INVA HASANALIAJ & MERXHAN DACI
Përhapja e shpejtë dhe në nivel komunitar i koronavirusit, sidomos në Tiranë ka ‘përgjegjësit’ e vet. “Faktoje” bëri një vëzhgim në autobusët e linjave kryesore urbane në kryeqytet, 3 javë pas rinisjes së aktivitetit dhe u interesua nëse ai ka ndikuar në shtimin e numrit të të prekurve. Ekspertët e Shëndetit Publik pohojnë lidhjen shkak-pasojë të kësaj situate, ndërkohë që shifrat zyrtare tregojnë për rritje të presionit me anë të gjobave, për shkelësit e protokollit të sigurisë në tranpsortin urban.
—
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë lajmëroi rihapjen e Transportit Ndërqytetas dhe Rrethqytetas prej datës 8 korrik 2020. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook ky institucion theksonte se mënyra e vetme si mund të mbrohemi nga rreziku i virusit Covid-19 është duke respektuar protokollet e sigurisë.
“Faktoje” mblodhi të gjitha të dhënat mbi numrin e të infektuarve të raportuar me Covid-19 nga institucionet shëndetësore, që prej datës 8 deri në datën 31 korrik dhe rezultoi se shifrat kanë ardhur në rritje.
Duke qenë se transporti publik, është ndër aktivitetit me potencial të lartë për përhapjen komunitare të virusit ne bëmë një vëzhgim sesa zbatohen protokollet e sigurisë në rrjetin e transportit brendaqytetas?
Gjatë vëzhgimit në dy ditë të ndryshme vumë re se disa nga qytetarët nuk mbanin maskën brenda autobusit, ndërsa të tjerë i ulnin sapo hipnin, çka e bën maskën të padobishme. Nga ana tjetër temperaturat e larta të sezonit e bëjnë të padurueshme vapën në autobus, ku sipas protokolloit të sigurrisë, ndalohet përdorimi i kondicionerëve.
Sipas protokollit të masave, qytetarët janë të detyruar ta vendosin maskën që në stacion, por sikurse duket edhe nga fotot jo të gjithë e respektojnë këtë masë.
Ne komunikuam me Ministrinë e Transportit dhe Energjisë dhe pyetëm nëse janë vendosur sanksione për shkeljen e protokollit të sigurisë.
Sipas këtij institucioni (deri në momentin e publikimit të këtijshkrimi) nga struktura të tjera përgjegjëse për kontrollin e protokollit të sigurisë në transportin publik janë realizuar 97 mijë inspektime dhe janë vendosur 356 masa administrative.
Hapi i radhës ishte komunikimi me disa prej institucioneve shëndetësore për të mësuar nëse mos-respektimi i masave nga qytetarët ka ndikuar në rritjen e numrit të të infektuarave. Dërguam kërkesa për informacion në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin e Shëndetit Publik nga të cilat nuk kemi ende përgjigje.
Pasi nuk morëm asnjë përgjigje nga institucionet shëndetësore “Faktoje” komunikoi me dy specialistë të shëndetit publik. Drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj konfirmoi me siguri lidhjen shkak-pasojë të rinisjes së transportit publik dhe mosrespektimin protokollit me rritjen e numrit të të infektuarve me Covid-19.
Po ashtu edhe mjeku Epidemiolog Pëllumb Pipero, njëkohësisht anëtar i Komitetit Teknik për pandeminë nga Covid-19 pohoi një lidhje të tillë duke shtuar se rreziku do të vazhdojë për sa kohë këto masa nuk respektohen.
21 orë më parë “Faktoje” hapi një sondazh ku pyeti lexuesit e saj nëse mbanin apo jo maskë në autobusat e linjave të kryeqytetit. Nga rezultatet e fundit pamë se rreth 74% e tyre pohonin se mbanin një të tillë ndërsa pjesa tjetër jo.