.

.

BallinaPertejA ishte tragjedia e Velipojës një ngjarje e paralajmëruar?

A ishte tragjedia e Velipojës një ngjarje e paralajmëruar?

ERGYS KAVAJA

Ngjarja me 4 viktima dhe dy të plagosur pas konfliktit mes pronarëve të dy hoteleve në Velipojë, ndodhi në një situatë tensioni dhe vështirësish për shumë biznese në plazhin verior. Të shtunën, një ditë para ngjarjes tragjike, nga një verifikim për Faktoje rezultoi se në Velipojë ishte dhënë vetëm 1 leje shfrytëzimi. Disa biznese, në pritje të miratimit të lejes së vonuar për hapësirat e shërbimit në plazhe, i kishin vendosur shezlongët sipas lejeve të vjetshme. Ndarja me ‘vetgjyqësi’ e këtyre hapësirave kishte krijuar pakënaqësi, por edhe frikë tek disa biznese të tjera që siç pohuan për Faktoje, zgjodhën të tërhiqeshin nga ajo që u takonte.

Velipoja, qyteza ku ndodhi vrasja e katërfishtë në orët e para të së dielës, për shkak të një konflikti mes pronarëve të dy hoteleve, por edhe i gjithë opinion publik, është ende i shokuar. Policia dhe prokuroria janë ende duke hetuar për të zbardhur motivet e ngjarjes, megjithatë nga thëniet e dëshmitarëve dhe personave të përfshirë në konflikt, ai ka nisur për shkak të mosmarrëveshjes për hapësirat e shezlongëve.

Nga përplasja e armtosur, sipas Policisë së Shkodrës, humbën jetën Kujtim Ferracaku 59 vjeç (djali i tij është vrarë në një atentat në 2018-n), Xhovani Gocaj 25 vjeç, Edmond Gocaj 38 vjeç dhe Myzerim Zeneli, ky i fundit punonjësi i shezlongëve, 20 vjeç.

Të plagosurit janë Hasan Ferracaku (vëllai i viktimës Kujtim Ferracaku) dhe Elmilind Dyli.

Vendi ku u vranë 4 personat në Velipojë

Pas ngjarjes, babai i dy prej viktimave Xhovanit dhe Edmondit, Pjetër Gocaj tha për Faktoje:

“Më kanë vrarë djemtë! Ne i kemi vendosur shezllonet përpara se të bëhej ndarja nga shteti e shezlloneve dhe ishim në pritje kur të vendosej kjo ndarje për të shikuar se ku i kemi ne dhe ku i kanë ata. Ata erdhën dhe qëlluan djalin e madh të parin, që ishte me dokumenta angleze i cili kishte ardhur për të investuar dhe punuar. Pastaj qëlluan edhe djalin tjetër, djali im i dytë i ka qëlluar edhe ai. Kur ka ndodhur, nuk kam qenë këtu”.

Pjetër Gocaj, babai i dy viktimave

“Fatkeqësia jeme, ato i kam pasur shokë e kolegë, se në çfarë rrethanash ma kanë bërë këtë punë e me më ardhe tek dera. Mu duhet të më kishin thirrur, më shumë më njohin mua se çunat e mi. Nuk kam ditë mor gjë, se nuk na kanë njoftu! I kam shokë, unë jam habitur. Të hënën do të sillja disa kosovarë dhe ndodhi kjo që ndodhi.”-përfundon i tronditur babai i dy djemve të vrarë.

Një ditë para se të ngjante kjo tragjedi, gjatë një vëzhgimi për Faktoje, kishim konstatuar një situatë kaotike me ndarjen e hapësirave të shërbimit në bregdet, që këtë vit u bë përmes aplikimit në e-Albania. Përtej vonesave që shkaktoi kjo mënyrë aplikimi, rezultoi se kjo problematikë nxiti edhe situata konfliktuale mes bizneseve.

“Kemi fituar 900 m2 për vendosje shezlongësh. Të hënën e kaluar kemi paguar 4 milion e 300 mijë lekë të vjetra dhe nuk ka ardhur as shteti, asnjeri, na kanë dhënë letrat në dorë dhe kemi mbetur pa hapësirë. Ndërsa unë që i kam vu shezlongët në pjesën që shteti më ka nxjerrë vjet edhe sivjet, i kemi vendos çadrat në shenjat ku i kemi pasur.

Mua personalisht më ka ardhur të hënën në darkë dhe më ka thënë që gjysma është e jemja, jo e gjitha. Shteti duhet të vijë të ndajë parcelën dhe të marrim atë që kemi paguar. Ditën e premte jam paraqitur në bashkinë e Shkodrës dhe kam bërë ankimimin për të ardhur dikush nga bashkia për të liruar vendin që është i zënë. Kam 54 dhoma të deklaruara në shtet dhe unë sot nuk kam shezlongë për pushuesit e mi!

Në momentin që ka ardhur zotëria unë jam tërheq për të mos bërë konflikt, ai ka ardh me hartë, unë me hartë, dhe më ka thënë se vendi është i jemi dhe unë jam tërheq. Kam mbledh shezlongët dhe kam ikur për të mos hapur konfliktet. Për mua fajtor kryesor është shteti përderisa na shtetit i kemi paguar paret dhe na ka dhënë hartën qysh me datën 21, dhe ne jena pa shezlong.” – u shpreh Hilmi Kapllanaj, operator turistik në bregdetin e Velipojës.

Hilmi Kapllanaj, operator turistik

Velipoja, sezon turistik pa stacione plazhi dhe pa protokoll anti-covid 

Vëzhgimi në Velipojë, vetëm një ditë para ngjarjes tragjike paralajmëronte një situatë të tensionuar dhe konfliktuale mes shumë bizneseve sa i përket hapësirave të shërbimit. Qyteza me plazhin më të madh në zonën veriore, Velipoja e ka nisur zyrtarisht sezonin turistik, duke pritur turistë vendas dhe të huaj pa stacione plazhi të miratuara.

Një proces që duhet të kryhet nga Agjensia Kombëtare e Biznesit dhe pushteti vendor, deri këtë fundjavë, e fundit për muajin qershor, është dhënë vetëm 1 leje shfrytëzimi për stacion plazhi.

Lekë Marku, i cili operon prej thuajse 20 vitesh në plazhin e Velipojës, thotë:

“Ka vonesa nga Agjensia Kombetare e Bregdetit për dhënien e lejeve për stacionet e plazhit. Ne kemi kërkuar që në fillim që të ketë një lloj ndihme apo mbështetje nga shteti në këtë drejtim duke pasur parasysh se po dalim pas një viti të vështirë siç ishte ai i pandemisë dhe këtë vit kemi shpresa që biznesi t’i rikthehet normalitetit, por këto vonesa të pajusfitikueshme po shkaktojnë ndoshta edhe dëm ekonomik për biznesin. Ne kemi plotësuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar dhe jemi vetëm në pritje të përgjigjeve për lejen!”

Plazhi i Velipojës

Në një reagim për Faktoje, drejtues të Bashkisë Shkodër konfirmuan:

“Deri tani nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka vetëm 1 leje të dhënë për shfrytëzimin e hapësirës së plazhit në Velipojë.
Në total janë 10 aplikime, po akoma nuk janë miratuar prej saj. Në lidhje me këtë situatë ne i kemi kërkuar Agjencisë së Bregdetit të përshpejtojë proçedurat duke u nisur nga fakti se jemi në fund të muajit qershor dhe ende nuk ka leje nga kjo agjenci.
Aktualisht në plazhin e Velipojës bizneset kanë vendosur shezlongë, por nuk janë të pajisur me leje nga Agjensia Kombëtare e Bregdetit, çka përbën shkelje, pasi ende nuk janë pajisur me leje për stacionin e plazhit ku kanë vendosur shezlongët”.

Më 16 qershor, Bashkia Shkodër përmes një postimi në rrjetet sociale u bënte thirrje të gjitha bizneseve të depozitonin dokumentacionin sa i përket lejes për shfrytëzimin e hapësirave të shërbimit:

“Që në momentin që kanë marrë aprovimin se aplikimi i tyre është kualifikuar paraprakisht nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, të paraqiten pranë Bashkisë Shkodër tek Zyra e Integruar me Një Ndalesë (Zi1N) për të tërhequr faturën përkatëse me detyrimin financiar sipas tarifave vendore dhe planvendosjen që përcakton qartë sipërfaqen e dakordësuar për stacion plazhi dhe strukturat e shërbimit.”

Postimi i Bashkisë Shkodër, 16 qershor 2021

Në të njëjtin postim të 11 ditëve më parë, Bashkia Shkodër tërhiqte vëmendjen:

“Bashkia Shkodër kërkon që Ministria e Turizmit dhe Mjedisit të shqyrtojë aplikimet e subjekteve në kohë dhe pa vonesa. Çdo ditë vonesë impakton me efektin negativ në organizimin e punës për administrimin e plazheve dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik.”

Poshtë këtij postimi bie në sy sinjalizimi i një ndjekësi, i cili shkruan:

“Ju lutem lironi dhe organizoni tabela në zonat për plazhet publike se janë xanë të gjitha nga bizneset!”

Ndryshe nga vitet e kaluara, kur deri në datën 15 qershor stacionet e plazhit kanë qenë të pajisura me leje, sivjet vonesat dhe zvarritjet me lejet vijojnë, edhe pse pak ditë na ndajnë nga muaji korrik.

Përditësimi i fundit në faqen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit lidhur me aplikimet e lejeve për shfrytëzim të hapësirave i përket datës 17 maj 2021.

Njoftimi i fundit për lejet në faqen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit

Ky sezon turistik e gjen Velipojën jo vetëm pa stacione plazhi të miratuara, por edhe pa roje bregdetare dhe pa rregullore anti-covid.

Kullë vrojtimi bosh në plazhin e Velipojës 

Të pyetur për Faktoje, operatorët turistikë në Velipojë thanë se po operojnë me protokollin e vjetër anti-covid, edhe pse me nisjen e vaksinimit dhe uljen e numrit të të prekurve, shumëçka ka ndryshuar.

“Askush nuk ka ardhur nga institucionet për të na thënë cfarë duhet të bëjmë, ne kemi në zbatim ato që kishim një vit më parë, ndërkohë që si dokument dhe rregullat që duhet të ndjekim ne jemi njohur vetëm nëpërmjet mediave”-tha për Faktoje një pronar hoteli, që kërkoi të mos identifikohej.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img