.

.

BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëA është gati projekti për ujësjellësin e fshatrave Karpen dhe Rrakull?

A është gati projekti për ujësjellësin e fshatrave Karpen dhe Rrakull?

Banorët e fshatrave Rrakull dhe Karpen të Kavajës paguajnë edhe ujin që përdorin për t’u larë, edhe atë për të pirë, sepse mungon rrjeti ujësjellës. Në maj 2023 kandidati fitues për bashkinë Kavajë, u tha banorëve se e kishte gati projektin për ujësjellësin, por 7 muaj pas premtimit, ai nuk është shpallur gjëkud. Bashkia ia pason përgjegjësinë ujësjellsit, i cili argumenton se projekti është ende në fazë hartimi. Deri sa të marrë udhë projekti, banorët do të vijojnë të përdorin puset e hapura me shpenzimet e veta, për t’u larë dhe një dorë të mirë parash për ujin e pijshëm.

Ilda Hoxha

Para zgjedhjeve të 14 majit, Fisnik Qosja, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” premtoi zgjidhjen e furnizimit me ujë në fshatrat Rrakull dhe Karpen, përmes një projekti të dedikuar.   “Zgjidhja përfundimtare e çështjes së ujit…. ne kemi një projekt që përfshin bashkë me Karpenin edhe fshatin Rrakull, i cili do të mundësojë furnizim 24 orë me ujë të pijshëm aq të rëndësishëm për banorët dhe turizmin!”-theksoi Qosja.

Postimi në Facebook, 3 maj 2023

Në lidhje me këtë premtim të kryebashkiakut, Fisnik Qosja ne iu drejtuam fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë së Kavajës. Mirëpo, zyrtarisht Bashkia Kavajë ia delegon përgjegjësinë Ujësjellësit të qytetit, paçka se premtimi u artikulua nga kandidati fitues për kryebashkiak.  

“Për furnizimin me ujë të fshatrave duhet t’i drejtoheni ujësjellësit, sepse institucioni në fjalë nuk është në vartësinë e Bashkisë Kavajë”, sqaron Bashkia Kavajë në përgjigjen e datës 9 tetor. Pas kësaj përgjigjeje, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ujesjëllësit të Durrësit, pasi ujësjellësi i Kavajës është shkrirë, duke kaluar në varësinë e UKD.

Kërkesa për informacion dërguar Ujësjellës Kanalizime Durrës

Ne pyetëm këtë institucion nëse dy fshatrat furnizohen 24 orë më ujë dhe nëse kishte ndonjë projekt të parashikuar për ujësjellësin.

“Karpeni dhe fshati Rrakull nuk kanë furnizim 24 orë me ujë. Aktualisht po punohet për hartimin e një projekti nga ana e UK Rajoni Durrës për përfshirjen e të gjithë zonave që nuk kanë furnizim me ujë të pijshëm, i cili merr në konsideratë furnizimin normal të tyre me ujë të pijshëm.

Pasi të përfundojë hartimi i projektit, do të kërkohen fondet e nevojshme nga buxheti i shtetit për zbatimin në terren. Për zonën e Karpenit, aktualisht është duke u kryer një investim nga ana e bashkisë Kavajë për furnizimin me ujë të pijshëm.

Po kur pritet të nisë zbatimi i projektit dhe sa është vlera? Ujësjellësi Durrës sqaron: “Sapo të ketë mbaruar hartimi i projektit dhe sigurimi i fondeve. Nuk mund të parashikohet në këtë fazë vlera e investimit”.

Verifikimi në terren

Gjatë verifikimit që Faktoje bëri në terren më 24 nëntor , banorë të këtyre dy fshatrave u shprehën se rrjeti ujësjellës mungon tërësisht. Ujin e sigurojnë nëpërmjet puseve.

Dëfrim Emiraj prej 15 vitesh jeton në fshatin Rrakull. Ai thotë se asnjëherë nuk kanë pasur rrjet ujësjellësi, por janë furnizuar vetëm nga puset që kanë hapur me paratë e tyre. Sipas tij, para zgjedhjeve të 14 majit u shtruan sa për sy e faqe disa tuba uji, por që prej asaj kohe nuk vijoi ndonjë projekt apo investim për këtë çështje.

Dëfrim Emiraj, banor i fshatit Rrakull

“Kemi puse, por nuk pihet ai ujë, e blejmë ne ujin. Pusin e përdorim vetëm për të larë. Para zgjedhjeve çanë rrugën dhe futën disa tuba, por asgjë tjetër, uji nuk erdhi kurrë”, thotë ai.

Fshati Rrakull, 24 nëntor 2023

Edhe në fshatin Karpen situata është e njëjtë. Familjet e kanë zgjidhur çështjen e ujit nëpërmjet puseve, pasi nuk ka fare sistem të rrjetit të furnzimit me ujë. “Para zgjedhjeve futën disa tuba, por vetëm për gjysmën e fshatit.

Kishim shpresë se do na e sillnin ujin, por nuk i pamë më. I kanë lënë tubat aty, ujë nuk ka dhe as nuk besoj se do e sjellin. Njerëzit kanë ikur, pak familje kanë ngelur këtu, sidomos tani në dimër”, thotë një e moshuar, banore e Karpenit.

Fshati Karpen, 24 nëntor 2023

Mbi këtë investim që është premtuar të bëhet, Faktoje iu drejtua sërish me një kërkesë për informacion Bashkisë së Kavajës më 21 nëntor, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi një përgjigje nga institucioni.

Gjithashtu kontaktuam nëpërmjet whatsapp edhe zotin Qosja nëse ka një projekt për këto dy fshatra, sikurse premtoi në fushatë, por as prej tij nuk kemi marrë një përgjigje.

Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar vendosëm që premtimin për projektin e furnizimit 24 orë me ujë të fshatrave Rrakull dhe Karpen, ta kategorizojmë deri tani të pambajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img