BallinaFaktometerPa kategoriA po realizohet objektivi i qeverisë për uljen e aksidenteve?

A po realizohet objektivi i qeverisë për uljen e aksidenteve?

Ina Allkanjari

Ndonëse përmirësimi i sigurisë rrugore me qëllim uljen e numrit të aksidenteve dhe vdekjeve si pasojë e tyre, ishte zotimi i qeverisë gjatë konferencës së nivelit të lartë të zhvilluar në 2020-n, viti pases shënoi rritje me 12.1 % të tyre. Bazuar edhe në përgjigjet zyrtare të Ministrisë së Brendshme dhe shifrave të INSTAT, rezulton se objektivi për uljen e aksidenteve me 1% nuk është arritur. Sipas ekspertëve, aksidentet rrugore janë shkaku i tretë i vdekjeve në vendin tonë.

———————————-

“Shqipëria ndërmori angazhimin për të rritur investimet në infrastrukturë, me qëllim përmirësimin e sigurisë rrugore, parandalimin e aksidenteve dhe reduktimin e numrit të fataliteteve si pasojë e tyre. Po ashtu një tjetër angazhim i rëndësishëm ishte ai për të bashkëpunuar në nivel global për krijimin e rrjeteve rrugore më të sigurta dhe për të shpëtuar jetë mbarëbotërisht, duke vendosur si objektiv parësor uljen prej 50% të vdekjeve dhe lëndimeve nga aksidentet rrugore gjatë dekadës që sapo ka filluar.”- deklaroi Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku gjatë konferencës së zhvilluar në kuadër të sigurisë rrugure në 27 shkurt të 2020-s.

Nisur nga deklarata e Ministres Belinda Balluku, Faktoje iu drejtua në fillim të janarit të këtij viti, me një kërkesë për informacion Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ne kërkuam informacion se cilat janë masat e ndërmarra gjatë dy viteve të fundit për të ulur numrin e aksidenteve rrugore dhe si janë reflektuar këto masa në realizimin e këtij synimi.

Screenshot kërkesa për informacion drejtuar Ministrisë së Brendshme datë 7.01.2021

Në përgjigjen për Faktoje, Ministria e Brendshme shkruan se në vitin 2021 numri i ngjarjeve aksidentale në Shqipëri ka ulje të ndjeshme krahasuar me vitin 2019 , por ka një rritje krahasuar me vitin 2020 (vit i cili për disa muaj pati kufizime të lëvizjes për shkak të masave kundër pandemisë).

“Vitin e kaluar, numri i ngjarjeve aksidentale ka ulje të ndjeshme, krahasuar me vitin 2019 (tabela), ndërkaq ka një rritje krahasuar me vitin 2020, por theksojmë se ky vit ishte për një kohë 3-mujore me trafik tejet të kufizuar për shkak të pandemisë. Ndërkohë nënvizojmë se janë shtuar mjetet në qarkullim me rreth 200.000, sipas DPSHTRR.”- shkruan Ministria e Brendshme.

Tabelë e vendosur në dispozicion nga Ministria e Brendshme

Në programin buxhetor afatmesëm (PBA) 2020-2022 të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë theksohet se Ministria e Brendshme synon uljen e numrit të aksidenteve në rrugë në masën 1% çdo vit.

Ky objektiv nuk rezulton të jetë arritur nëse krahasojmë të dhënat e siguruara nga Ministria e Brendshme (tabela e mësipërme) me numrin e aksidenteve të ndodhura në 2020 dhe 2021.

Screenshot, programi buxhetor afatmesëm 2020-2022

Një ndër pyetjet drejtuar Ministrisë së Brendshme ka të bëjë me përmirësimin e sigurisë rrugore, kjo pasi në shtator të vitit 2021 Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi premtoi gjatë seancës plenare në Kuvend se të gjithë kryqëzimet do të pajisen me kamera për të përmirësuar situatën në vend dhe për të rritur sigurinë në rrugë.

“Do të rrisim edhe investimet në sistemin e monitorimit të trafikut, dixhitalizimin e proceseve që lidhen me përdoruesit e automjeteve apo sjelljen e tyre. Në këtë mandat synohet vendosja e kamerave në çdo kryqëzim të Shqipërisë” – tha Çuçi.

Në përgjigjen e ardhur për Faktoje, Ministria e Brendshme shkruan se Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut Rrugor do të vihet në përdorim së shpejti.

“Për projektin e kamerave në akset kryesore, informacion të detajuar dhe të plotë mund të gjeni pranë ARRSH, e cila po e implementon projektin. Ky projekt përfshin ngritjen e një Qendre Kombëtare për Monitorimin e Trafikut Rrugor, ku do të ketë akses edhe shërbimi i Policisë Rrugore”- shkruan Ministria e Brendshme në përgjigjen e saj për Faktoje.

Screenshot, përgjigja e Ministrisë së Brendshme për Faktoje

Më tej Ministria e Brendshme tregon se masat e marra për të përmirësuar sistemin e kontrollit rrugor, kanë pasur ndikim të dukshëm dhe janë në përputhje me pritshmëritë.

Screenshot, përgjigja e Ministrisë së Brendshme për Faktoje

Nga ana tjetër Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në përgjigjen e saj për Faktoje në datë 8 shkurt, shkuran:

“Konkretisht, janë ripërcaktuar afatet dhe frekuenca e kryerjes së kontrollit teknik të mjeteve rrugore në përputhje me direktivën Evropiane, janë forcuar  kërkesat për përgatitjen e drejtuesve të mjeteve pasi humbin pikët e lejedrejtimit, janë ashpërsuar masat administrative ndaj shkelësve ndaj sjelleve më të rrezikshme për aksidentet, është rishikuar  rregulli i sjelljes së drejtuesve ndaj këmbësorëve dhe veprimit në rast aksidenti”- shkruan Ministria e Infrastrukturës.

Screenshot, përgjigja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë datë 08.02.2022

Çfarë tregojnë shifrat e INSTAT për aksidentet

Sipas të dhënave nga Policia e Shtetit, të përpunuara e më pas të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), në njëmbëdhjetëmujorin e vitit 2021 numërohen 1.257 aksidente rrugore nga 1.121 aksidente të ndodhura në njëmbëdhjetëmujorin e vitit 2020, duke shënuar një rritje me 12,1 %.

Aksidentet rrugore në 11 muajt e parë të vitit 2021 kanë shkaktuar vdekjen e 176 personave, nga 168 persona të vdekur në të njëjtën periudhë të një viti më parë duke u rritur me 4,7%. Kjo shifër dëshmon se objektivi për uljen e vdekjeve që kanë si shkak aksidentet rrugore, nuk është arritur, përkundrazi.

Screenshot, tabela ku paraqitet numri i personave të vdekur gjatë vitit 2021 si pasojë e aksidenteve rrugore, INSTAT

1,064 aksidente përgjatë 11 muajve të parë të vitit që lamë pas, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit, ndërsa 193 aksidente janë shënuar si pasojë e sjelljes së këmbësorëve. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është rritur 22,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Screenshot, aksidentet e ndodhura në periudhën Janar-Nëntor 2021 si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit dhe të këmbësorëve

Ajo çfarë evidentohet nga të dhënat e INSTAT është se periudha Janar-Nëntor e vitit 2021 shënon një rritje me 136 raste të numrit të aksidenteve të ndodhura, por nëse e krahasojmë me vitin 2019 kjo shifër ka pësuar rënie me 106 raste aksidentesh më pak.

Ndërkohë në mbyllje të vitit 2021 Drejtori i Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja përmes një postimi në median sociale Facebook, ka publikuar një raport në lidhje me aksidentet rrugore të ndodhura gjatë viteve të fundit në vendin tonë.

Konkretisht bëhet fjalë për vitet 2018, 2019 dhe 2021, duke përjashtuar nga lista vitin 2020, pasi sipas tij ka pasur bllokime qarkullimi për shkak të pandemisë.

Screenshot postimi i Drejtorit të Transportit Rrugor Blendi Gonxhja, datë 29.12.2021

Sipas statistikave të publikuara nga Gonxhja, rezulton se në vitin 2021 krahasuar me vitet që janë marrë në shqyrtim kemi një ulje të numrit të aksidenteve rrugore që kanë çuar në fatalitet.

Screenshot, statistikat për vitin 2018,2019,2021 publikuar nga Drejtori i Transportit Rrugor Blendi Gonxhja, datë 29.12.2021

Eksperti i sigurisë rrugore, Artur Sulce tregon për Faktoje se fatalitetet si pasojë e aksidenteve rrugore në vend përbëjnë më shumë se 1% të totalit të vdekjeve të raportuara.

“Në Shqipëri, aksidentet rrugore janë shkaku i tretë i fataliteteve pas vdekjeve natyrale dhe atyre me diagnoza të panjohura. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, fatalitetet si pasojë e aksidenteve rrugore përbëjnë më shumë se 1% të totalit të vdekjeve të raportuara. Ndonëse shifrat u ulën gjatë vitit 2020, kjo edhe si pasojë e masave kufizuese, 5-mujori i parë i vitit 2021 shënoi një rritje të ndjeshme të aksidenteve.

Populli Shqiptar pret që qeveria të mbrojë interesat e tyre më të mira duke punuar në drejtim të rritjes së sigurisë rrugore; Duke u siguruar se mjetet në përdorim të jenë mundësisht sa më të sigurta, si dhe duke u përpjekur për të mbajtur drejtues jo të sigurt jashtë rrugës”- tregon eksperti i sigurisë rrugore.

Më tej ai shprehet se ka një sërë elementësh të cilat kanë nevojë për përmirësim duke nisur nga infrastruktura deri te puna për ndërgjegjësimin e qytetarëve.

“Disa herë është instaluar ose është inaguruar një sallë kontrolli e semaforëve apo dhe e mjeteve, por që nuk funksionon. Sepse ne kemi një pjesë të semaforëve të cilët janë analogë dhe një pjesë janë inteligjentë. Pra në këtë këndvështrim nuk është e nevojshme të dalë polici në një kryqëzim kur është kjo sallë e cila kontrollon çdo semafor, në funksion të fluksit të drejtimit.

Është e nevojshme të punohet për menaxhimin e trafikut, të realizohet modernizimi i transportit urban, të bëhen korsi të dedikuara për transportin urban në mënyrë që të zvogëlohet numri i mjeteve që janë në qarkullim”- shprehet Sulce.

 

Lexo edhe: https://faktoje.al/balluku-ne-6-vitet-e-fundit-eshte-ulur-me-24-per-qind-numri-i-aksidenteve-rrugore-me-pasoje-vdekjen/

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img