.

.

BallinaPremtimeTë pambajturaA u dyfishua numri i psikologëve dhe punonjësve socialë në shkolla?

A u dyfishua numri i psikologëve dhe punonjësve socialë në shkolla?

Edit Nikolli

Ish-ministrja e Arsimit Besa Shahini, më 26 gusht në prezantimin e strategjisë për vitin e ri shkollor 2020-2021, për shkak të situatës nga pandemia deklaroi se do të  dyfishohet numri i psikologëve dhe punonjësve socialë. Nga verifikimi i “Faktoje”, bazuar edhe në përgjigjen e Ministrisë dhe Arsimit, rezulton se shkollat sot janë ende defiçitare me mbulimin e këtij shërbimi dhe nuk bëhet fjalë për dyfishim të tyre. Nga ana tjetër, procesi për rekrutimin e psikologëve të rinj, ende nuk është hapur, edhe pse prej dy javësh ka nisur shkolla.


Me datë 26 gusht, ish-ministrja e Arsimit përmes një video-mesazhi u zotua se rifillimi i procesit të ri mësimor në këtë kohë pandemie do shoqërohej me dyfishim të numrit të psikologëve dhe punonjësve socialë nëpër shkolla.

Postimi i Ministres Besa Shahini

Ky zotim u përforcua nga kryeministri Rama, i cili para nisjes së vitit të ri shkollor garantoi:

Ne kemi dyfishuar punonjësit e shërbimit psiko-social”.

Fillimi i procesit të ri mësimor, u pasua me një sërë ndryshimesh, duke nisur me shtimin e klasave që zhvillojnë mësimin me turne, masat e distancimit social dhe kufizime të tjera. Po çfarë ndodhi me shtimin e psikologëve në shkolla? Sipas specialistëve të këtij profili, frika e virusit që ndodhet mes nesh e ka rritur nevojën e pranisë së psikologëve apo punonjësve socialë në këshillim nëpër shkolla.

“Faktoje”, nisur nga dëshmitë e prindërve, nxënësve nga shkolla të qyteteve të ndryshme dhe ekspertëve të fushës, ishte vënë në dijeni se kishte mangësi të punonjësve të këtij profili në shkolla. Këtë informacion ne kërkuam ta verifikojmë përmes një kërkese për informacion drejtuar Ministrisë së Arsimit në datë 28 gusht. Ne pyetëm këtë institucion, sesa psikologë dhe punonjës socialë janë aktualisht në sistemin arsimor parauniversitar dhe nëse arrijnë të mbulohen të gjitha shkollat me këtë shërbim.

Kërkesë për Informacion drejtuar Ministrisë së Arsimit

Ministria e Arsimit dha këtë përgjigje:

Aktualisht, në arsimin e mesëm të ulët dhe të lartë në sistemin arsimor paraunimersitar, ushtrojnë profesionin 342 punonjës të shërbimit psiko-social, prej të cilëve, 236 janë psikologë dhe 106 janë punojnës socialë.

Bazuar në urdhrin Nr.359 të vitit 2019 “Për ngritjen e njësisë së shërbimit psiko-social” nevojat shtesë mbi numrin e punonjësve të shërbimit janë 247 psikologë dhe punonjës socialë.

Përgjigjja zyrtare e MASR

E pyetur për “Faktoje” psikologia Marsela Lekli, e cila drejton “Qendrën e Zhvillimit Social-Psikologjik” konfirmon mungesa në mbulimimin e shërbimit psikosocial në shkolla.

“Për sa i përket dyfishimit të psikologëve dhe punonjëseve socialë në shkolla nuk kemi asgjë konkrete. Kam patur kontakte me disa prindër të shkollave të ndryshme në Tiranë dhe as atyre akoma nuk iu është komunikuar ky urdhër dhe rolin e psikologut dhe puninjësit sociale në shkolla. Praktikisht në vitet e kaluara, një psikolog asistonte në 3-4 shkolla dhe kjo nuk ka qënë aspak e mjaftueshme. Në një shkollë me 500 nxënës, as dy psikologë ose dy punonjës socialë nuk mund ta manaxhojnë dot.”-thotë Lelki.

Ajo sugjeron:

“Në kushtet ku jemi, shërbimi i psikologut në shkolla duhet të jetë si lëndë mësimi, jo si terapi ose asistencë psikologjike. Duhet të kemi programe të caktuara dhe të mirëfillta për çdo klasë.

Duke praktikuar këte metodë, do kemi parandalime të shumë situatave si: distancimin social, higjena, ngacmimet seksuale, droga, dhuna etj.

Faktoje kontaktoi me një psikologe e cila interesohet të nisë punë në këtë profil në një nga shkollat e Tiranës, por nuk pranoi të identifikohet. Ajo tha se është ende në pritje të hapjes së thirrjes për të aplikuar për këtë vend pune.

Por si do të rekrutohen psikologët e shkollave? Ministria e Arsimit ka një platformë online për rekrutimin e stafit mësimor “Mësues për Shqipërinë” , ndërsa për rekrutimin e psikologëve, ende jo.

Ne pyetëm edhe pranë zyrës së shtypit, në Ministrië e Arsimit dhe Z.Shpendi Gjata, u përgjigj  lidhur me procesin e rekrutimit të punonjësve të këtij profili në shkolla.

“Deri tani është finalizuar procesi i konstatimit të nevojave për punonjës të shërbimit psiko-social, dhe të dhënat janë mbledhur në DPAP.  Brenda muajit tetor pritet të vendoset edhe mbi mënyrën e rekrutimit të punonjësve.

 Mënyra që do të vendoset nga MASR, apo ministrja e re, do të publikohet në faqen e DPAP. Aktualisht janë dy mënyra që mendohen për rekrutimin: portali ose dosjet”- tha më tej Gjana.

Kur ende nuk është vendosur për formën që do të përdoret për punësimin e punonjësve socialë, mund të themi se premti i ish ministres së Arsimit, Besa Shahini dhe kryeministrit Rama, rezulton i pambajtur.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img