.

.

BallinaProjekteQendra Kundër Dezinformimit e Ballkanit PerëndimorA u propagandua me uljen e tarifave të internetit roaming?

A u propagandua me uljen e tarifave të internetit roaming?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama njoftoi se prej datës 1 Tetor 2023 çmimet e internetit roaming janë ulur mesatarisht deri në 99%. Deklarata erdhi pas marrëveshjes mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit. Një verifikim i Faktoje tregon se çmimet e paketave dhe tarifave të internetit roaming të kompanive celulare, siç u perceptua nga publiku në Shqipëri, nuk kishin ndryshuar. Ulja u aplikua vetëm për internetin pay as you go, dhe do të bëhet në 3 faza, që do të marrin disa vite kohë.

Jona Plumbi

Në datë 3 Tetor 2023 kryeministri Rama njoftoi në rrjetin social Facebook se “prej 1 Tetorit çmimet e “Internet Roaming” mes Europës dhe Ballkanit Perëndimor janë ulur mesatarisht deri 99%”.

Edhe mediat e lajmëruan gjerësisht uljen me 99% të tarifave të internetit roaming.

Nisur nga kjo deklaratë ne vendosëm të verifikojmë nëse është ulur çmimi për përdorimin e internetit jashtë kufijve. Nga një vëzhgim i tarifave të publikuara online nga kompanitë e telefonisë në vend, pas 1 Tetorit, rezultoi se çmimet e paketave dhe tarifave të internetit roaming nuk kishin ndryshuar.

*tarifat e paketave roaming nga operatorët e telefonisë në Shqipëri në datën 4-17 Tetor
*tarifat e paketave roaming nga operatorët e telefonisë në Shqipëri në datën 4-17 Tetor

Ne kërkuam të dhëna nga Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit (Regional Cooperation Council) dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për t’u informuar lidhur me mënyrën e aplikimit të uljes së tarifave deri në 99%, si dhe momentin se kur do të ndodhë kjo.

Sipas informacioneve të ofruara nga RCC dhe AKEP, 38 operatorë nga vendet e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor kanë firmosur një deklaratë vullnetare për reduktimin e tarifave të internetit roaming.

Pjesë e kësaj deklarate është bërë vetëm një nga operatorët e telefonisë celulare në Shqipëri.

Nga ky tetor, kufiri i çmimit për 1 GB roaming në kuadër të ofertave dhe paketave speciale, që ishte objekt i Deklaratës për Roaming, nuk duhet të kalojë 18 euro. Tre operatorë të Ballkanit Perëndimor, krahas uljes së çmimeve të paketave (që ishte objekt i Deklaratës së Roaming-ut), ulën edhe çmimet e rregullta, “pay-as-you-go”.” shpjegon RCC për Faktoje.

AKEP shpjegoi gjithashtu se ulja e tarifave nga operatorët që kanë firmosur deklaratën do të jetë graduale dhe jo një ulje me 99% të çmimit, siç njoftoi Kryeministri në 3 Tetor 2023.

Në deklaratën e përbashkët operatorët kanë rënë dakord për uljen graduale të tarifave të internetit në roaming duke filluar nga data 1 Tetor 2023 ku çmimi me pakicë për 1 GB internet do të jetë jo më shumë se 18 Euro, jo më shumë se 14 Euro në vitin 2026 dhe jo më shumë se 9 Euro në vitin 2028. – AKEP, 17 Tetor 2023”

Nga ky informacion kuptojmë se do duhen të paktën 5 vjet të tjera që tarifa për 1 GB internet roaming të shkojë në 9 euro sipas kësaj marrëveshjeje.

Sa kushtonte interneti roaming para 1 Tetorit

Çmimet e publikuara nga vetë operatori i telefonisë që ka firmosur marrëveshjen tregojnë se interneti roaming mund të blihet përmes paketave dhe ofertave për 1000 lekë për 1 GB, i vlefshëm për 1 javë.

*çmimi i internetit roaming në paketat e One Telecommunications pas datës 1 Tetor

Ky çmim i internetit roaming, në paketat ekzistuese të kësaj kompanie edhe përpara datës 1 Tetor, është i barabartë me çmimin tavan që përcakton deklarata për Roaming, për vitin 2028.

Pra, nisur nga krahasimi i çmimit të internetit roaming në paketa dhe oferta, përpara dhe pas datës 1 Tetor, mund të dalim në konkluzionin se çmimi nuk është ulur, sepse tashmë 1 GB internet kushtonte më pak se 18 Euro.

Ku konsiston ulja e çmimit të internetit për shqiptarët

Sipas informacionit të mundësuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, sa i përket operatorit të telefonisë mobile në Shqipëri, i vetmi çmim që është ulur si pasojë e marrëveshjes së firmosur që hyri në fuqi në 1 Tetor, është interneti roaming “pay-as-you-go”, pra internet roaming që përdoret jo përmes blerjes së paketave me çmim dhe sasi interneti të paracaktuar.

RCC informoi Faktojen se përpara datës 1 Tetor, 1 GB internet pay-as-you-go tregtohej nga kompania shqiptare për 376 – 565 euro. Prej 1 Tetorit, çmimi i 1 GB internet pay-as-you-go kushton 23 Euro duke u ulur me 93-95%.

Ajo që bie në sy është se pavarësisht uljes drastike për këtë formë të shërbimit të internetit roaming, gjithsesi çmimi për 1 GB “pay-as-you-go” kushton 23 Euro, ose 5 Euro më shumë se çmimi tavan që përcakton marrëveshja në fjalë.

*tarifat e internetit roaming të One telecommunications në datën 17 Tetor

Për të kuptuar se cili ishte perceptimi i publikut për uljen me 99% të internetit ne bëmë një anketë me ndjekësit e Faktoje.

94% e tyre thotë se nuk është ulur çmimi i intrnetit roaming.

*rezultatet e anketës me ndjekësit e Faktoje në Instagram

Çfarë u ul në të vërtetë me 99%

Nxitur nga trumbetimi i uljes me 99% që kryeministri Rama njoftoi për çmimin e internetit roaming, ne kërkuam informacion se në cilin rast ka ndodhur një ulje e tillë.

Në përgjigjen e ardhur nga RCC për Faktoje, kuptojmë se ulja me 99% të paktën deri më tani, nuk lidhet me Shqipërinë.

Ulja me 99% i referohet një kompanie telekomunikimi që operon në Bosnje Hercegovinë, e cila uli çmimin e internetit jashtë paketave (pay-as-you-go) që arrinin deri në 9,350 euro për 1 GB, duke i çuar në 17.2 euro për 1 GB, duke shënuar një ulje prej 99.8%. Një tjetër operator që ka shënuar ulje drastike të çmimit është operatori i telefonisë mobile në Kosovë, që e uli çmimin për 1 GB internet roaming nga 2,500 euro në 17 Euro, me 99.3% ulje”. – saktëson RCC.

Përfundim

Ulja me 99% e çmimit të internetit roaming e njoftuar nga kryeministri Rama, krijoi konfuzion mes qytetarëve, pasi u kuptua si ulje e çmimit të paketave roaming kur udhëtojnë në vendet e BE. Por në Shqipëri çmimi i internetit roaming nuk u ul me 99% në datën 1 Tetor.

Ajo që ndodhi ishte se 3 kompani telefonie mobile në Ballkanin Perëndimor, firmosën një marrëveshje për përcaktimin e çmimit maksimal të internetit roaming. Kjo Marrëveshje do të zbatohet në tri faza, duke e çuar çmimin e 1 Gb në 9 euro në vitin 2028.

Në rastin e kompanisë shqiptare të telefonisë mobile që ka firmosur marrëveshjen, çmimi tavan që hyri në fuqi në 1 tetor është më i lartë se çmimi ekzistues i internet roaming në paketa dhe oferta. Kjo do të thotë se ata qytetarë që blejnë paketa dhe oferta për të përdorur internetin jashtë Shqipërisë, nuk do shohin ulje të çmimit të internetit si rezultat i kësaj marrëveshjeje.

Qytetarët shqiptarë që përfitojnë nga ulja e çmimit prej 1 Tetorit 2023, janë ata që kanë një numër celulari One dhe përdorin internetin roaming pay-as-you-go, pra jashtë paketave dhe ofertave.\

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img