3 vite pas shembjes me urgjencë të Teatrit Kombëtar dhe një sërë afatesh të shkelura për projektin e ri, punimet për këtë vepër ende nuk kanë nisur. Krybashkiaku Veliaj, në 21 dhjetor 2022 lajmëroi në mënyrë ceremoniale nisjen e punimeve për hapjen e themeleve për teatrin e ri. Por verifikimi në terren në shkurt 2023 tregoi se vendi ku do hapeshin themelet nuk ka asnjë makineri apo punëtorë dhe sheshi i kantierit i ngjan një parkingu automjetesh private.
Rovena Kallço, studente
Në 21 dhjetor 2022 kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj njoftoi para artistëve, nisjen e punimeve për Teatrin e ri Kombëtar.
“Jemi gati për të hapur themelet e Teatrit të ri Kombëtar. Sot në datën 21 dhjetor, që është në fakt dita e natës më të gjatë të vitit, duke filluar nga nesër ku dita i merr natës……” – u shpreh Veliaj.
Deklaratën, kryebashkiaku Veliaj e bëri para një grupi artistësh, në prani të kryeministrit Edi Rama, Ministres së Kulturës Elva Margariti dhe arkitektit danez Bjarke Ingels. Ceremonia u zhvillua pikërisht në vendin ku ndodhej tetari i vjetër, dhe pranë një fadrome që dukej se ishte gati për të filluar punimet.
Një muaj pas kësaj deklarate, ne shkuam në terren për të parë se në çfarë faze ishte puna për hapjen e themeleve të Teatri të Ri. Në zonën e rrethuar, nuk pamë asnjë makineri pune, madje as fadromën që shfaqej ditën e deklaratës së Veliajt.
Në vend të tyre ishin disa automjete të parkuara, dhe sheshi, më shumë sesa kantier dukej një parking.
Gjithashtu tabela e punimeve ku duhet të jepet informacion për datën e fillimit dhe përfundimit të punimeve, ishte gjymë e mbuluar dhe ishte e pamundur të shihej ky informacion, ndonëse sipas ligjit tabela vendoset në një vend të dukshëm.
Tabela e punimeve për Teatrin Kombëtar, 1 shkurt 2023
Brenda kantierit nuk kishte asnjë punëtor dhe nuk kishte asnjë shenjë se aty po punohej.
“Vijnë dhe ikin shumë shpesh. Mesa di unë e mesa më kanë thënë tani po merren me inspektimin e tokës, po marrin kampion.” – na informuan persona të ngarkuar me ruajtjen e objektit.
Ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Bashkisë Tiranë nga e cila kërkuam të dhëna në lidhje me punimet për këtë vepër, sa është vlera për ndërtimin e teatrit dhe kur parashikohet të jetë funksional.
Bashkia Tiranë u përgjigj duke na vënë në dijeni se kërkesa e dërguar ka kaluar për trajtim pranë strukturave përkatëse, por deri në ditën e publikimit të këtij artikulli nuk kemi marrë ende një përgjigje nga këto struktura.
Projekti për ndërtimin e Teatrit kombëtar parashikon ngritjen e objektit me sipërfaqe rreth 8.000 m2 mbi tokë dhe 5.000 m2 nëntokë në 3 nivele. Sipas formularit të nënshkrimit të kontratës të publikuar në faqen e APP nga ana e Bashkisë Tiranë, kompania AGI-Kons që është dhe fituese e garës do të përfitojë rreth 19 milionë euro. Shuma përfshin totalin e kontratës ku fondi limit prej 1.8 miliardë lekë ka të shtuar edhe tatimin mbi vlerën e shtuar duke arritur në 2.2 miliardë lekë. Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen për teatrin në verën e vitit të kaluar, teksa kostoja totale e tij llogaritet ne 30 milionë lekë. Teatri i Ri Kombëtar parashikohet të përfundojë në vitin 2025, sipas deklaratës së Erion Veliajt.
Edhe pse tetatri u shemb në një aksion të beftë në 17 maj 2020, projekti për teatrin e ri kombëtar vijon të zvarritet prej 3 vitesh.
Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar vendosëm që deklaratën e kryebashkiakut Erion Veliaj, se punimet për hapjen e themeleve në datën 21 dhjetor 2022, ta kategorizojmë të pavërtetë.