.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookA është shpallur Lulzim Basha “non grata” nga SHBA?

A është shpallur Lulzim Basha “non grata” nga SHBA?

Lajmi i publikuar në 10 gusht nga portalikoha.com me titullin sensacional se ish kreu i PD Lulzim Basha është shpallur non grata nga SHBA, rezulton të jetë dizinformues për audiencën. Nga verifikimi në burimet zyrtare dhe ato pranë Bashës rezulton se nuk ka një njoftim për shpalljen non grata dhe as të ndonjë episodi për anulim të minutës së fundit të ndonjë vizite të tij në SHBA.

 

Nevila Gjata

Një nga portalet online, portalikoha.com publikoi një lajm se, Lulzim Basha nuk është lejuar të shkojë në SHBA me argumentin se është i shpallur non- grata.

Screenshot e lajmit te publikuar nga portali portalokoha.com

Për të analizuar vërtetësinë e titullit e më pas përmbajtjes së artikullit të publikuar nga portalikoha.com i referohemi disa deklaratave publike që vetë personazhet politike në fjalë kanë dhënë.

Lulzim Basha ka thënë në një intervistë të fundit për “Opinion” se të tjerë persona do të shpallen non-grata, pas një takimi që ai kishte zhvilluar me Daniel Escobar, i Dërguari i Posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor.

Në një lidhje me Skype (në dhjetor 2021) në “Opinion” Basha nuk foli me emra, por paralajmëroi lëvizje të tjera.

Ky debat është vijimi i zhvillimeve të ndodhura në lidhje me shpalljen non grata të ish mentorit të tij në politikë, Sali Berisha.

Ai është një ndër figurat kryesore me dritëhijet e tij në politikën shqiptare prej tri dekadash, që është i shpallur ‘non grata’ jo vetëm nga SHBA, por edhe Britania e Madhe.

SHBA e shpalli vendimin në maj të vitit 2021, ndërsa Britania e Madhe së fundmi.

Vendimin e Britanisë së Madhe e njoftoi ish kryeministri Berisha përmes një konference për shtyp.

I dërguari i Posaçëm i kryeministrit britanik në Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, tha përmes një qëndrimi zyrtar se kjo është “vala e parë e një serie veprimesh për të inkurajuar llogaridhënien dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë”, porse “detajet e këtyre veprimeve nuk mund të bëhen gjithnjë publike”.

Screenshot i mesazhit të Sir Stuart Peach/ Burimi: (Facebook) Faqja zyrtare e Ambasadës Britanike ne Tiranë

 

Më herët edhe ish kreu i dorëhequr i PD-së, Lulzim Basha kishte paralajmëruar në lidhje me shpalljen non grata.

Screenshot e nje pjese të publikuar nga intervista e Lulzim Bashës në “Opinion” publikuar tek portali dosja.al

Ka një deklaratë publike nga vetë Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Cështjet Europiane dhe Euroaziatike si dhe i dërguari i DASH për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar gjatë një vizitë të mbajtur në Shqipëri më 8 dhjetor 2021.

Gjatë kësaj vizite, ai zhvilloi një takim në selinë e PD-së, me Lulzim Bashën si kryetar i partisë.

Escobar dha dy mesazhe shkurt për mediat pas takimit të zhvilluar; korrupsionin duhet ta luftojnë institucionet shqiptare dhe se e pret Lulzim Bashën në SHBA.

“Pres me kënaqësi të zhvilloj takime të tjera pasdite dhe gjithashtu pres me kënaqësi vijimin e marrëdhënieve me PD, gjithashtu pres me kënaqësi që të takoj zotin Basha në Uashington”, tha ai për mediat.

Pasi përcolli zyrtarin e lartë të DASH, edhe Lulzim Basha tha për mediat:

“Është një ftesë e përsëritur, e mirëpres me kënaqësi e padiskutim po planifikoj një vizitë në Uashington që të shtyjmë para objektivat, jo thjesht të PD, por atë që është sot axhenda e çdo familjeje shqiptare”.

Screenshot i njoftimit për vizitën e të Dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Tiranë/ Burimi; Faqja Zyrtare e Ambasadës së SHBA në Tiranë, Facebook) 

 

Lulzim Basha dha dorëheqjen nga drejtimi i PD-së më 21 mars 2022 dhe një vizitë e tij zyrtare si kryetar i PD (për periudhën 2021-2022) nuk u mbajt.

Sali Berisha në një intervistë të mëvonshme (në maj 2022) i ftuar në emisionin “Open” tha se pas ftesës që i dërguari i SHBA-së Gabriel Escobar i bëri Bashës për t’u takuar në SHBA, ky i fundit u nis, por nuk shkoi dot.

Screenshot e faqes zyrtare te emisionit “Open”

 

Portalikoha.com trajton (me shkurtime) deklaratën e shkëputur në intervistën e asaj date të Berishës, (5 maj 2022) duke e risjellë në kohën e tashme.

Ky nuk është debati i parë Berisha-Basha për këtë çështje.

Më herët  Lulzim Basha ka kërkuar që SPAK të hetojë Sali Berishën mbi bazën e akuzave të ngritura në dosjen amerikane, çka pasoi me shpalljen e tij ‘non grata’.

Ndërsa Berisha i është kundërpërgjigjur me “dy dosje”, që sipas tij, implikojnë Lulzim Bashën; “akuzat për lobim me para ruse në Uashington, dhe akuza për dosjen “Toyota Yaris”, që po heton drejtësia belge”.

Lulzim Basha ishte i ftuari i ambasadës amerikane në ceremoninë e organizuar në 100 vjetorin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, zhvilluar më 28 Korrik 2022.

Screenshot i njoftimit të Ambasadës Amerikane në Tiranë mbi ceremoninë zhvilluar, Burimi: Facebook

Foto nga pjesëmarrja e Lulzim Bashës në ceremoninë e organizuar nga Ambasada Amerikane në kuadër të 100 vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, 28 korrik 2022

Në faqen zyrtare të DASH nuk ka informacion të publikuar që Lulzim Basha të jetë shpallur “non grata” siç referon portalikoha.com.

Nuk ka njoftim zyrtar as nga faqja e Ambasadës Amerikane në Tiranë në Facebook.

Nuk ka gjithashtu njoftim zyrtar e publik që Basha të jetë ndaluar nga FBI apo zbritur nga avioni

Faktoje.al ka kontaktuar me njerëz të afërt pranë ish-kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Në përgjigje, ata kanë mohuar lajmin në fjalë, pa u futur në detaje.

Titulli i portalikoha.com i publikuar më 10 gusht 2022 është dizinformues për qëllime klikimi, i pabazuar në fakte zyrtare.

*Fotoja kryesore marrë nga portalikoha.com

*Artikulli publikohet në kuadër të bashkëpunimit që Faktoje ka me Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img