.

.

BallinaPertejA po e "zëvendëson" Komisioni i Venecias, Gjykatën Kushtetuese?

A po e “zëvendëson” Komisioni i Venecias, Gjykatën Kushtetuese?

Prej vitit 2018, kur Gjykata Kushtetuese u bë jo funksionale, çështje madhore që kërkojnë interpretim, i kanë kaluar Komisionit të Venecias, që i ka dhënë rrugë një numri konfliktesh institucionale, kryesisht Qeveri-President. Por për çështjen e Kodit Zgjedhor të ndryshuar, për të cilin Meta kërkoi opinionin e “Venecias”, qeveria vendosi të mos presë. Sipas ekspertit, ky “nxitim” mund të ndikojë në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE por “garanton” mbajtjen e zgjedhjeve të 25 prillit.


Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton në nenin 7 të saj ndarjen e pushteteve duke e vënë atë në themel të funksionimit të demokracisë. Detyra për garantimin dhe respektimin e Kushtetutës nga veprimtaria e pushtetit publik i është ngarkuar Gjykatës Kushtetuese. Ajo është instanca e fundit e ngarkuar me kontrollin ndaj akteve të nxjerra nga organet e pushtetit shtetëror duke u përqendruar në aspektin e pajtueshmërisë së tyre me dispozitat kushtetuese.

Drejtësia kushtetuese nënkupton tërësinë e institucioneve të ngarkuara me mbrojtjen e rendit juridik të një shteti. Ajo njihet ndryshe me termin “Rojë e Kushtetutës”. Për këtë arsye, kompetenca e Gjykatës Kushtetuese për të kontrolluar procesin ligjvënës është cilësuar si kurorëzimi i shtetit të së drejtës.

Prej mesit të vitit 2018, Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit dhe çështje madhore që kërkojnë verdiktin për pajtueshmërinë me Kushtetutën, i kanë kaluar për “opinion” Komisionit të Venecias”.

Shkarkimi i presidentit Meta, paketa e cilësuar si “Antishpifje”, pronat në bregdet, dekretimi i Marsida Xhaferllarit nga Presidenti, procesi i emërimeve në Gjykatën Kushtetuese apo së fundmi Kodi Zgjedhor, janë disa nga çështjet, që në mungesë të Gjykatës Kushtetuese i janë deleguar për “opinion” Komisionit të Venecias.

Shumica e çështjeve të deleguara te Komisioni i Venecias morën zgjidhje pasi kjo e fundit shprehu opinionin.

Një ndër çështet që shkaktoi debate të ashpra mes shumicës qeverisëse dhe Presidentit të Republikës ishte vendimi që ky i fundit mori duke çdekretuar datën e zgjedhjeve të 30-qershorit 2019. Vendimi i Presidentit u pasua me ngritjen e Komisionit Hetimor e më pas çështja shkoi edhe te Komisioni i Venecias, ku ky i fundit argumentoi se Meta nuk ishte në kushtet që duhej shkarkuar. Opinioni i “Vencias” u shoqërua edhe me vendimin e Komsionit Hetimor se Presidenti nuk duhej shkarkuar.

Emërimet në Gjykatën Kushtetuese, një përplasje mes Presidentit dhe Parlamentit u shoqëruan gjithashtu me opinionin e Komisionin të Venecias, i cili i dha të drejtë Metës.

Paketa e ashtuquajtur “Antishpifje”, ka mbetur pezull pasi Komisioni i Venecias kërkoi rishikimin e projektiligjeve duke argumentuar se propozimet e shumicës qeverisëse mund të shkelin lirinë e shprehejes.

Edhe çëshjet e tjera si pronat në bregdet, dekretimi i zonjës Marsida Xhaferllari nga Presidenti si anëtare e Kushtetueses, procesi i emërimeve në këtë gjykatë, kanë marrë zgjidhje pasi është shprehur Komisioni i Venecias.

Për avokatin Adriatik Lapaj, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, “Venecia” po shihet si një alternativë edhe pse opinionet e kësaj të fundit janë larg vendimeve të “Kushtetueses”.

Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, sigurisht që Komisioni i Venecias është parë si një mundësi për të shqyrtuar mosdakordësinë e palëve politike në Shqipëri. Në gjykimin tim kurrsesi ky institucion nuk e zëvendëson dot mungesën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë pasi Komisioni Europian për Demokraci Nëpërmjet Ligjit i njohur ndryshe si Komisioni i Venecias është organ këshillimor që del me rekomandime dhe opinione dhe jo detyrues në lidhje me çështjet kushtetuese, ndërsa Gjykata Kushtetuese është organi i vetëm që zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës – i tha “Faktojes” avokati Lapaj.

Ndër çështjet e vetme ku qeveria nuk ka pritur opinionin e Komisionit të Venecias është Kodi Zgjedhor i ndryshuar.

Për avokatin Adriatik Lapaj, “nxitimi” i kryeministrit Edi Rama për të rivotuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë të justifikuara dhe nëse do pritej opinioni i “Venecias”, rrezikohen edhe zgjedhjet e 25 prillit.

Në aspektin Kushtetues dhe ligjor, ky qëndrim nuk ka asnjë pengesë pasi mendimet e Komsionit të Venecias nuk janë detyruese për shtetet, por në cdo rast këshillimore. Në këtë kuptim procedurialisht asnjë pengesë nuk ka për të realizuar atë çka thotë Kryeministri Rama. Gjithsesi këtu ka një por të madhe sepse praktika ndërkombëtare dhe e vendit tonë ka ndjekur frymën e respektimit të këtij procesi. Sa herë palët apo një prej palëve i është drejtuar për mendim, pala tjetër ka pritur mendimin nga Komisioni Venecias. Në këtë pikë mos-pritjen e mendimit nga ky Komision e shikoj më shumë si një problem në aspektin politik dhe raportin e Shqipërisë me BE në procesin e hapjes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Theksoj se nxitimi i Kryeministrit Rama lidhet me fatet e domosdoshme kohore që i duhen ndryshimit të Kodit Zgjedhor për të hyrë në fuqi. Këto afate janë 6 muaj. Thënë më thjeshtë, pritja e mendimit nga Komisioni i Venecias do e digjte mundësinë që në zgjedhjet e 25 Prillit 2021 të shkonim me Kodin Zgjedhor të mirtuar së fundi me ndryshimet përkatëse – shprehet Lapaj.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img