur si Peizazh i Mbrojtur (Kategoria V) sipas legjislacionit shqiptar me VKM Nr. 680, datë 22.10.2004.

Për më tepër zona gëzon paralelisht edhe statuse të tjera mbrojtjeje në bazë të legjislacionit ndërkombëtar. Për ekspertët e mjedisit, Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë shërben si korridor për shtegtimin e shpendëve përmes Adriatikut, për të kaluar nga veriu i globit në jug të tij, drejt Afrikës. Më të njohurat në ligatinë janë Flamingot, por edhe shpendë të tjerë.

Ndërtimi i Aeroportit të Vlorës u kundërshtua edhe gjatë takimit vjetor të Komitetit të Përhershëm të Konventës së Bernës, mbajtur në fund të vitit 2022 në Strasburg, ku autoriteteve shqiptare iu kërkua ndalimi i punimeve për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Gjithashtu, Komiteti i kërkoi qeverisë shqiptare të nisë një program gjithpërfshirës të monitorimit të jetës së egër dhe të integrojë të dhënat në raportin e rishikuar të vlerësimit të e ndikimit në mjedis.  

“Me ndërtimin e një aeroporti brenda një zone të mbrojtur, qeveria shqiptare anashkalon zbatimin e ligjit duke dëmtuar natyrën dhe favorizuar interesa të caktuara. Procese të tilla duhet të frymëzojnë mosebesim ndaj Bashkimit Europian.”- deklaroi në qëndrimin zyrtar të publikuar në njoftimin për shtyp Annette Spangenberg, drejtuese e konservimit pranë EuroNatur.

Screenshot nga padia e organizatave mjedisore kundër aeroportit të Vlorës

Disa ditë më parë, kompania “Air Albania” njoftoi publikisht se një nga avionët e saj ishte dëmtuar në Tiranë si pasojë e një sulmi shpendësh gjatë uljes.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img