Prania dhe ndikimi kinez në Shqipëri, nuk është një fenomen i të shkuarës komuniste, ashtu siç mund të perceptohet nga ata që janë njohur me shkëlqimin dhe rënien e marrëdhënieve në kohën e diktaturës. Numri i konsiderueshëm I projekteve strategjike, kulturore etj. është tregues domethënës i interesit të shtuar që Kina ka për Ballkanin e veçanërisht Shqipërinë. Faktoje sjell një analizë bazuar në të dhëna e studime mbi të dyja anët e medaljes dhe çfarë roli luan mungesa e interestit nga Perëndimi, apo lodhja me procesin e tejzgjatur të integrimit në Bashkimin Europian në strategjinë për rritjen e ndikimit kinez.

Barbara Halla

Në nëntor, Gazeta Si publikoi një artikull ku vihej në dukje numri i lartë i veprave që shtëpia botuese Fan Noli ka sjellë në shqip. Bazuar në një shkrim të publikuar në portalin kinez Global Times, pjesa e parë e artikullit flet në mënyrë neutrale dhe gati pozitive për interesin në rritje të lexuesit shqiptar për libra mbi kulturën kineze. Por ai ndiqet menjëherë nga përmbledhja e një raporti të përgatitur nga CEPA (Qendra për Analizën e Politikave Europiane) ku analizohet strategjia afatgjatë e qeverisë kineze për të rritur ndikimin e saj në Shqipëri. Një nga fazat e kësaj strategjie është edhe rritja e ndikimit kulturor përmes promovimit të historisë, letërsisë, dhe gjuhës kineze.

Burim: Gazeta Si

Po sa i gjerë është ndikimi i kinez në shoqërinë dhe ekonominë shqiptare? Hulumtimet e Faktoje tregojnë se Kina ka një interes strategjik ndaj Shqipërisë si dhe Ballkanit Perëndimor. Dhe ky interes e ka çuar të bëjë disa investime kyçe ekonomike dhe diplomatike në rajon. Megjithatë, në rastin e Shqipërisë, këto investime nuk kanë pasur rezultatet e pritura. Në përgjithësi, Shqipëria ka refuzuar orvatjet e Kinës për t’u bërë një nga investitorët kryesorë në vend, dhe ndikimi kulturor (si në fushën e edukimit, dhe në atë të medias) vazhdon të jetë i kufizuar.

Megjithatë, hetimet tona tregojnë po ashtu se Kina po zbaton një plan afatgjatë në Shqipëri dhe mund të shfrytëzojë mungesën e interestit nga Perëndimi, si dhe lodhjen me procesin e tejzgjatur të integrimit në Bashkimin Europian, për t’u paraqitur si një alternativë e mundshme.

Strategjia Ekonomike dhe Diplomatike e Kinës në Ballkan

Kina ka një interes strategjik dhe gjeografik për Ballkanin Perëndimor, si një nyje kyçe tregtie përmes të cilës mund të zgjerojë tregun e saj ndaj Europës. Sipas një artikulli të publikuar në Per Concordiam, një revistë akademike që fokusohet në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes në Europë, Kina mund të përdorë marrëveshje tregtare me Ballkanin Perëndimor që t‘i mundësojë kompanitë kineze të anashkalojnë kufizimet tregtare dhe të eksportojnë produkte direkt në tregun e BE-së prej 800 milionë banorësh, falë marrëveshjeve të tregtisë së lirë që vendet e Ballkanit Perëndimor gëzojnë me BE-në.

Për t’ia arritur këtij qëllimi, por edhe synimeve më të gjera ekonomike, Kina ndjek një politikë që është quajtur nga disa hulmtues si “debt-trap diplomacy,” pra një diplomaci e cila bazohet në investime dhe kredi me kleçka. Siç e parashtron edhe një raport i Parlamentit Europian: “Shuma e kredive dhe kthimi i ulët nga investimi e bëjnë të vështirë për shtetet që të përmbushin  marrëdhëniet e tyre kontraktuale [me Kinën]. [Kjo] bën që ato ekonomi të vogla të bëhen të varura nga Kina nëse nuk mund të shlyejnë kreditë.” Në fakt, po i njëjti raport tregon sesi kontratat e nënshkruara midis qeverive të shteteve të vogla (si ato të Ballkanit Perëndimor) përfshijnë klauzola që i fusin shtetet në kurth, duke kërkuar që në rast mospagese, ato të transferojnë pronësinë ndaj shtetit ose kompanive kineze. Ky qe rasti me Malin e Zi, ku si porti i Barit dhe një autostradë madhore për të cilën vendi i mori borxh Kinës 1 miliard dollar, janë ende të pambaruara dhe rrezikojnë të shkatërrojnë ekonominë e Malit të Zi.

Në fakt, investimet në infrastrukturë kanë qenë gjithmonë shënjestra e Kinës në rajon, duke marrë parasysh urgjencën për investime në këtë sektor, si dhe mungesën e parave. Një hetim i BIRN tregon se Kina ka investuar diku tek €32 miliard euro në rajon midis 2009 dhe 2021, shumica në projekte të mëdha infrastrukturore. Ajo është përpjekur gjithashtu të zgjerojë ndikimin përmes nismave si “One Belt One Road” (njohur gjithashtu si Rruga e Re e Mëndafshit) apo inciativës 16+1, një sistem bashkëpunimi më i gjerë midis Kinës dhe vendeve të Europës Lindore dhe qendrore. Per Concordiam e përshkruan këtë të fundit si një iniciativë që mbështet strategjinë e larmishme të Pekinit në Evropë duke e lejuar atë të përqendrojë investimet kapitale në asetet strategjike dhe teknologjitë e reja në vendet kryesore të BE-së, të plotësuara nga projekte të mëdha infrastrukturore në periferi të tij.

Burim: The Diplomat

Autorët e studimit të publikuar në Per Concordiam i mëshojnë përfundimit të arritur edhe nga studime të tjera (si ai i Parlamentit Europian dhe i CEPA-së) mbi rreziqet e kësaj strategjie: “Edhe pse shumë të nevojshme, këto projekte infrastrukturore dhe marrëveshjet me Kinën për huadhënie po i ngarkojnë qeveritë e varfra në rajon me detyrime të mëdha borxhi dhe marrëveshje të paqëndrueshme. Mungesa e kujdesit të duhur rezulton në garancitë sovrane që zhvendosin rrezikun mbi vendet huamarrëse në kurriz të stabilitetit të tyre financiar.”

Investimet në Shqipëri

Megjithëse Kina ka investuar një shumë të madhe në Ballkanin Perëdimor, këto investime nuk kanë prekur të gjithë vendet njësoj. Pjesa dërrmuese, në fakt, i është dedikuar Serbisë e cila ka përfituar $21 miliard, ndërsa Shqipëria vetëm $0.74 miliard në 8 projekte gjithsej—disa prej të cilave janë shpërbërë.

Burim: Per Concordiam / United Nations Conference on Trade and Development

Përtej strategjisë së përgjithshme të Kinës për ndikimin në Ballkan, raportet e ndryshme mbi këtë temë tregojnë po ashtu se këto përpjekje nuk kanë pasur të njëjtat fryte në Shqipëri, ku qeveria kryesisht i ka rezistuar parasë kineze. Për shembull, investimet direkte (FDI) nga Kina përbëjnë vetëm 2.27% të të gjithë këtyre investimeve në Shqipëri, ndërsa në Serbi ky numër është 15.7%.

Megjithatë, Kina ka pasur disa arritje në ekonominë shqiptare që e kanë lejuar të bëhet partneri i tretë tregtar i vendit, pas Turqisë dhe Italisë. Në 2016, kompania kineze Geo-Jade Petroleum bleu kompaninë kanadeze Bankers Petroleum duke marrë kështu koncensionin me vlerë $450 milionë dollarë për fushat e naftës më të mëdha në Shqipëri në Patos Marinzë. Kjo fushë prodhon rreth 95% të naftës që vjen nga Shqipëria, dhe 11% të eksporteve. Gjithashtu, në 2014, Jiangxi Copper Corp, bleu 50% të aksioneve në kompaninë turke Ekin Maden Tic. Të dyja bashkë kanë një koncesion deri më 2043 për të vepruar në disa miniera bakri në Shqipëri, duke u bërë kështu një nga firmat kryesore në këtë fushë.

Pavarësisht këtyre fitoreve ekonomike, përpjekje të tjera për të shtrirë ndikimin ekonomik në Shqipëri kryesisht kanë dështuar. Kina nuk ka bërë një investim të konsiderueshëm ekonomik në Shqipëri që prej 2016-s. Në fakt, një studim i porositur nga qeveria kineze dhe publikuar në faqen e iniciativës 16+1, shfaq pakënaqësinë e Kinës ndaj projekteve të shumta të dështuara në Shqipëri. Kjo përfshin ofertën e dështuar për të ndërtuar rrugën e Arbrit (2014), një memorandum të nënshkruar për një autostradë që të lidhte Triesten dhe Greqinë përmes Shqipërisë, Malit të Zi, dhe Koracisë (2015), koncesionin e dështuar të Aeroportit të Tiranës i cili u miratua në 2016-n dhe iu shit kompanisë Kastrati në dhjetor 2020, si dhe pamundësinë e kompanisë Huawei për t’u shtrirë më tej në tregun elektronik shqiptar. Për të gjitha këto dështime, Kina fajëson korrupsionin e qeverisë shqiptare, edhe pse studimetjera tregojnë se Kina e paraqet veten si një alternativë më e thjeshtë për investime në vende si Ballkani Perëndimor, pikërisht se është e gatshme të mbyllë një sy përsa i përket ryshfeteve, si dhe shkeljeve të ligjeve të punës dhe mjedisit.

Ndikimi Kulturor

Përtej ekonomisë, shteti kinez ka bërë përpjekje të mëdha për të shtrirë edhe ndikimin e vet kulturor në Ballkan, dhe veçanëritsht në Shqipëri. Edhe në këtë aspekt, rezultatet kanë qënë diku mesatare dhe fitoret të pakta.

Për shembull, në 2013-n, qeveria kineze ka hapur si pjesë të Universitetit të Tiranës një Institut Konfucius ku mësohet gjuha dhe historia kineze. Sipas një studimi nga Këshilli Europian për marrëdhëniet me jashtë, numri i studentëve ka arritur deri në 600. Për më tepër, Kina pritet të hapë një qendër kulturore kineze edhe në Tiranë (e cila do të fokusohet në arte dhe letërsi), pasi ka nisur planet për një të parë në Beograd.  Për më tepër, Pekini është binjakëzuar me Tiranën që prej vitit 2016, dhe ambasada kineze ka bërë disa dhurata në fushën e kulturës, duke përfshirë një donacion për arkivën e filmit.

Sipas një studimi të Konrad Adenauer, që prej vitit 2012, agjencia e lajmeve kineze Xinhua ka rritur bashkpunimin me ATSH-në dhe RTSH-në, duke i dhënë këtyre të fundit materiale falas mbi historinë dhe kulturën e Kinës për transmetim kombëtar. Megjithatë, për momentin asnjë kompani kineze nuk del si pronare e mediave vendase. Bazuar po tek i njëjti studim, kjo ka përkuar me një rritje të artikujve mbi inciativat ekonomike kineze që shkuan nga 42 në 2016, tek 184 në 2019. Këto artikuj janë karakterizuar si histori “kryesisht me informacione dhe fakte, me ton neutral dhe të orientuara drejt çështjeve ekonomike, por në përgjithësi atyre u mungojnë vlerësimet kritike të aktiviteteve të Kinës.”

Këto janë disa nga përpjekjet e qeverisë kineze për të shtrirë ndikimin kulturor në Shqipëri. Dhe sipas studimit të CEPA, këto përpjekje kanë pasur ndikim pozitiv për Kinën. Duke cituar një studim të kryer nga Barometri për Sigurinë, kishte patur një rritje të konsiderueshme nga viti 2019 në vitin 2020 në numrin e personave që mendonin se Kina kishte një ndikim pozitiv mbi Shqipërinë: nga 23.5 në 54.9%. Në vitin 2022, një anketë e ngjashme tregoi se 76.6% e shqipëtarëve nuk mendonin se Kina përbën një rrezik për Shqipërinë.

Në të njëjtën kohë, studimi i Konrad Adenuer tregon se politikanët shqiptarë janë përpjekur t’i qëndrojnë larg evenimeteve me ambasadorin kinez apo përfaqësues nga Kina.

Përfundime  

Studime të ndryshme të kryera mbi ndikimin kinez në Shqipëri, si atë ekonomik, kulturor apo diplomatik, tregojnë për Shqipërinë si një rast i veçantë që kryesisht i ka refuzuar përpjekjet e Pekinit për t’u bërë pjesë e rrethit të ndikimit kinez. Studimi i Këshillit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë shkruan se Shqipëria “nuk dëshiron të prishë marrëdhëniet e mira me fuqitë perëndimore dhe për këtë arsye nuk ka gjasa të bëjë ndonjë ndryshim dramatik në qasje [me Kinën], veçanërisht nëse procesi i zgjerimit të BE-së rimerr vrull,” siç ka ndodhur me hapjen e negociatave në 2022 dhe rinisjen e Procesit te Berlinit.

Orientimi perëndimor i Shqipërisë shihet edhe në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Sipas Foreign Policy, SHBA ka shtuar investimet ne vend pikërisht në përpjekje për t’iu kundërvënë rritjes së ndikimit kinez.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se situata nuk mund të ndryshojë. Edhe përse Shqipëria ka marrë hapin tjetër për integrim në Bashkimin Europian me hapjen e negociatave, këto negociata do të duan vite, në mos dekada për t’u shtyrë më tej. Vetë Parlamenti Europian paralajmëron për atë që e quan “enlargement fatigue,” pra lodhjen që vjen nga pritja shumëvjeçare për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian pa rezultate konkrete, mund t’i lodhë kandidatët dhe qytetarët e tyre. Në këto momente dobësie, Kina do të jetë gati që të japë një alternativë më të thjeshtë, por edhe më të rrezikshme.

Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli