Një lajm i publikuar në 11 gusht të këtij viti nga portalikoha.com, me titullin sensacional për një sherr mes deputetit Xhafaj dhe kryeministrit Rama, është verifikuar si dizinformues nga Faktoje. Lajmi ka informacione të pavërteta dhe të shtrembëruara, çka keqinformon audiencën.
Nevila Gjata
E enjtja e 11 gushtit të këtij viti ishte një ditë e qetë për politikën shqiptare.
Secila prej partive kryesore në vend tha fjalën e vet.
Ilir Meta foli për dy nisma të Partisë së Lirisë në shtator.
PD-ja ngriti pyetjet e radhës ndaj SPAK për inceneratorët.
Ndërsa kryeministri Edi Rama foli për marrëveshjen e financimit shtesë për rrugën Qukës-Qafë Plloçë mes qeverisë shqiptare dhe Fondit Saudit të Zhvillimit dhe postoi pak më vonë në Facebook një tabelë. Sipas tij, tregohej se si ishte rritur numri i turistëve të huaj në Shqipëri nga qershori deri fillim gushti të këtij viti.
Në morinë e lajmeve të ditës (që nuk ishin të nxehta si vetë ditët) ra në sy një lajm i botuar nga portalikoha.com.
Faktoje.al ka mësuar se në datën 11 gusht (kur është publikuar shkrimi) nuk ka pasur mbledhje të raportuar nga selia e PS-së dhe as debat Xhafaj-Rama.
Fatmir Xhafaj nuk ka postim në profilin e tij në rrjetet sociale në datën 11 gusht.
I fundit është një koment i tij për 6-vjetorin e miratimit me konsensus të ndryshimeve kushtetuese, për reformën në drejtësi.
Screenshot nga postimi i fundit në rrjetet sociale nga Fatmir Xhafaj
Nëse lexon më tej përmbajtjen e artikullit vëren se ajo nuk ka lidhje me titullin, duke qenë që në fillim lajm dizinformues.
Screenshot i përmbajtjes së artikullit të portalikoha.com
Përmbajtja në shkrim i referohet, jo ndonjë goditjeje, por një fjale (me gabime drejtshkrimore dhe jo e saktë) të Fatmir Xhafës mbajtur në mbledhjen e përbashkët të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, kur diskutohej nisma e mazhorancës për ndryshime kushtetuese për mandatin e organeve të vettingut.
Screenshot i artikullit të publikuar nga portalikoha.com
Në amendamentet kushtetuese të PS-së, që u depozituan zyrtarisht më 15 tetor të vitit të kaluar (2021) në Kuvend me firmat e mbi 28 deputetëve socialistë, parashikohej që mandati i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerëve Publikë, që u përfundonte afati në qershor të vitit 2022, të shtyhej deri në fund të vitit 2024.
Qëndrimi i Fatmir Xhafajt ndaj zgjatjes së afatit të organeve të vettingut nuk është mbajtur këto ditë gushti, por në fillim nëntori të vitit të kaluar, atëherë kur u zhvillua edhe mbledhja e përbashkët mes Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve për nismën në fjalë.
Deklarata e tij si anëtar i Komisionit të Ligjeve është mbajtur në datën 1 nëntor të vitit 2021 dhe jo ditët e sotme siç referon në përmbajtje portalikoha.com.
Screenshot i procesverbalit të diskutimit nga Fatmir Xhafaj me 1/11/2021
Në përmbajtje të artikullit thuhet gjithashtu se “Xhafaj ka dalë kundër kolegëve për zgjatjen e organeve të vettingut”.
Parlamenti miratoi zgjatjen e afateve të organeve të Vettingut me 118 vota pro asnjë kundër dhe 4 abstenime në datën 10 shkurt të këtij viti.
Rezultati i votimit te zgjatjes së organeve të vettingut, publikuar nga ata.gov.al
Fatmir Xhafaj ishte një nga 118 votat pro zgjatjes së vettingut.
Screenshot i votës se deputetit Fatmir Xhafaj për zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut
Shkrimi citon gjithashtu se Xhafaj po sillet si deputet i pavarur.
Nuk ka asnjë kërkesë nga Fatmir Xhafaj që të ketë dorëzuar në Kuvend si deputet i pavarur apo të jetë vetshpallur i tillë.
Screenshot i përbërjes së grupit parlamentar të PS, burimi; Parlament.al
*Screenshot i fotos kryesore, marrë nga portalikoha.com
*Artikulli publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook kundër dizinformimit